Ngritet aktakuza për vrasjen e Smilkovcit

0
537

Prokuroria Publike e Maqedonisë ka ngritur aktakuzën kundër gjashtë personave për rastin “Monstra” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Aktakuza ngarkon gjashtë shqiptarë nga Shkupi, të cilët akuzohen sipas prokurorisë se kanë kryer vrasjen e pesëfishtë më 12 prill të këtij viti në liqenin e Hekuranës pranë fshatit Smilkovc të Shkupit.

Dosja me akuzën e përgaditur i është drejtuar dje në mbrëmje Gjykatës Penale në Shkup, pas gjashtë muajve të hetimeve dhe në ditën e fundit të skadimit të afatit për kryerjen e hetimeve.

Prokuroria bëri të ditur se pas përfundimit të hetimeve ka dëshmi të mjaftueshme dhe të forta që i janë dorëzuar gjykatës përgjegjëse, dhe me të cilat do të tregohet se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprimet të përfshira në aktin e akuzës.

Prokuroria ngarkon për vepër terroriste pesë nga gjashtë të akuzuarit, të cilët siç paralajmërohet nëse do të shpallen fajtorë do të dënohen me burgim të përjetshëm. Ata janë Afrim Ismaili, Halil Demiri, që gjenden në arrati si dhe tre të paraburgosurit Agim Ismaili, Fejzi Aziri dhe Rami Sejdiu. Ndërsa i akuzuari i gjashtë sipas prokurorisë Haki Haziri, që më parë ishte dëshmitar i mbrojtur dhe më pas hoqi dorë, akuzohet për dhënien e ndihmës për kryerjen e veprës terroriste. Para se akuza të jetë e plotëfuqishme, pala mbrojtëse ka të drejtën e ankesës.

Të enjten, ekipe të hetuesve kanë kryer rekonstruimin e ngjarjes, ndërsa dy ditë më parë ishte dhënë edhe dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur të koduar E1. Sipas mediave maqedonase, dëshmitari i mbrojtur ka njohur vetëm fotografi, por ai nuk dihet se ka qartësuar se të dyshuarit a janë vrasësit ose jo.

Rasti “Monstra” ka nxitur edhe debate politike, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka apeluar për një proces gjyqësor dhe hetimor transparent dhe të bazuar në dëshmi dhe fakte relevante dhe autentike. (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu