Ngjarje tragjike në Pejë, zjarri merr jetën e dy fëmijëve

0
754

Një zjarr që kishte shpërthyer rreth orës 18:00 të së hënës, në një shtëpi banimi në Pejë, është kthyer në një tragjedi familjare, duke marrë jetën e dy fëmijëve të mitur.

Fëmijët e familjes Thaçi nga Peja, të cilët banonin në rrugën “Uesli Klark”, njëri i moshës 3 vjeçare dhe tjetri 5 vjeç, që të dy djem, nuk kanë mundur të shpëtohen nga ekipet e shpëtimit, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Xhevat Ibra, zyrtar për informim në Policinë e Pejës, ka thënë se pas marrjes së informatës policia ka dalë në vend ngjarje.

“Disa zyrtarë policorë kanë thyer derën për të shpëtuar fëmijët, por përkundër përpjekjeve të policëve, për fat të keq fëmijët nuk kanë arritur të shpëtohen, për shkak të zjarrit shumë të furishëm”, tha Ibra, ndërsa ka shtuar se shkaqet e zjarrit janë akoma të panjohura për policinë.

Ndërkohë që drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Avdyl Lajçi ka bërë apel tek punëtorët e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës që ta kryejnë punën e tyre, ashtu siç duhet dhe të evitohen zjarret e shkaktuara si pasojë e rrymës.

“Ky ishte një rast mjaft i dhimbshëm, shkaqet e zjarrit akoma nuk dihen, ekspertët tanë po bëjnë ekspertizën. Andaj unë shfrytëzoj rastin pasi që kohëve të fundit po kemi shumë raste, që shkaktohen si pasojë e rrymës elektrike, të apeloj tek punëtorët e KEK-ut që të janë shumë më vigjilent në kryerjen e detyrave të tyre”, deklaroi Lajçi.

Ndërsa në vend ngjarje ka dalë edhe kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, i cili ka shprehur shqetësimin e tij për ngjarjen tragjike dhe ka ngushëlluar familjen për jetët e humbura të më të dashurve të tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu