Ngjela: Arrestimi i Nanos, Berisha donte të shkatërronte PS

0
583

Për të gjitha këto unë e dija se takimi dhe biseda me Rexhep Qosen nuk do të ishte aq e lehtë. Shpesh historia ka treguar se eruditët e mëdhenj nuk kanë mundësi që t’i analizojnë thellë lëvizjet e një politike imediate, sepse kultura e tyre aq e gjerë nuk i lejon që ta shohin çështjen në një sens pragmatik dhe vetëm imediat. Megjithatë, takimi me të ishte i domosdoshëm, pavarësisht sesi do të dilte. Prandaj, në orën 20.00 të asaj mbrëmje ne u takuam. Unë kisha vendosur të mos flisja, sepse e dija se edhe Imami, edhe Ceka ishin të vendosur që të nesërmen ne do të udhëtonim për në Beograd; madje i kishim marrë edhe biletat me linjën jugosllave JAT, e cila atëherë vinte rregullisht në Tiranë. Por biseda me Rexhep Qosen nuk ishte dhe aq e lehtë sa mendohej. Ai na dëgjoi me vëmendje për vizitën në Beograd, për axhendën dhe për takimet dhe menjëherë ndërhyri me një ton thuajse armiqësor. Ai ishte kategorikisht kundër, sepse e mendonte këtë lëvizje si të qe e gjitha në favor të Sllobodan Millosheviçit. Imami dhe Ceka e kundërshtuan lehtë.
Por Qosja nuk donte të reshtej aspak për këtë argument, sepse e shihte atë vizitë në një prizëm tjetër: ai e konsideronte Millosheviçin të izoluar, dhe një delegacion shqiptar me figura të spikatura të politikës së re shqiptare, do t’i jepte mundësi Millosheviçit të thoshte se me shqiptarët e Shqipërisë europiane, unë jam i hapur të bisedoj dhe bisedohet normalisht, sepse ata janë europianë. “Në një kohë, tha Qosja, kur i gjithë Perëndimi po kërkon që ta izolojë atë në këtë luftë të përgjakshme që po bën në Jugosllavi”.
Kjo ishte pikëpamja e Rexhep Qoses, e cila, ndonëse na lëkundi disi, nuk na frenoi dot, dhe ne, që të tre: Ceka, Imami dhe unë të nesërmen u nisëm me makinë për të mbërritur në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të merrnim një avion të linjës JAT, për të mbërritur në Beograd.
Fatos Nano
Berisha ndihej i goditur nga vetë elita formuese e Partisë Demokratike, por skeptrin për goditjen e një tipi pak a shumë populist po ia jepte Nanoja. Kjo po dukej se ishte arsyeja që ai e humbi ekuilibrin, dhe në pranverën e vitit 1993, e arrestoi Fatos Nanon për korrupsion, në lidhje me përvetësimin e ndihmave që, duke qenë kryeministër, i ishin mundësuar nga Italia si kontribut i qeverisë italiane për të ndihmuar në gjendjen e rëndë ekonomike të Shqipërisë.
Akuza e ngritur kundër Fatos Nanos ishte vërtet qesharake dhe të gjithë mbetën të shokuar kur e dëgjuan, por nuk kishin se çfarë të bënin sepse në të vërtetë ishte një përsëritje e makthit të kaluar bashkë me komunizmin e përmbysur.
Luftën me kryetarin e opozitës Fatos Nanon e kishte filluar që në vitin 1993, por, sidomos arrestimi i Fatos Nanos erdhi dhe u bë një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sidomos gjatë vitit 1994. Berisha kishte të dhëna nga brenda Partisë Socialiste se, arrestimi i Nanos, do ta reshtte Partinë Socialiste dhe do ta drejtonte në kufijtë e një partie opozitare josulmuese kundër qeverisë dhe Sali Berishës. Por i ndodhi e kundërta: Fatos Nano nuk u zëvendësua si kryetar i Partisë Socialiste, dhe kjo i dha menjëherë një tjetër trajtë luftës politike që socialistët filluan të bënin për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.
Ndërkohë Fatos Nano vijonte gjyqin e tij, dhe po ashtu edhe Ramiz Alia me anëtarët e tjerë të Byrosë Politike. Por ndërkohë ishin arrestuar edhe 5 liderët e shoqatës së etnisë greke në Shqipëri që quhej OMONIA. Nanoja u dënua në 11 maj me 12 vjet burg, dhe në 21 maj filloi gjyqi kundër Ramiz Alisë me një akuzë qesharake: abuzim me fondet për trajtimin e Byrosë Politike. Ishte një gjë e rëndë sidomos për persekucionin, por ishte edhe një akt që nuk kishte asnjë lidhje me historinë normale të një vendi.
Ishin bashkuar në një pikë të gjitha ndodhitë që shprehëm në vitin 1994: dënimi me burg i shefit të opozitës Fatos Nano, i cili tani ishte martirizuar dhe kërkohej nga një masë shumë e madhe njerëzish. Fajësia e tij nuk pranohej nga asnjë e drejtë penale moderne, sepse kurrë nuk mund të ketë vjedhje në grup pa bashkëpunim.
Nanoja akuzohej se kishte vjedhur në favor të një kompanie italiane për ndihmat humanitare që kishte sjellë në Shqipëri qeveria italiane. Kompaninë italiane e pati zgjedhur vetë qeveria italiane e jo Fatos Nano si kryeministër shqiptar. Se ku qëndronte vjedhja këtu nëse ndihmat nuk kishin mbërritur në Shqipëri, këtë e dinte vetëm një gjykatë komuniste shqiptare.

 

*Pjesë nga libri

 

Nga: Spartak Ngjela

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu