Nga Plava në Strugë, kufijtë që ziejnë

0
679

Protestat ne FYROM

Çfarë do të thotë të jesh shqiptar që banon në trojet e tua etnike, jashtë kufi jve zyrtarë të Shqipërisë, nuk mund ta kuptosh 
nga rrëfi mete të tjerëve, pa e provuar vetë. Europa e Bashkuar, aspirata për NATO, të drejtat e njeriut për fqinjët tanë shpesh vlejnë si çamçakëz që mbllaçisin në gojën me dhëmbë të veshur me ura porcelani, që mbulojnë ato të krimburit e shekullit të shkuar. 
Në Martinaj, një ndër të paktat ngulime shqiptare në Mal të Zi ende i paasimiluar, në 25 maj të vitit 2013, Kisha Ortodokse serbe kishte tentuar të ngrinte një kishë. Vendasit reaguan. Serbët kishin provuar edhe një shekull më parë, atëherë kur Lufta Ballkanike ishte në vlimin e saj dhe nuk kishin mundur. Në mijëvjeçarin e tretë, me mbështetjen e policisë malazeze, tentuan rishtas dhe kur nuk ia dolën, arrestuan 23 vendalinj. Në 12 maj 2014, provohet prapë dhe rishtas shqiptarët reagojnë. Për hakmarrje (pasi nuk mund të ketë shpjegim tjetër), shteti malazez në kundërshtim me të gjitha ligjet e tij, instalon mbi fshat një depozitë plehrash, duke krijuar premisat që të helmatisë të gjitha burimet ujore nga shuan etjen e vaditet Martinaj. Reagimit qytetar të shqiptarëve, të cilëve tashmë u kërcënohet hapur mbijetesa, i përgjigjen me 36 të arrestuar që kaluan në kalvarin e 54 seancave gjyqësore. 
Plava, Gucia, Martinaj, Vuthaj, janë troje të pastra shqiptare, dhe vazhdim i shelfit të shtetit shqiptar, të harruar nga të gjithë. I vetmi që ka bërë diçka konkrete, është botuesi Fatmir Toçi, që i kishte dhuruar shkollës gjashtëqind libra në gjuhën shqipe. Një nga trevat më të bukura shqiptare është lënë në dorë të fatit dhe të malazezëve, ku nuk merret vesh cili është më i zi. 
Nëse kalon kufirin lindor, në tokat që administrohen nga FYROM, ndryshimi mes shqiptarëve ashtu si në veri, është i pakapshëm. Struganët thonë se më afër kanë Tiranën nga Shkupi, duke vënë theksin tek kuptimi politik dhe jo ai gjeografik. Një pjesë e tyre i thoshin vetes toskë e të tjerët gegë. Por tashmë e kanë kuptuar më mirë se “akademikët” e Tiranës e Prishtinës që kërkojnë rishikimin e standardit gjuhësor, se kjo ndarje ishte e nxitur. Ndaj nga ‘90-ta e këtej e kanë arkivuar këtë klasifikim. Devocioni fetar ndaj islamit dhe prevalenca e tij mbi shqiptarinë është një klishe, që vetë shqiptarët e atyshëm e luftojnë. Tregojnë me emra fshatra të tëra shqiptare të besimit ortodoks, që për t’i shpëtuar shpërnguljes në Turqi në kohën e “bashkues-vëllazëruesit” Tito, kthyen kombësinë në maqedonase. Kjo shpjegon pse Shkupi – qyteti më i madh shqiptar më 1911-ën, ose Manastiri – qyteti i alfabetit shqip – kanë shumicë bullgarofolëse. Shqiptarët që kanë humbur gjuhën dhe kombësinë, ndrojtazi, kanë filluar të konvertohen në kombësinë e tyre të origjinës dhe të mësojnë nga pleqtë që ende e flasin gjuhën shqipe. 
Maqedonia nuk është aspak pejsazhi idilik i bashkëjetesë paqësore në Ballkan. Struga, dikur një qytet tekstil, e ka harruar këtë zeje. Turizmi orientohet nga qeveria qendrore, e cila kërkon nga investitorët të punësojnë kryesisht maqedonas. Nuk mund të shpjegohet me barazi fakti që në asnjë nga hotelet e mëdhenj të qytetit apo bregliqenit strugan nuk gjeje folës të shqipes, qoftë ky kamarier apo administrator. 
Një segment i pjesës bullgarishtfolëse të FYROM-it po përpiqet të ngrejë për arsye joracionale, një identitet pa lidhje me origjinën e tyre, por nuk mund të tërheqin zvarrë në këtë aventurë shqiptarët, që kanë një identitet të tyre mijëravjeçar. Tashmë me shqiptarët ose mund të bashkëjetohet në barazi, ose të ndahen, por jo të asimilohen. Gjithashtu, kryeministri i tyre ka probleme me grandomaninë, çka duket në parashikimet malinje që bën për qeverinë e Tiranës, megjithëse sa deklaroi kryetari i qeverisë shqiptare, nuk është hiç më shumë se një këshillë dashamirëse për një problem që po mahiset dhe që Gruevski nuk ngjan se ka vizionin ta zgjidhë në frymë evropiane, por po kërkon manualet në sëndukun e pluhurosur të ish-Jugosllavisë. Është një kujtesë dhe kërkesë kjo e kryeministrit Rama, e cila fton qeverinë “Gruevski” dhe garantët evropianë të Marrëveshjes së Ohrit se të kërkosh të zgjidhësh probleme politike me ndihmën e gjyqësorit, është një rrugë që nuk të çon veçse në përplasje. Shqiptarët kanë kujtime shumë të hidhura nga koha e mbretërisë serbo-kroato-sllovene dhe Titos, ku gjyqësori ka qenë arma e persekutimit dhe justifikimi juridik i spastrimit etnik. Gjithashtu, nuk mund të luhet deri në pafundësi me durimin e shqiptarëve, vetëm se një pjesë e elitave të tyre dritëshkurtëra janë kompromentuar. 
Shqiptarët janë copëtuar në pesë shtete dhe në njëqind vjetët e fundit janë asimiluar popullata të tëra tonat në Sanxhak, Mal i Zi, FYROM-i lindor e Çamëri. Historia së fundmi ka nisur të mos na shohë me syrin e njerkës. Fqinjët duhet të ndërgjegjësohen se shqiptarët e sotëm nuk janë ata të një shekulli më parë. Janë më të shumtë në numër, më të njohur në botë, më të vetëdijshëm për identitetin dhe fuqinë e tyre, shkurt: aspak të gatshëm për të ulur kokën. Nëse do të fillojnë ta kuptojnë, atëherë gjysma e rrugës për bashkëjetesë të paqtë është bërë. 

Nga: Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu