“New York Times” Gjëja më e keqe në Kosovë: Je gjallë e i vdekur!

0
953

Kuzhineri nga Peja

Gazeta prestigjioze amerikane, “New York Times”, i ka kushtuar një shkrim të gjatë gjendjes në Kosovë, me theks të veçantë tek emigrimi i shtetasve drejtë vendeve të BE-së.
Familja e madhe Cakaj ka ndërtuar disa shtëpi, pranë rrugës “Blair”, mes supermarketit “Dubai” dhe bazës së trupave paqeruajtëse franceze, me besimin klanor se afërsia sjell siguri. Por, kohët e fundit familja e shqiptarëve të Kosovës ka filluar të shpërbëhet, pasi ekonomia është në gjende të mjerë, politika është statike, ndërsa hapja rishtazi e kufirit me Serbinë ka mashtruar dhjetëra-mijëra kosovarë për të lënë vendin e tyre të trazuar në kërkim të mundësive për punë.

“Djali im nuk kishte zgjidhje”, tha Xhevat Cakaj, “pos për të ikur në Gjermani me gruan dhe pesë vajzat e tyre”, transmeton Telegrafi.

Ata kishin vetëm një lopë, tha ai, qumështin e së cilës e shitnin në një treg në afërsi të Prishtinës, kryeqytetin e Kosovës. Ndërsa, të ardhurat tjera të vetme ishin nga shërbimi minibus, derisa autoritetet lokale nuk e ndalojnë këtë veprimtari.

Ai i hedh një sy tokës nga ku familja e tij iki nga serbët në luftën e vitit 1999, ndërsa qan për ironinë e fatit. “Askush nuk largohet nga qejfi”, thotë 64-vjeçari Cakaj

Afrim Syla, 48-vjeçar nga Prishtina, i cili bën petulla për të jetuar, ka djalin që iu bashkua tash vonë eksodit. Ai thotë: “Kemi ardhur në situatën që të ikim nga vullneti jonë i lirë”.

Gjashtëmbëdhjetë vjet pasi NATO i largoi forcat serbe që 850 mijë shqiptarëve të dëbuar të Kosovës t’ua mundësojë kthimin në shtëpi, fluksi i shqiptarëve të Kosovës ka marrë kah tjetër. Për muaj të tërë, autobusët kanë dërguar shqiptarët e Kosovës përmes Serbisë për në kufirin tokësor poroz me Hungarinë, e pastaj drejtë vendeve tjera të Bashkimit Evropian.

Shqiptarët kalojnë në këmbë, shpeshherë pa u vënë re. Kur kapen nga zyrtarët hungarezë, ata janë ndaluar vetëm shkurtimisht

Por, shqiptarët e Kosovës, shumica e të cilëve janë myslimanë, nuk janë duke pritur krahëhapur. Ndaj, janë të detyruar të kthehen përsëri në tokën e tyre. Kthimi flet për mënyrën e Evropës perëndimore për të trajtuar valën e refugjatëve dhe emigrantëve që kërkojnë stabilitet dhe mundësi, siç flet edhe izolimi dhe privimi i njerëzve në Ballkan.

Në stacionin e zymtë të autobusëve në Prishtinë, numri i autobusëve që largohen çdo natë është së paku dy, e më së shumti 12. Atje, një njoftim i madh liston 10 arsye për të mos migruar, ndërsa e para thotë se Kosova është vendi për të cilin shqiptarët luftuan aq shumë dhe se ajo ka nevojë për njerëzit e saj që të ekzistojë.

Por, për bindur njerëzit që të mos ikin dhe për riintegruar ata që janë detyruar të kthehen, kjo mbetet një tjetër sfidë.

“Do të jetë një pranverë shumë e vështirë”, tha Samuel Zbogar, diplomat slloven i cili kryeson misionin e Bashkimit Evropian.

Askush nuk e di saktësisht kur dhe pse eksodi ka filluar, por ka qenë befasues shpejtësia dhe intensiteti. Zyrtarët në Austri dhe Gjermani dhanë alarme në janar, pas rritjes së numrit të shqiptarëve të Kosovës që kërkojnë azil.

Kosovarët – ndryshe nga fqinjët e varfër të Ballkanit, si Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja – nuk kanë qasje në programet evropiane të vizave, gjë që ka kontribuar në ndjenjën e të qënit të braktisur dhe izoluar, thonë politikanët, zyrtarët dhe analistët e pavarur.

Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE krijuan pika kufitare me Serbinë fqinje duke lehtësuar kalimin në këtë shtet, si dhe njohjen reciproke të dokumenteve të identitetit. Autobusët kështu nisën të qarkullojnë drejt veriut.

Derisa kosovarët kishin shpresë pas luftës brutale me serbët dhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, shumica – veçanërisht të rinjtë – thonë se shohin pak perspektivë.

Shumë ndjenjë pasiguri, pjesërisht edhe për shkak të statusit. Rusia, një aleat i vjetër i Serbisë, nuk e njeh atë, si dhe disa kombe e shohin pavarësinë e Kosovës si një sinjal për separatistët e tyre: Kina, e cila është nën presion për një Tibet të lirë, dhe pesë nga 28 anëtarët e Bashkimit Evropian – veçanërisht Spanja, e cila shqetësohet për Katalonjën.

Kosova është marrë veten. Zgjedhjet e qershorit kaluan pa gjetur zgjidhje, derisa partia e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, një hero i luftës kundër Serbisë e tash vonë i akuzuar nga kritikët si i etur për pushtet dhe i korruptuar, shtyu me forcë rrugën për një koalicion qeverisës. Z. Thaçi tash është ministër i Jashtëm.

Problem është ekonomia. Në një rajon të pllakosur nga demografia e plakjes, ky është territori më i ri i Evropës, me moshë mesatare prej 27 në dy milionë banorët e saj. Kosova duhet të ketë një rritje të pamundur prej 7 për qind në vit, në ekonomi, për të ofruar punë për 25-30 mijë të rinj që Qeveria thotë se mbarojnë shkollën çdo vit. Investimi direkt nga burimet e huaja është rreth 270 milionë dollarë në vit, gjysma e asaj që ishte më 2007, thotë Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Riinvestit, një grup i pavarur hulumtues.

Austria ka regjistruar 1901 kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës më 2014, 1029 vetëm në janar të këtij viti, thotë Karl-Heinz Grundböck nga Ministria e Brendshme në Vjenë. Nga 1 janari e deri te mesi i shkurtit, Gjermania kishte 18 mijë aplikime nga kosovarët. Në Kosovë, Ministria e Arsimit numëron 5600 nxënës që mungojnë.

Por, Evropa Perëndimore është përmbytur tashmë me refugjatët nga luftërat dhe turbulencat në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, e po ashtu po përpiqet të integrojë imigrantët myslimanë. Akomodimi është aq i pakët sa disa të ardhur nga Kosova ishin vendosur në baraka të vjetra të Ushtrisë amerikane në Heidelberg. Në Gjermani, megjithatë ardhjet nga kosovarëve kanë rënë në 200 në ditë nga 1400 në fillim të shkurtit.

Kryeministri Isa Mustafa tani përballet me sfidën e mbajtjes së shqiptarëve tjerë në Kosovë. Një veteran i politikës së Kosovës, ai shpreson të lehtësojë pakënaqësinë e të rinjve duke hapur qendra sportive dhe kulturore në të gjithë Kosovën – në një rajon që përvëlon në verë, ende nuk ka pishinë publike – dhe përmirësimit të arsimit, transmeton Telegrafi.

“Duhet të lirojmë njerëzit nga izolimi”, thotë ai.

Shumë këtu e shohin zgjidhjen me liberalizimin e vizave për Evropën.

“Nuk ishte e drejtë”, tha Abdixhiku, “për të lënë Kosovën si një vrimë e zezë për të gjithë këto vite, duke kufizuar madje udhëtimet e biznesit”.

Por, qeveritë evropiane janë të shqetësuara nga rritja popullizmit dhe nacionalizmit, së bashku me ankesat e votuesve rreth emigracionit nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si Rumania dhe Bullgaria. Gjermania pret 300 mijë aplikime për azil gjatë këtij viti, nga 200 sa ishin në vitin 2014. Pra, vizat nuk ka të ngjarë të hiqen.

Zbogar, diplomat i Bashkimit Evropian, foli për një rritje të shpenzimeve evropiane, në rreth 90 milionë dollarë këtë vit. Gjermania dhe të tjerët janë gjithashtu duke premtuar më shumë ndihmë.

Kritikët kanë thënë se korrupsioni është i shfrenuar, duke minuar kështu zhvillimin. Ata tregojnë për autostradat të reja të ndërtuara kohët e fundit, që lidhin Prishtinën me Shqipërinë dhe bregdetin e saj, e shpenzimet e të cilave janë fryrë.

Ardian Gjini, një lider i AAK-së opozitare, e krahasoi projektin e autostradës dhe korrupsionit kështu: jepja djalit 100 euro dhe thuaji t’i blejë dy shishe verë. Djali me krenari kthehet me verën, por nuk mund të thotë se ku shkoi kusuri.

Për familjen Cakaj, problemet nuk ndalen. Isa Cakaj, 42-vjeçar, ka një diplomë në inxhinieri gjeologjike, por minierat e Kosovës ose janë shteruar, apo akoma janë të pashfrytëzuara.

“Nëse nuk keni lidhje dhe nuk i njihni njerëzit, nuk ka asnjë mënyrë për të gjetur punë”, thotë babai i Isa Cakajt, Sherifi. “Zyrtarëve nuk ua ndien a ke punë ajo. Ata duan të paguash faturat”.

Në moshën 75-vjeçare, ai këmbëngul se gjërat kurrë nuk ishin kaq keq.

“Gjëja më e keqe është kur je gjallë e je i vdekur. Po të mos isha i vjetër, do të ikja edhe vet”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu