Ngjarjet historike duhet trajtuar me sinqeritet

0
923

Datat e mëdha historike kanë edhe numër të madh pjesëmarrësit në të dyja taborët. Dhe është bërë zakon, që në përvjetorët e tyre, të flasin që të dyja palët, gjithnjë duke folur njëanshëm. Edhe ata që ishin për të mirën e çështjes kombëtare, edhe ata të cilët ishin në shërbim të armikut. Këto data kanë edhe heshtakët, të cilët në një farë mënyre pajtohen me mos ndodhjen e datave, qoftë nga frika, qoftë nga mos bindja se do të përfitojë kombi diçka, mirëpo, më vonë bëhen edhe rrahagjoks të ndodhjes së asaj, e nëse nuk nxjerrët përfitim politiko kombëtar, krekosen se ata nuk kanë dashur të bëjnë trysni në organizatorët as për as kundër, duke e ditur rezultatin përfundimtar.

Jemi mësuar të dëgjojnë rrëfimtar, të cilët rrëfejnë për kohën e tyre, bëmat e tyre në kuadër të atyre datave dhe të shumtën e rasteve nuk janë të sinqertë. Në mungesë të këtij sinqeriteti lindin edhe reagime dhe historisë i del punë e madhe për të mbledhur materiale dhe krahasuar për të gjet të vërtetën. Po të thuhej e vërteta nga protagonistët, historianët nuk do të parashtronin dilemat, se si ndodhi, kush qëndronte për ose kundër dhe çfarë mësimi doli nga ai veprim.

Kur dihet se historia është ajo që ka ndodhur, të paktën duhet të jemi të sinqertë në kohën e sotme dhe të tregojmë se si e çka ndodhi me një datë të caktuar dhe peshuar mirë e mirë, duke mos lënë asgjë të zbraztë, pra pa u thënë, madje edhe duhet shikuar se kush nga cili këndë e thotë.

Kjo na ka ndodhur edhe për demonstratat e vitit 1968, ku aktorët kryesor mundohen që rreth vetës të mbledhin shumë të tjerë, që madje edhe të shtynë të mendosh, se kush i kishte organizuar dhe ku ishte qëllimi i tyre. Në anën tjetër, shtypësit dhe diferencuesit e tyre bëjnë politikën e tyre rrëfimtare për të rehabilituar vetën dhe sorollopin e vet, që ishin pjesë e nomenklaturës udhëheqëse titiste, por që në një farë forme të parët i rehabilitojnë, gjithnjë duke u treguar gjoja “modest” për kontributin e tyre.

Kjo ndodhi edhe me demonstratat e vitit 1981. Kur i lexojmë e dëgjojmë për ndodhitë e kohë, kush ku ishte, kush çka kishte bërë, kush sa kishte kontribuar, na dalin dy taborë të fuqishme, ai i organizimit (duke u shtyrë kush ishte i pari dhe si erdhi deri te ajo) dhe tabori tjetër në krye me Azem Vllsin, i cili asnjëherë nuk e mohoi qëndrimin e vet deri sot, se çka kishte menduar e vepruar kundër kësaj epoke të lavdishme të kombit. Pse mungon zëri i dëshmitarëve të kohës, pse mungon ndërgjegjja e organizatorëve, pse përpihet gjithë ai fudëllëk i Tij?! Mos vallë ua ka zënë bishtin me derë dhe i detyron të heshtin, madje njëri i persekutuari nga ai dhe banda e tij kriminale e rehabiliton dhe e ngrit në këshilltar të Kryeministrit, e të mos flasim për mendimet e tija të “arta” si analitik i politikës që na paraqitet në mediet e informimit.

Këto dy shembuj i morra për të penguar dhe pamundësuar të ndodhin gjithë këto për një epokë tjetër, atë të vitit 1997.

Demonstrata e 1 Tetorit të vitit 1997, është datë me peshë historike për dy arsye:

1. për rrënimin e mentalitetit heshtak dhe

2. që bëri të njohur robërinë klasike që mundohej Millosheviqi përmes Rugovës ta fshihte.

Kjo datë nuk lindi rastësisht, siç nuk kanë lindur rastësisht asnjë datë me përmasa kombëtare, por është dashur punë e përkushtuar dhe grupore, sepse pengoheshin nga dy taborë të fuqishëm, nga regjimi millosheviqjan dhe ai i politikës së mosveprimit rugovjan. Edhe për këtë datë kemi të tillë siç u përmendën më lartë, prandaj është koha të thuhet e vërteta.

Që nga bisedat për të bërë diçka, për të thyer heshtjen ndaj okupatorit e deri në ditën e demonstrimit, Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës do t’i dali në ndihëm dhe do të bashkëveproj Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar – UNIKOMB me të gjithë anëtarësinë. Pothuaj për dy muaj ishte një veprim ilegal në përgatitje, që nga zgjedhja e Kryeredaktorit të “Bota e re”, zgjedhjeve për udhëheqje të Unionit… e gjer te dalja publike në tubimin e mbajtur në shkallën e mesme “Alujdin”, ku edhe u lexua mesazhi nga autori i këtij shkrimi, i Profesor Ukshin Hotit, të cilin e kishte dërguar nga burgu për studentët, në mbështetje të organizimit të demonstratave, ndër tjerash i shkruan motrës Mirvete:

” Me tërë qenien u dëshirojë sukses. Më vjen keq që edhe fizikisht nuk ndodhem në mesin e tyre, por burgu është vend që përkthehet edhe si: Ndodhem me ta!”

I publikuar nga “Koha Ditore” me datë 31.10.1007

Kreu i Unionit… kishte biseduar me të gjithë subjektet politike, me të gjitha shoqatat, intelektualët e pavarur, me të gjitha organizatat joqeveritare dhe gjithkund kishte merë përgjigje, me përjashtime, se nuk ishin për një veprim të tillë, disa duke e kundërshtuar me këmbëngule mbajtjen e demonstratës, e disa duke kërkuar që të shtyhen për më vonë. Në selinë e UNIKOMBI: z. Bujar Dugolli, z. Muhamet Mavraj, z. Dritan Lajçi dhe z. Albin Kurti, me datën 29.09.1997 i bënë të ditur kryesisë së kësaj Partie për zhgënjimin e tyre. Kryesia e UNIKOMB- it i dha mbështetje inkurajuese dhe morri për sipër të kryente edhe detyra në shërbim të tyre. Po atë ditë UNIKOMB informoi tetëmbëdhjetë shtete e mekanizma ndërkombëtar si dhe disa media të informimit me peshë ndërkombëtare nga selia e vet, që mundësoi interesimin dhe akreditimin e shumë gazetarëve për të përcjell ngjarjet e 1 Tetorit. Ndërsa për opinionin e brendshëm e të jashtëm doli me komunikatë:

“Tendenca për shtyrje do të thotë minim

 

Kryesia e Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar, duke i shqyrtuar rrjedhat e fundit rreth përgatitjes të protestave të paralajmëruara të UPS-së të UP-së dhe divergjencave të paraqitura për momentin e fillimit të tyre, konstatoi se minimi i procesit nga kreu politik i Kosovës, e nga disa forca politike të cilat deri dje shqyenin gurmazin për domosdonë e mbajtjes së tyre, është mbase goditje më e madhe e vullnetit të popullit shqiptar, që nga veprimet qyqare të udhëheqjes së Kosovës, në vigjilje të ripushtimit të Kosovës (1989). Prononcimet e sotme se “asgjë nuk humbet nëse i shtyjmë protestat”, shëmbëllejnë aq shumë me klithmat e fazës së ndryshimeve kushtetuese të Serbisë…” dhe në fakt duan të thonë, që të mos protestohet kurrë.

Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar brengoset shumë që për rinin tonë po projektohet një ardhmëri e pasigurt, nga vet ata që kanë përgjegjësinë më të madhe për krijimin e konditave më të mira për shkollim, për dinjitet, për emancipim e për ardhmërinë e tyre.

Prononcimi kundër vullnetit të mirë të studentëve nga kreu i shtetit dhe për ironi i disa dekanëve të fakulteteve të UP- së, shëmbëllen aq shumë me pozicionimin e ish udhëheqjes moniste dhe të një pjese të mirë të intelegjencisë sonë  gjatë periudhës të vitit 1981”

 

Bujku, 30.09.1997

P.S.

Është e vetmja komunikatë e që është botuar në tërësi, duke menduar se 1 Tetori do të dështonte, e me te edhe politika e kësaj partie.

Qëllimi i këtij shkrimi është për t’ua përkujtuar udhëheqjes së UPS të UP dhe udhëheqjes së UNIKOMB, të asaj kohe, të cilët duhet, që të paktën në këtë pesëmbëdhjetë vjetor të thonë të vërtetën për gjithçka ndodhi rreth organizimit, mbajtjes dhe vazhdimit të mëtejmë të kësaj fryme, edhe pse deri sot kanë heshtur, e qëllimin e heshtjes e din ata, sepse historia duhet të shpjegohet ashtu siç ka ndodhur, e këtë privilegj e kanë të gjithë, vet faktit se aktorët kryesor janë të gjallë, nga të dyja palët.

____________________

Autori ka qenë zëvendëskrytar i Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar – UNIKOMB, të cilën parti e ka udhëhequr në mungesë të Profesor Ukshin Hotit deri më 02.04.2000

 

Prishtinë, 24.09.2012

 

Shkruan: Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu