Nisen “trimat” për gyrbet

0
686

(E plotësuar) Për ta vizituar tokën e premtuar (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) zyrtarët e institucioneve kosovare, as nuk e çajnë kokën për shpenzime. Një delegacion prej më shumë se 23 zyrtarësh që do të marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju-Jork, do t’i kushtojë buxhetit të varfër të Kosovës, hiq më pak se 100 mijë euro.

Këtij delegoni do t’i prijë presidentja, Atifete Jahjaga, e cila kësaj radhe do t’ia tregojë Amerikën edhe bashkëshortit, Astrit Kuçi. Po ashtu, presidentja Jahjaga është kujdesur që me vete ta marrë edhe fotografin e saj personal Florent Rrahmanin.

Presidentja po ashtu me vete do t’i marrë edhe dy këshilltaret politikë, Ramush Tahirin dhe Arbër Vllahiun.

Ndërkaq, për sigurinë e presidentes në Amerikë do të kujdeset Islam Haliti, i cili është kuadër i Njësisë për Mbrojtjen e afërt në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Së bashku me presidenten, në ketë shtet do të udhëtojë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Burime të besueshme të gazetës thonë se në Amerikë kryeministri Hashim Thaçi dotë marrë me vete edhe pesë bashkëpunëtorë të tij.

Edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli nuk do të shkojë i vetëm në selinë e OKB-së. Ai do të jetë i shoqëruar nga këshilltari dhe truproja i tij personal.

Po ashtu, në Amerikë kanë udhëtuar edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, së bashku me këshilltarin e saj Bernard Nikajn, si dhe me Valdrin Llukën, i cili është drejtor për promovimin e investimeve në këtë ministri.

Delegacionit po ashtu do t’i bashkëngjitet edhe ministra e Integrimeve, Vlora Çitaku, me një këshilltar si dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Së bashku me ministrin Hoxhaj në Amerikë do të udhëtojnë edhe dy bashkëpunëtorë të tij.

Në anën tjetër, zëdhënësi i presidencës Arber Vllahiu konfirmon se presidentja deri në fund të javës do të jetë në Nju-Jork.

Ai tha se presidentja e Republikës së Kosovës dhe bashkëshorti i saj do të marrin pjesë në pritjen te presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, konfirmon se ajo së bashku më një këshilltar të saj do të udhëtojnë për në SHBA, për të marrë pjesë në takimet që do të mbahen në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nu-Jork.

Po ashtu, udhëtimin për në Nju-Jork e ka konfirmuar edhe ministra e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” thonë se vizita e një zyrtari kosovar në Amerikë buxhetit të Kosovës i kushton rreth katër mijë euro.

Sipas këtij, burimi në këtë shumë hyjnë bileta e avionit, ushqimi, dhe qëndrimi në hotel.

“Shpenzimet bëhen varësisht prej nivelit të delegacionit, por minimumi i shpenzimeve është 4000 mijë euro për një zyrtar. Por, kjo shumë mund të shkojë edhe deri në 8 mijë euro”, tha burimi i besueshëm i gazetës.

Po ashtu edhe zyrtarë të avio-kompanive në Kosovë, thonë se çmimi i një bilete për të udhëtuar dhe kthyer nga Nju-Jork kushton rreth 1000 euro. Por, ky çmim nuk është fiks, ai ndryshon varësisht prej kohës kur udhëton, kohës kur kthehesh në Kosovë.

Po ashtu edhe çmimet e hoteleve në Nju-Jork sillen nga 300 deri në 1000 dollarë për një natë.

Në hotelin “Ascend Collection Hotel”, i cili ka katër yje, një natë qëndrimi kushton 319 dollarë.

Në hotelin “Pennsylvania” i cili ka tre yje, një natë 441 dollarë, ndërkaq në hotelin “The Waldorf Astoria”, i cili ka pesë yje, një natë qëndrimi kushton 1.015 dollarë.

Për dallim nga Nju-Jork, në Uashington çmimet e hoteleve janë pak më të lira.

Për një natë qëndrimi në hotel “Uashington Plaza”, i cili ka tre yje, duhet të paguash 221 dollarë.

Po ashtu, edhe në hotelin “Embassy Suites Uashington Convention Center”, i cili ka katër yje një natë kushton 387 dollarë.

Ndërkaq, në hotelin “The St. Regis Uashington, D.C.” i cili ka pese yje një natë qëndrimi kushton 752 dollarë.

Numri i pjesëmarrëseve

Atifete Jahjaga 6

Hashim Thaçi 6

Behgjet Pacolli 3

Mimoza Kusari 3

Enver Hoxhaj 3

Vlora Çitaku 2

 

Enis Veliu & Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu