Nis Kongresi i PDK-së pa Krasniqin dhe Hysenin, Thaçi pa kundërkandidat

0
708

Prishtinë, 26 janar – Ka nis solemnisht punimet në Prishtinë   Kongresi i Përgjithshëm i PDK-së, në të cilin nuk do të marrin pjesë disa nga figurat kryesore të partisë. Përveç nënkryetarit të parë, Fatmir Limaj, i cili ndodhet në burg, mospjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Jakup Krasniqi. Në kongres nuk do të marrë pjesë as Hydajet Hyseni derisa edhe anëtarë të tjerë të kryesisë kanë dilema nëse do të marrin pjesë. Analistët kanë deklaruar disa herë se ky  kongres mund të çojë deri tek çarja e madhe e partisë më të madhe në vend, transmeton KTV. Kryetari aktual Hashim Thaçi nuk ka kundër kandidat në garën për kryetar. Gjatë punimeve pritet të bëhen ndryshime në statut dhe në program. Një prej tyre, është edhe ndryshimi i emërtimit të Kongresit në Konventë Zgjedhore.

Kongresin e shpalli të hapur  nënkryetari i PDK-së dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe, siç tha ai, miqtë nga Shqipëria, nga Maqedonia nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi…

Në emër të LDK-së dhe të Isa Mustafës, Konventën Zgjedhore të PDK-së e ka përshëndetur Teuta Sahatçia, Gerti Bogdani ka përshëndetur në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të kryetarit të saj, Sali Berisha.

Ali Ahmeti ka përshëndetur në emër të BDI-së, Ilir Meta ka uruar në emër të LSI-së, Ragmi Mustafa ka përshëndetur në emër të Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kanë përshëndetur edhe përfaqësues të shqiptarëve të Malit të Zi, të Partisë Republikane të Shqipërisë etj.

Gjatë ditë është raportuar nga PDK-ja se të pranishëm në hapjen solemne të punimeve, do të jenë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, krerët e shumë partive në vend, kreu i PS-së, Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, e të tjerë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci kishte thënë  se shtyrje të Kongresit nuk ka mundur të ketë për shkak se vendimi ka qenë për 26 janar dhe ai duhet të respektohet, ndërkohë ka shprehur keqardhje për mungesën e Limajt, për të cilin ka thënë se gjithsesi është në mesin e PDK-së. Grabovci e vlerëson lart procesin zgjedhor në PDK.

“Përjashto ndonjë lëshim të vogël që absolutisht nuk ndikon fare, këtë proces e ka përcjellur një frymë e mirëfilltë demokratike, kemi pasur zgjedhje vërtetë demokratike, është bërë përpjekje që të respektohet vullneti i gjithë anëtarëve të PDK-së. U është lejuar hapësirë e mjaftueshme për të shprehur vullnetin e vet”, tha Grabovci.

Por, njësoj nuk mendon Albert Krasniqi nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).

“Kuvendi i fundit kur të përmbyllet dhe gara për kryetar është ajo që mund të shihet pjesa me e madhe e vlerësimit për garën e PDK-së, por deri tash kemi parë shumë raste kur kryetarët e degëve janë zgjedhur pa kundërkandidat, me aklamacione, kur mediat dhe vëzhguesit janë nxjerrë nga sallat e votimeve ku janë mbajtur, kështu që lenë shumë hapësirë për një demokraci shumë të ulët që kemi aktualisht në PDK”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Në Kongresin e PDK-së pritet të jenë rreth 700 delegatë, që është numri më i madh që ka pasur ndonjëherë në një proces zgjedhor partiak në vend.

Pjesë e kongresit do të jetë raporti i punës, raporti i institucioneve të vendit dhe raporti financiar. Do të ketë, po ashtu, propozime për ndryshime në statut dhe në program, për të cilat duhet të vendos kongresi.

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka mbajtur zgjedhje të rregullta që nga viti 2005, përderisa nga ai vit, herë pas here ka legjitimuar strukturat udhëheqëse përmes kuvendeve të jashtëzakonshme, sa për të plotësuar anën formale të ligjit.

Konvendtën zgjedhore të PDK-së, në ditën e parë të punimeve e ka transmetuar drejtpërdrejt Radiotelevizioni publik i Kosovës (RTK).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu