Nga Tropoja deri në Bujanoc

0
795

Dje, në ambientet e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë në Tirane, është zhvilluar Akademia Përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës luftarake-patriotike të Gjeneral Tahir Sinani.

Me rastin e 10 vjetorit të rënies së heroit të tri luftërave, dëshmorit të kombit Gjeneral Tahir Sinani dhe dëshmorëve: Hisë Fazliu, Naser Ademi, Hyrë Emini dhe Ibrahim Ademi të cilët ranë në luftë për çlirimin e trojeve etnike shqiptare, Komuna Paskuqan, Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe dega e saj në Tiranë, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Prishtinë dhe Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Mbrojtjes së R. së Shqipërisë, Z. Arben Imami, organizuan një ceremoni përkujtimore për nder të atyre që u flijuan në mbrojtje të lirisë, kombit dhe flamurit kuq e zi.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Mbrojtjes, Z. Arben Imami, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Eqerem Tafaj, Presidenti i Unionit Artistik i Kombit, Z. Hazgan Haklaj, Kryetari SHVL UÇ Kombëtare Fazli Veliu si dhe familjarë, miq dhe të afërm të luftëtarëve të UÇK-së.

Ceremonia e cila nisi me një dokumentar televiziv, kushtuar jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit Gjeneral Sinani, u pasua nga një sërë referencash të mbajtura nga të pranishmit, ku secili prej referuesve sillte në memorien e të pranishmëve luftën e ashpër dhe strategun e veprave të përdorura nga Gjeneral Sinani kundër pushtuesit serb.

Gjeneral Tahir Sinani nderohet me titullin “Misionar i Kombit”, (pas vdekjes) me motivacionin: “Për një kontribut të shquar për të drejtat universale dhe lirinë e trojeve shqiptare. Ideator dhe vizionar, komandant, strateg i luftës çlirimtare të Kosovës, Preshevës, e trojeve shqiptare në Maqedoni. Vertebër në shtyllën e bashkimit, personifikim i idealit dhe integrimit, simbol i qëndresës, dhe i truallit shqiptar. Simfoni i koncertit të lirisë”, titull i cili i dorëzohet të birit të Tahirit, nga Ministri i Mbrojtjes, Z.Arben Imami.

 

Në momentin e dhënies së këtij titulli Ministri Imami u shpreh: “Është nder për mua si Ministër i Mbrojtjes, por edhe personal që në emër të unionit tuaj, t’i ofroj sot familjes së dëshmorit Sinani këtë titull, këtij burri të malësisë sonë, këtij oficeri trim dhe patriot të ushtrisë sonë kombëtare, për të cilin Forca jonë e Armatosur është krenare që e ka patur në gjirin e saj. FA është krenare që Gjeneral Sinani e përfaqësoi me dinjitet si një ushtarak në një forcë që ka luftuar në terren me NATO-n, një nga ato pionier të Shqipërisë në familjen e madhe europiane”.

 

“Ata, si pjesë më e përgaditur e ushtrisë dhe popullit, na mundësuan që të ngritemi si në kohën e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Dedë Gjo Lulit, për të mbrojtur trojet, flamurin dhe gjuhen!” – tha ndër të tjera Fazli Veliu, Kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Komandant Tahir Sinani hyri në historinë e re kombëtare me prirjen luftarake, diturinë e Zall-Herrit dhe përvojën e ushtrisë shqiptare, si instruktor i stërvitjeve, shef i sektorit për ndërhyrje të shpejta dhe oficer i kampit të stërvitjeve në Tropojë.

Në nëntor 1998 hidhet në luftimet në Kosovë, bëhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, themelon Qendrën stërvitore dhe komandon njësitin special ‘Arbri’ në Divjakë, duke vepruar me sulme të rrufeshme e të befasishme mbi makinerinë fashiste serbe dhe duke mbrojtur popullsinë civile.

Kështu për të ardhur deri në 29 korrikun e vitit 2001, ku komandant Tahir Sinani, së bashku me luftëtarët Naser Ademi, Hyrë Emini, Ibrahim Ademi dhe Hisë Fazliu, bien në fushën e nderit duke njomur tokën e shenjtë të Maqedonisë shqiptare me gjakun e tyre të kulluar.

Tahir Sinani, lindi më 25 maj 1964 në djepin epik të Mic Sokolit e Col Delisë, në Tropojë. Kjo legjendë e Lirisë, prehet tanimë në vendlindjen e vet, në shtetin amë. Me dekret të shtatorit 2001, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e gradoi atë Gjeneral brigade, ndërsa Tropoja e cila e lindi dhe e rriti e shpalli “Dëshmor i Atdheut”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu