Nga 1 korriku, qeveria shpërndan shtetësi shqiptare

0
667

Ministria e Brendshme ka përgatitur fshehtazi draftin që do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave.

Zbardhet drafti i plotë për procedurat që do të ndiqen sipas tri kategorive. Hiqet kushti që të ketë jetuar në Shqipëri 5 vjetë

Qeveria shprehet e vendosur për t’i shkuar gjer në fund nismës së saj për dhënien e  nënshtetësisë shqiptare shqiptarëve të Kosovës si dhe të huajve. Pas deklaratave të kryeministrit Berisha për shtetësinë, një grup pune në Ministrinë e Brendshme ka nisur punën për hartimin e një projekt-akti. Nga 1 korriku 2013, do të fillojnë procedurat për dhënien e shtetësisë shqiptare.

Hiqet kushti

Ajo që bie në sy është se qeveria ka zgjedhur që ndryshimet për rregullat e dhënies së shtetësisë t’i kryejë përmes një projektvendimi, duke shmangur ndërhyrjen në ligjin për shtetësinë. Ndryshe nga ligji aktual që parashikon dhënien e shtetësisë për shtetasit me origjinë shqiptare vetëm pasi të kenë jetuar në Shqipëri jo më pak se 3 vjet dhe për ata me origjinë jo shqiptare, jo më pak se 5 vjet, projektvendimi e heq fare këtë kusht.  Projektvendimi parashikon tre kategori për marrjen e shtetësisë, të cilat do të duhet të ndjekin rregulla specifike. Ministria e Brendshme , Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Drejtësisë, do të  marrin të gjithë masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Për ata me një prind shqiptar

Shtetësia shqiptare do t’i njihet personave, të paralindurit me shtetësi shqiptare të të cilët nuk jetojnë më në momentin e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë të personit kërkues sipas këtij kreu, me të paralindurin e shkallës së dytë dhe atë në vijim, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare. Ata, të cilët do të duan që të marrin shtetësi shqiptare, duhet të aplikojnë për njohjen e së drejtës së tyre të shtetësisë, përmes një kërkese me shkrim drejtuar Ministrisë së Brendshme. Kërkesa paraqitet nëpërmjet komisariatit të policisë, zyrës së gjendjes civile, ose pranë përfaqësive diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit. Procedurat për përcjelljen dhe afatet, si dhe strukturat kompetente për trajtimin e kërkesës parashikohen me Udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Jashtëm, dhe Ministrit të Drejtësisë. Njohja e së drejtës së shtetësisë bëhet pas paraqitjes së kërkesës, e cila duhet të përmbajë deklarimin e të dhënave ose dokumenteve të nevojshme që provojnë gëzimin e shtetësisë shqiptare të prindit të subjektit kërkues në momenti e lindjes së kërkuesit. Personat kërkues, të paralindurit e të cilëve nuk jetojnë, por që provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e subjektit kërkues, sipas këtij kreu, me të paralindurin e shkallës së dytë e në vijim, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare, duhet të deklarojnë bashkë me kërkesën faktin se janë të paslindur të një shtetasi shqiptar. Formati për paraqitjen e kërkesës parashikohet me Udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Jashtëm, dhe Ministrit të Drejtësisë. Komisariati i Policisë, ose zyra e gjendjes civile, apo përfaqësia diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit, para përcjelljes pranë strukturave kompetente të Ministrisë së Brendshme, konstaton rregullsinë e kërkesës dhe të dokumentacionit shoqërues të paraqitur nga subjekti kërkues, përcjell kërkesën brenda 15 ditëve pranë Ministrisë së Brendshme. Mënyra e pranimit të dokumentacionit shoqërues nëse ka, parashikohet me Udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Jashtëm, dhe Ministrit të Drejtësisë. Kërkesa  do të përmbajë gjeneralitetet: emër, mbiemër, atësi, mëmësi, datëlindje, vendlindje, shtetësi (nëse ka), gjendjen civile, adresën e saktë të vendbanimit jashtë territorit të Republikës të subjektit kërkuesit, dhe nëse disponon adresën e vendqëndrimit në Republikën e Shqipërisë, dokumente identifikimi dhe të gjendjes civile të shtetit të huaj, të dhënat e prindit, si dhe nëse ka, dokumentacionin mbështetës mbi bazën e të cilit pretendohet zotërimi i shtetësisë shqiptare nga prindi i subjektit kërkues në kohën e lindjes së këtij personi kërkues. Fakti i zotërimit të shtetësisë shqiptare, mund të provohet me çdo certifikatë zyrtare, pasaportë, vendim gjyqësor, apo çdo dokument tjetër zyrtar që provon shtetësinë shqiptare të një parëlinduri. Personat, të paralindurit e të cilëve nuk jetojnë, por që provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e subjektit kërkues sipas këtij kreu, me të parëlindurin që ka zotëruar shtetësinë shqiptare, duhet të deklarojnë bashkë me kërkesën edhe të dhëna ose dokumentacion që provon lidhjen familjare me të parëlindurin e shkallës së dytë e në vijim, i ciii ka zotëruar shtetësinë shqiptare. Ministria e Brendshme shqyrton kërkesën me të dhënat e deklaruara, si dhe faktin e zotërimit të shtetasit shqiptar të prindit apo të paralindurit, bazuar në dokumentacionin e dhe të dhënat e paraqitura nga kërkuesi brenda 30 ditësh nga ardhja e saj pranë kësaj ministrie.Për gëzimin e së drejtës së shtetësisë shqiptare, personi i interesuar duhet të regjistrohet më të dhënat e deklaruara, në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, pranë një prej zyrave të gjendjes civile, për t’u pajisur më pas me dokumente shqiptare. Regjistrimi kryhet edhe kur shtetasi nuk deklaron një vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Shtetësia për të huajt me origjinë shqiptare

Informacione nga SHISH për dhënien e shtetësisë shqiptare

Të huajt me origjinë shqiptare që do të duan të marrin shtetësi shqiptare do të duhet të kontrollohen më parë nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Të huajt me origjinë shqiptare me shtetësi të një shteti anëtar të Bashkimit Europian apo janë me qëndrim të rregullt në një shtet anëtar të Bashkimit Europian, ose me shtetësi të një shteti që mund të lëvizin pa viza në territorin e shteteve të zonës Shengen,  duhet të vërtetojnë se janë të paslindur, qoftë edhe nga një i parëlindur me origjinë shqiptare dhe që nuk provohet se i paslinduri ka patur shtetësinë shqiptare; ose personat të cilët kanë patur një të paralindur me shtetësi shqiptare, por që nuk përfitojnë shtetësinë shqiptare për shkak të humbjes së shtetësisë së të parëlindurit. Kusht për marrjen e shtetësisë është plotësimi i moshës 18 vjeç; mendimi i institucioneve të shërbimit informativ se nuk preket sigurimi dhe mbrojtja e Republikës së Shqipërisë dhe një kërkesë së bashku me vetë-deklarim për origjinën shqiptare. Subjektet e përcaktuar sipas këtij kreu, duhet të aplikojnë për marrjen e shtetësisë shqiptare përmes një kërkese me shkrim drejtuar Presidentit të Republikës, paraqitur nëpërmjet Ministrisë së Brendshme ose pranë përfaqësive diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit. Forma dhe mënyra për plotësimin e kërkesës miratohen me Udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Jashtëm, dhe Ministrit të Drejtësisë. Komisariati i Policisë ose përfaqësia diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit pas kryerjes së verifikimit paraprak të kërkesës, të dhënave dhe dokumentacionit të paraqitura nga kërkuesi, pa vonesë, përcjellin kërkesën pranë strukturës kompetente të Ministrisë së Brendshme. Strukturat e Ministrisë së Brendshme së bashku me Zyrat e Gjendjes Civile, shqyrtojnë faktin e origjinës shqiptare të parëlindurit bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi, dhe paraqesin mendimin e tyre me shkrim pranë Ministrit të Brendshëm. Ministri i Brendshëm propozon dhënien e shtetësisë shqiptare për interes kombëtar personit me origjinë shqiptare. Vendimi i Ministrit të Brendshëm i dërgohet Presidentit të Republikës. Pas nxjerrjes së Dekretit të Presidentit të Republikës për dhënien e shtetësisë shqiptare për interes kombëtar, Zyra e Gjendje Civile pa vonesë, kryen procedurat e nevojshme për betimin dhe regjistrimin e shtetasit në regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, pasi të këtë kryer më parë, çregjistrimin e personit nga regjistri kombëtar i të huajve, nëse ai ka qenë i regjistruar më parë në të. Personi i interesuar regjistrohet në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, pranë zyrës së gjendjes civile dhe deklaron një adresë, për t’u pajisur më pas, me dokumente shqiptare.

Shtetësia për shqiptarët e Kosovës

Ëndrra për të pasur një pasaportë të Republikës së Shqipërisë për të gjithë shqiptarët e Kosovës, duket se nuk do të jetë tepër e largët. Në projektvendimin e përgatitur nga një grup pune në Ministrinë e Brendshme po punohet veçanërisht për përcaktimin e rregullave për dhënien e shtetësisë për shqiptarët e Kosovës. Pasja e dy qeverive shqiptare, ka ndikuar që dhe rregullat për mënyrën e dhënies  së shtetësisë për shqiptarët e Kosovës të  vendoset me marrëveshje midis dy qeverive. “Procedurat dhe kushtet për aplikimin e marrjes së shtetësisë shqiptare për shtetasit e Republikës së Kosovës, rregullohet mbi bazën e një marrëveshjes ndërkombëtare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës lidhur për këtë qëllim”, thuhet në projektvendimin e fshehtë që pritet të firmoset nga ministri i Brendshëm , Flamur Noka për t’ia kaluar Këshillit të Ministrave.

 

Nga Luis Tanushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu