Nishani bllokon dy dokumente të ushtrisë

0
727

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, shprehet se, “presidenti po na pengon”. Nishani nuk firmos Planin e Përhapjes së FA dhe Strukturën e re të FA

“Lufta e ftohtë” mes presidentit dhe qeverisë ka përfshirë edhe ushtrinë. U duk sikur gjithçka shkoi e qetë dje, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare (KSK), por ja se çfarë po ndodh. Surpriza “Basha” në këtë mbledhje me dyer të mbyllura nuk ishte e vetmja. Nishani, ashtu siç ka vepruar edhe me ambasadorët, ka bllokuar duke mos i firmosur, dokumentet strategjike të hartuara nga Ministria e Mbrojtjes, pa të cilat nuk ka vlerë Strategjia e Mbrojtjes.

Nishani njeh vetëm shkresat e Berishës…

Para dy vjetësh gazeta “Shekulli” denoncoi aferat korruptive dhe interesat private që fshihte Plani i ri i Përhapjes i Forcave të Armatosura (FA) dhe Struktura e re e FA. Synoheshin tjetërsimi i pronave dhe bazave ushtarake dhe realizimi i interesave personale të ishministrit të Mbrojtjes, Arben Imamit dhe të disa gjeneralëve të akuzuar për korrupsion edhe nga raportet e Ambasadës Amerikane të publikuara nga “Wikileaks”. Plani i Përhapjes nuk   u miratua edhe nga një pjesë e ushtarakëve, të cilët Imami më pas i liroi. Ish- Presidenti Topi i ka firmosur këto akte, megjithëse nuk kaluan rrugën ligjore të miratimit sipas hierarkive. Në këto kushte, por edhe në bazë të Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes (hartuar më 2013 nga qeveria “Berisha” me insistimin e NATO-s), u ribënë këto dy dokumente.

Por, Presidenti Nishani, duket se njeh vetëm shkresat e Berishës. Ai i mban në sirtar dhe nuk i firmos dy dokumentet e dërguara nga ministrja Kodheli. “Fakti që ne kemi çuar pranë presidentit Strukturën e FA dhe Planin e Përhapjes ose planin e vendosjes së FA dhe prej më shumë se sa një muaj nuk kemi marrë përgjigje, megjithëse jemi rikthyer disa herë kërkesave edhe të panevojshme teknike nga institucioni i presidentit, na bëjnë të besojmë që kjo është një procedurë e cila kërkon të pengohet nga presidenca, i cili në rastin më të mirë është vetëm miratues i asaj çka Ministria e Mbrojtjes dhe Kryeministri propozojnë pranë institucionit të Presidentit”, kështu shprehet Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pas   mbledhjes së KSK-së. Duket se plani i ri i përhapjes prish planet turistike për privatizimin e bazës së Bishtpallës dhe pikave të tjera strategjike të bregdetit, nga njerëzit e Berishës dhe të Imamit, prandaj presidenti ndodhet në llogoren e tij bllokuese.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare (SSK)

Presidenti Nishani në fjalimin e tij u mundua ta paraqiste gjithçka si një vazhdim të asaj që kryer kryeministri Berisha. Në fakt, kjo ishte një iniciativë e qeverisë së majtë. Më 2 dhjetor Kryeministri Edi Rama urdhëroi ngritjen e grupit të punës për një strategji të re kombëtare, kurse Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dje ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Duke shfrytëzuar hapësirën ligjore, ai ka vendosur në një tryezë me Ramën edhe kreun e PD-së. “Në funksion të zgjerimit të audiencës tradicionale kam ftuar kryetarin e opozitës, zotin Lulzim Basha. E falënderoj me këtë rast Bashën dhe i them se e mirëpres kontributin e tij në çështjet e sigurisë kombëtare”, tha Nishani. Kjo iniciativë vjen pas dhjetë vjetësh, kur u hartua dokumenti strategjik nga Qeveria “Nano”. SSK-ja do të përfshijë: “Mirëfunksionimin e Forcave të Armatosura, ruajtjen e Rendit, Shërbimit Informativ, masat për ruajtjen nga terrorizmi, luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, ruajtjen e kufijve të vendit, paprekshmërinë tokësore   dhe kombëtare, kujdesin për ekonominë në përgjithësi, si dhe kujdesin për ruajtjen e burimeve energjetike, bizneseve strategjike, monedhën, shëndetin e shtetasve”.

Në seancën me dyer të mbyllura referuan dy ministra të kabinetit qeveritar. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dikasteri i të cilit drejton procesin e hartimit të SSK-së, është fokusuar tek metodologjia që do të ndiqet, afatet dhe detyrat konkrete të çdo institucioni. Ministrja e Mbrojtjes mësohet se, ka referuar mbi zhvillimin e reformës bazuar në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes 2013, planin e zbatimit, paketën ligjore, çështjen e ristrukturimit të Forcave të Armatosura dhe menaxhimin e problemeve sociale të reformës.. Ndërsa në pjesën e lirë të diskutimit, ka qenë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që ka marrë fjalën duke përshëndetur dhe mbështetur hartimin e Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare. Gjithashtu ka folur edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Jeronim Bazo. Mbledhja nuk u shoqërua me debate, por u zhvillua tepër e qetë ku çdonjëri prej pjesëmarrësve dha pikëpamjet e tij mbi temën. Mbledhja ishte e hapur për mediat vetëm me fjalën e Nishanit dhe më pas u vijua diskutimi me dyer të mbyllura për rreth 1 orë e 10 minuta.

Reforma, deri në 2015-ën, 8500 vetë

Numri i personelit do të ketë një reduktim gradual nga 10,190 në fillim të vitit 2013 në rreth 9,000 në vitin 2014, duke pasur si objektiv arritjen e numrit 8500 vetë në fund të vitit 2015. Ky numër presupozohet të mbetet konstant deri në vitin 2020. Sa i përket shpenzimeve për operacionet dhe mirëmbajtjen, ato do të kapin vlerën 3,394 milionë lekë (25.5%) në   vitin 2013 deri në 4,445 milionë lekë (28.6%) në vitin 2020. Sipas ministrisë, rritja e operacionalitetit ushtri do të synojë të jetë në proporcion të drejtë me modernizimin e pajisjeve dhe teknologjisë që parashikohet të futet gjatë kësaj periudhe. Sa i përket shpenzimeve për investimet, do të jenë nga 3,242 milionë lekë në vitin 2013 deri në 3,853 milionë lekë në vitin 2020.

Kur merrte pjesë Serbo-Boshnjaku Damir Fazlliç

Biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Fazlliç është fotografuar në mars 2006, në krah të Tom Ridge, i kontraktuar si këshilltar i Qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Sali Berisha për çështje të sigurisë. Aty ndodheshin ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Shefi i Shtabit i Ushtrisë, Kreu i SHISH, etj.

Shkurtimet në ushtri, ja porositë e Presidentit

Pasi e ka përgëzuar ministren Kodheli për punën që po bëhet për reformën në FA, Komandanti i Përgjithshëm, Bujar Nishani, ka kaluar në kundërshtimet e tij që fshihen mes 8 pikave. Tehu politik i presidentit prek ndjeshmërinë e njerëzve ndaj reformës që pritet të shkurtojë rreth 1700 ushtarakë. Pasi ka “zbuluar” në fjalimin e tij se, ushtria do të zvogëlojë personelin në 8500 vetë, ai ka bërë thirrje që të ngrihen rrogat e ushtrisë, ashtu siç u veprua me policinë.

Shkurtimet në ushtri i ka konfirmuar edhe ministrja Kodheli, e cila duke folur për median pas mbledhjes u shpreh se, “Ne duhet të kemi një forcë që të jetë më e strukturuar, më e vogël në numër, por më profesionale. Ajo do të jetë më e mirëpajisur dhe e gatshme për t’iu përgjigjur, qoftë detyrave të saj kushtetuese apo ligjore, siç është mbrojtja e integritetit apo mbrojtja dhe siguria e qytetarëve të saj, por pse jo, mbrojtjes së sigurisë në rajon edhe më gjerë, pjesëmarrjes në të gjitha operacionet e NATO-s, të cilat na kërkohen”

Tetë pikat e Nishanit

Presidenti e përmblodhi mendimin e tij në 8 pika, nga të cilat një pjesë miratonin si të drejtë reformën “Kodheli”, por kundërshtimet e tij kishin të bënin me shkurtimet dhe reduktimin e buxhetit për ushtrinë. “Jam vënë në dijeni, se mbështetja financiare e FASH pas anëtarësimit   të Shqipërisë në Aleancë, ka pësuar një rënie në kuadrin e vështirësive financiare. Kërkohet që kjo mbështetje financiare të rritet në mënyrë graduale, përndryshe vihen në rrezik arritja e objektivave të RSM-2013”, deklaroi Nishani.

Duke folur për strukturën e re të paraqitur nga ministrja Kodheli, Presidenti Nishani u shpreh: “Gjykoj që struktura e re e FA të mos konsiderohet vetëm si një shkurtim numrash për të kaluar në 8500 vetë në vitin 2015, por në radhë të parë ajo duhet të adresojë organizimin më të përshtatshëm të kapaciteteve operacionale të nevojshme për përmbushjen më cilësore të misionit”. Ndërkaq, presidenti ka këshilluar që të konsiderohet përdorimi i personelit aktiv që del në rezervë.

Problemet sociale nga shkurtimi i ushtarakëve

Presidenti Nishani nënvizoi menaxhimin me kujdes të çështjeve sociale të reformës se mbrojtjes. “Zbatimi i ligjeve në fuqi për personelin ushtarak dhe civil që del në reformë, është një element social që duhet të shoqërojë reformën e mbrojtjes.

Ministrja e Mbrojtjes informoi për masat e marra që reformat të kenë sa më pak efekte sociale”- deklaroi Nishani. “Rasti i trajtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, sipas Presidentit Nishani, mund të shërbejë si shembull për të vlerësuar mundësitë e trajtimit edhe të personelit të FA”.

 

Nga: Zamir Alushi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu