Një biçim *njoftim!

0
808

“Kryeministri Thaçi ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Austri, ku do të pritet nga homologu i tij, kancelari austriak, Werner Faymann, me të cilin do të diskutojë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për mbështetjen e Austrisë për përshpejtimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Kryeministri Thaçi do të paraqitet me një fjalë rasti edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku do të prezantojë të arriturat e institucioneve të Kosovës, si dhe do të zhvillojë takime të shumta me kryeministra, presidentë dhe personalitete tjera nga fusha e politikës dhe ekonomisë, ku temë bosht do të jetë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe perspektiva evropiane e Kosovës”. Ky ishte lajmi i ditës së djeshme.

E di, e di, citat i gjatë, tmerrësisht i gjatë, për ta dhënë të tërin këtu. Por ja që prapa çdo fjale të shënuar dhe lëshuar në media nga “Zyra e Kryeministrit” fshihet… një joprofesionalizëm dhe tentim për mashtrim që s’ia gjen shoqin askund në Evropë. Pos ndër shqiptarë- dhe atë jo veç të Prishtinës, por edhe sivëllezërve në Tiranë…

Të shkojmë me radhë. Që janë si janë e dëshmoi edhe më tepër se skandali i Atifete

Jahjagës. Shkuarja e saj në një tubim partiak në të cilin nëse i mrekulloi ata që ishin aty të pranishëm… ne tjerëve, vdektarëve të zakonshëm jo veç që na e shpifi, por për t’ia vënë kapakun kësaj pune duhet ta themi: jo. Diç të tillë, që një presidente të urojë e përgëzojë parti (të mëdha e të vogla qofshin ato) nuk ngjet askund, ama bash askund në botën demokratike.

E kemi të qartë: kjo grua edhe ashtu nuk është zgjedhur demokratikisht, por përmes një simulim marrëveshjeje zarfash. Por, minitragjikomedia tek Jahjaga është se ajo është e rrethuar me një “ekip” njerëzish që vijnë nga sfera(t) e gazetarisë e shoqërisë civile, dikur neutralitetit dhe seriozitetit… që duket të kenë qenë vetëm përralla të thata. Ëndërra të këqia. Më e keqja në këtë mes është ajo krekosje e këshilltarit të saj që “do ta bënte” sërish. Epo le ta bëjë. Ia pafshin hajrin!

Të kthehemi te vizita e Thaçit në Vjenë. T’i gëzohemi që më në fund Thaçi po del pak nëpër Europë dhe atë në një vend më tepër se të rëndësishëm siç është Austria? Natyrisht- dhe atë tepër! Por, ja që krejt ajo komunikatë e cituar më sipër është një… mishmash i qëllimshëm, i cili për detyrë nuk ka gjë tjetër pos që thjesht ta mashtrojë, po pra ta mashtrojë, opinionin që izolimi i tij dhe krejt kabinetit që udhëheq dalëngadalë, por sigurt po u hapen dyert e bashkëpunimit dhe parajsës. Quatsch!

Po qe se shohim programin e Forumit Ekonomik të Vjenës (http://www.vienna-economic-Forum.com/fileadmin/uploads/galerie/VET_Kosovo_in_Vienna/Kosovo_final.pdf) del që aty pos Thaçit do të jenë edhe rreth 80 për qind e bartësve të institucioneve apo edhe bizneseve nga Kosova. Nga qeveria austriake në programin zyrtar del që do flasë një nëpunëse e ADA (ata pra që na japin ndihma ende) dhe askush tjetër kurse ky forumi dihet që është një prej shumë “shtyllave” që Erhard Busek i organizon në aktivitetet e tij gjysmëprivate.

Pyetja që shtrohet është: ku mbetën krejt ata “kryeministra, presidentë dhe personalitete” që Thaçi po i takuaka në Vjenë!? Askund, sepse nuk do t’i takojë. Prandaj ata që ia kanë shkruar këtë biçim njoftimi për shtyp, o janë ca idiotë ose duan që neve të na bëjnë idiotë. Pos kësaj, edhe pjesa tjetër e këtij margaritari prej njoftimi është edhe vizita “zyrtare” dhe takimi me kancelarin austriak.

Edhe këtu duhet të kemi dyshime të theksuara nëse kjo vizitë e Thaçit është “zyrtare” dhe takimi me kancelarin Faymann do të jenë zyrtare. Së paku zyra për shtyp e zyrës së kancelarit në Vjenë (ende) nuk na tregon asgjë, ama bash asgjë për këtë vizitë “zyrtare” (http://www.bka.gv.at/site/3388/default.aspx). Hm. Si t’ia bëjmë tashti? Epo ta vazhdojmë diskutimin për shamijat, fenë, kombin, gjuhën gege e toske… e çkado tjetër që ka të bëjë me neve, për neve dhe është thellësisht e ngulitur në kokat dhe shpirtrat tanë!

Shefat i kemi në Vjenë. Në vizita “zyrtare” ku do të prezantohen “të arriturat” e institucioneve të Kosovës. Vetëm edhe presidentja Jahjaga po na mungon atje. Me siguri do ta kishte shkruar dhe më pas edhe mbajtur një fjalim për “lidhjet historike e shekullore mes popullit austriak dhe atij shqiptar”. Ndoshta s’prish punë- se do ta bëjnë këta tjerët për të. Dhe do ta dëgjojnë e aplaudojnë njëri-tjetrin.

*Një farë, një gjë e papërcaktuar mirë, një lloj me të cilin ngjet pak a shumë diçka.

 

Nga: Beqë Cufaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu