Nismat dhe lëvizjet e reja politike në Maqedoni

0
759

Levizjet ne Maqedoni

Trendi i promovimit të këtyre partive dhe lëvizjeve të reja po vijon me stilin e njejtë paralajmërues, fillimisht duke tentuar dominimin e hapësirës mediatike.

Gjitha këto lëvizje, parti dhe nismat të ndryshme kanë pasur histori të ndryshme, duke përfunduar jetëshkurtër, duke u përçarë dhe djegur nga aleancat dhe koalicionet e gabuara apo edhe duke përfunduar në krahët e dy partive më të mëdha BDI dhe PDSH.

Por, tani mund të ndodhë befasia që lëvizjet e reja politike të mund të etablohen fuqishëm në skenën politike, pasi që elektorati ndoshta përfundisht do të divorcohet nga partitë më të mëdha BDI dhe PDSH.

Por cilat janë dy lëvizjet më aktive? Një lëvizje aktive së fundi është e kryetarit të Strugës, Ziadin Sela, e njohur si lëvizja për reformimin e PDSH, e cila synon dhe pretendon se ajo është PDSH-ja e vërtetë, duke përgaditur një kongres partiak brenda një periudhe të shkurtër.

Ndërsa si lëvizje e dytë është paralajmëruar lëvizja ‘Besa’, që nuk ka publikuar akoma plaftormën se si do të trajtojë çështjen kombëtare ekskluzivisht për shqiptarët në Maqedoni, apo duke anuar paksa edhe në frymën e konceptit qytetar.

Janë shumë dilema, paqartësi dhe të panjohura që akoma nuk kanë nxjerrë të vërtetën se cili do të jetë misioni politik i këtyre formacioneve të paralajmëruara politike. Analistët japin mendimet dhe vlerësimet e tyre mbi këtë temë, me vlerësimet dhe parashikimet e tyre.

Analisti dhe publicisti Nijazi Muhamedi thekson se janë dy nisma pak si të ndara,ndaj edhe pritshmëria e tyre duhet shikuar  ndryshe tek njëra,ndryshe tek tjetra,së paku në këtë fazë të zhdrivillimit të tyre.

”Ka edhe një faktor kufizues në këtë fazë që vlerësuesin e këtyre lëvizjeve e bën të jetë më i përmbajtur:se tek të dyja nismat, të cilat po ashtu dallojnë edhe për nga nismëtarët. Tek e para ‘reformatorja’ e Selës kemi një figurë politike  me performansa të vijëzuara që mund të valorizohen për dobi të politikës, por  ende përsillet në konfuzion të panevojshëm rreth ‘projektit’ që pretendon ta bartë,i cili dihet që s’është i tij. Vonesa e daljes së tij nga ky konfuzion,aq sa i njohim proceset politike dhe përvojat,mund të ndodhë që t’i sjellë dështim.
Nisma e re e cila u paralajmërua këto ditë,  mbetet tash për tash të vlerësohet vetëm për aq sa kanë thënë vetë ata. Se pretendon të jetë ndryshe në bërjen e politikës, se ka një kauzë të dimensionuar në vijën kombëtariste, po këto janë prononcimet e tyre që tash kushtimisht mund të merren në konsideratë. Por,pa  e nxjerrë atë kauzë në shesh të politikës bartësit e saj, pa e lexuar ngjeshëm, nuk do të ishte serioze vlerësimi apriori i saj”, theksoi Nijazi Muhamedi.

Publicisti dhe analisti Xhemal Ahmeti thekson për INA se e njeh zhvillimin e lëvizjes së Selës e cila po pretendon se do të bëj diçka në politikë, ndërsa lidhur me lëzivjen e paralajmëruar “Besa” thekson se edhe iniciuesit e saj janë njerëz të njohur.

“Nuk dua të ndalem shumë tek lëvizjet e Selës, por dua të merrem këtë nismën e re të paralajmëruar. Mund të them se iniciatorët e partisë më të re «Besa» duket të jenë njerëz të Shtëpisë Botuese «Logos» dhe revistës «Shenja». Dy qarqe të përkushtuara për epifaktorizimin e doktrinës islame si orientim, zgjidhje dhe strategji shpëtimi të shoqërisë. Nëse i përjashtojmë autorët e revistës së tyre, aktivistët e saj, të cilët u kanë dalë herë pas here në përkrahje publikisht lëvizjeve ekstreme në Kosovë e Shqipëri mund të themi se edhe grupe të tilla kanë vend brenda diversitetit të shoqërive shqiptare. Mirëpo mobilizimi i tyre për të formuar një parti politike më duket si fazë finale e një grupi mendjemadh që do ta ketë bindur veten se tash e ka radhën ta pushtoj politikën. E kur një grup i tillë ia mësynë politikës, pavarësisht programit dhe emrit të «firmës» agjenda e tij është që doktrinën mbi të cilën operon t’ia imponojë shoqërisë si sistem”, thekson Ahmeti.

Sipas tij, nga reagimet e para dhe sipërfaqësore u pa madje se emërimi i partisë si «Besa» u morr si provokim që mëton të degradojë një sumarium kodesh kanunore specifike shqiptare për interesa manupilimi për ta etabluar veten edhe si shqiptare.

“Mirëpo problemi ashpërsohet edhe më shumë dhe më rëndë kur botërisht dihet se organizatat që kanë iniciuar aksionin e krijimit të partisë financohen nga «Shoqata humanitaro-fetare» turke e arabe, të cilat parimisht kanë pushtimin e sferave kulturore shqiptare për interesa ekspansioni politik. Pra kemi të bëjmë me njerëz që janë satelit projektesh politike shtetesh e lëvizjesh me një synim të qartë: që nëpërmjet instrumentalizimit të islamit (çka tjetër do t’i lidhte edhe sot ata pjesë me shqiptarët) të shtrijnë dominimin e tyre politokulturor në pjesë tjera të botës. Me një fjalë të pushtojnë botën konform dinamikës imperiale, ekspansioniste. Do t’ia dalin? Jo. Do të ndodh edhe më keq se me simotrat e saja LISBA e të ngjashme hartës shqiptare. Edhe më keq sepse mediat dhe opinioni janë ngopur me «provokime» të tilla dhe do t’i fusinnë arkën e mospërfilljes. A mund të bëjn dëm? Shumë”, thekson publicisti Ahmeti.

Sipas tij, shqiptarëve në Maqedoni iu duhet një lëvizje e re, siç nënvizon “një e tillë e përqëndruar në interesat e masës që përfaqëson e që nuk mendon se janë në një shtet të huaj, mirëpo jo kjo. Jo këta me këto hipotek e këto lidhje të dyshimta”.

Politikani Zydi Xhelili thekson se është koha e fundit që në skenë të dalë një subjekt i ri politik, që do të ofronte alternativë plotësuese  për të avancua pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

“Një hap para për të bërë konkurrencë të mirëfilltë është Iniciativa per Reforma e Ziadin Selës, sepse është në kontakte të perditshme me struktura te gatshme dhe të verifikuara partiake. Sa i përket Lëvizjes ‘Besa’ nuk kam shumë njohuri kush janë bartësit, çfarë do të ofrojnë të re në skenën politike dhe me çfarë potenciali njerëzor posedojnë. Sidoqoftë është mirë të pasurohet skena politike që të rritet cilësia dhe të jenë në dobi të qytetarëve shqiptarë në këtë vend”, theksoi Xhelili.

Historiani dhe publicist Arben Llalla mendon se çdo iniciaticë e re politike është e mirseardhur në fushën e partive politike, duke nënvizuar edhe lëvizjen “Besa”.

“Sa i përket Besoj se nuk është ende Lëvizje që të quhet e tillë, këtë e them në aspektin juridik sepse si ka ende shenjat e Lëvizjes. Shpresojmë që është diçka serioze dhe që nuk kanë dalë për tu bërë hije të tjerëve, por për ti bërë rreze dielli. Kam frikë vetëm tek fjala BESA, të cilën nuk duhet ta keqpërdorin sepse është fjalë e madhe mbarë Kombëtare. Me fjalën BESË identifikohen shqiptarët në mbarë botën”, nënvizon historiani Llalla.

Së fundi media të ndryshme në Maqedoni kanë nxitur debatin lidhur me daljen në skenë të nismave të reja politike.  /Ina/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu