Një epokë e pasqyruar me dëshmi të pazakonta

0
1209

Zarf filatelik me pulla të Nënë Tërezes

I. Propaganda si mikrokozmí semiotike
Me zërin “pullë postare”, të gjithë fjalorët shpjegues, cilësojnë thuajse të njëjtën gjë: “një copë të vogël prej letre, që vendoset mbi objektin që postojmë, si dëshmi e pagesës së kryer kundrejt shërbimin postar.” Në të vërtetë pulla postare ka dëshmuar se është shumë më shumë se aq, sidomos në lidhje me propagandën ideologjike.
Si pjesë e luftës psikologjike, propaganda në vetvete shfaqet si një formë komunikimi e përdorur gjerësisht prej të gjithë sistemeve dhe formave politike, qofshin ato të majta apo të djathta, ekstreme apo të ekuilibruara.
Gjatë Luftës së Dytë botërore pulla postare u përdor si një mjet i mirëfilltë i makinës propagandistike në të dy anët e blloqeve të përfshira në luftë, qofshin ato të demokracive liberale perëndimore (Shtetet e Bashkuara, Britani) qofshin të totalitarizmit të djathtë (Gjermani, Itali) ashtu edhe mes vendeve të Europës lindore, qendrore dhe jug-perëndimore, ku më pas do të vinin në pushtet demokracitë popullore (Rusi, Hungari, Bullgari, Çeki, Poloni, Jugosllavi etj, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
Pas përfundimit të kësaj lufte, dhe sidomos me fillimin e Luftës së Ftohtë, pullat postare të përdorura për qëllime ideologjike, thuajse dalin krejtësisht nga fusha e përdorimit të botës perëndimore, për të mbetur pjesë e përveçme repertorit propagandistik të Lindjes komuniste.
Pavarësisht formatit miniaturë, forca e mesazhit ideologjik, përcjellë përmes pullave postare, qëndronte tek tirazhi i lartë, qarkullimi i mesazhit të detyruar- “monopol shtetëror” dhe ekspozimi ndaj përdoruesit. Këto tipare kanë bërë që shërbimi i pullave postare të jetë nga më të ekspozuarit ndaj ideologjisë dhe propagandës, sa të krahasohet me furinë e stuhisë së karkalecave të përmendur në kapitullin 10 të Eksodit në Bibël, duke rivalizuar në ndikim propagandistik edhe ndaj librit, revistave, monedhave, kartëmonedhave, radios, edicionet të lajmeve, televizionit, teatrove, parullave statike dhe të lëvizshme të emulacionit, fasadave të pallateve, oxhakët e fabrikave, shpatet e maleve, apo kinemaja.
Në realizimin e propagandës ideologjie, fjala nuk zë vend më të privilegjuar se sa mjetet vizive. Në shtetet ku propaganda u bë instrument i shprehjes së totalitarizmit, pullat postare, si një ars combinatoria i fjalës dhe imazhit, paraqiten si shembulli tipik i zbatimit të artit të bindjes që u vu në shërbim të retorikës vizive. Përmes pullave të postës apo “shërbimit filatelik” – i cili mund të përfillet përkrah shërbimeve inteligjente – historia ka ofruar shembuj kur pushteti, pavarësisht nga forma e regjimit, realizon qëllimin për të ushqyer shtetasit me idetë e parafabrikuara të “konsensusit të opinionit publik”, siç e cilësojnë Edëard S. Herman dhe Noam Chomsky në tekstin e tyre Manufacturing Consent”, (Pantheon Books, 1988) dhe siç është shfaqur gjatë Luftës së Dytë Botërore e në vijim me Luftën e Ftohtë.
Pullat postare shqiptare, sidomos ato të emetuara pas vitit 1946, shfaqen haptas si mesazhe ideologjike krijuar në formate miniature. Por formati miniaturë nuk e pengoi modelin të vihet në shërbim të propagandës, për të shumëfishuar dhe përhapur mini-tekste dhe mini-imazhe me vlere të shumëfishtë semiotike, ku mesazhi viziv, në mënyrë të kodifikuar dhe me gjuhën e ikonografisë politike, ndërthuret me mesazhin tekstual.
Pikërisht nën këtë këndvështrim, përfshirja edhe e pullave postare në fondin e arteve qëllimore, që gjetën përhapje dhe luajtën rol në tejçimin e propagandës përmes angazhimit artistik, tërheq vëmendje jo thjesht si kërshëri, por edhe si pjesë e vëmendjes së munguar të dijeve albanologjike të interesuara për t’u dhënë përgjigje pyetjeve mbi vlerën, vendin dhe qëndrimin që mund apo duhet të mbajmë sot me këtë pjesë të trashëgimisë artistike, që dikur mbulohej nga vëmendja zyrtare, ndërsa sot shpërfillet nga mosvëmendja akademike.

50 vjetori i pullës postare të parë shqiptare (1963)

II. Filatelia dhe disiplinat albanologjike
Ndonëse pak e studiuar me vëmendjen që meriton, seritë dhe emisionet e pullave postare shqiptare gjatë viteve 1946 – 1991, mund t’u interesojnë në mënyrë të përveçme edhe dijeve, disiplinave dhe nëndisiplinave albanologjike. Veç studimeve me karakter të përgjithshëm teorik, tek ato mund të vërehen elementë të historisë së shtetit; emërtesat dhe format e cilësimit të qeverisjes – si p.sh., Qeveria Demokratike e Shqipërisë (1945) Republika Popullore e Shqipërisë (viti 1946 e në vijim), apo Republikë Popullore Socialiste (nga viti 1978 deri më 1992).
Përmes pullave postare shkenca albanologjike mund të kryejë vëzhgime mbi një pjesë të historisë së artit shqiptar dhe lëvizjeve artistike shqiptare, ekspozuar përmes formës së tyre në miniaturë.
Prej aty mund të hetojmë edhe çështje të tjera me karakter juridik, si ajo e respektimit apo jo të së drejtës së autorit, marrëdhënien e së drejtës mbi veprën e artit, qoftë kur ajo respektohej me shënimin e emrit të autorit mbi veprën e shndërruar në pullë poste, qoftë kur vepra trajtohej si pronësi publike dhe emri i autorit kthehej në anonimat.
Përmes pullave postare historianët e sportit shqiptar mund të vërejnë fakte të imta, si p.sh ai që paraqitet në emisionin e vitit 1964, ku në një pullë postare shfaqen simbole dhe ikona të boksit (një boksier dhe një dorezë boksi), ndërkohë që ushtrimi i këtij sporti dhe veprimtaritë e tij në Shqipëri u ndërprenë në vitin 1963, duke e ndëshkuar me cilësimin “sport i dëmshëm”, “sport borgjez”.
Por në pullat postare shkenca albanologjike mund të ndeshë edhe mjaft çështje të karakterit mirëfilli filologjik. Përmes tyre gjejmë rast të vëzhgojmë edhe elemente mbi rrugën, formën dhe kohën e vendosjes së normës letrare; format e shmangieve dhe luhatjeve drejtshkrimore; dubletat apo bashkëjetesën e formave dialektore në gjuhën shqipe; çështje të drejtshkrimit si shkurtesat, shkrimi i numrave, emrave apo termave të huazuar etj.
Fakte interesante, që tërheqin vëmendjen lidhur me luhatjet, dubletet apo bashkëjetesën e dy formave dialektore në pullat postare shqiptare, shfaqen sidomos në seritë e emisioneve të vitit 1946, të vitit 1964 (verë) dhe 1964 (dimër).
Kemi të bëjmë, në të vërtetë me të njëjtën leksemë: LOJRAT – LOJNAT, e cila paraqet luhatje në vendosjen e formës së përdorimit të saj në harkun e thuajse 20 viteve.
Në emisionin e vitit 1946, brenda hapësirës miniaturike të pullës, gjejmë bashkëjetesë të të dy formave dialektore. Aty ndeshim versionin e toskërishtes REPUBLIKA POPULLORE E “SHQIPËRISË” (jo Shqipnisë, apo Shqypnisë) dhe po aty, brenda së njëjtës hapësirë, ndeshim edhe versionin geg, “LOJNAT” BALLKANIKE (jo lojërat, siç do e kishte dashur unifikimi brenda së njëjtës njësi printimi.)
Edhe pse në vëmendje të shtetit, përdorimi i formës së gegërishtes në emetimet zyrtare dhe në atë që përbënte “monopol shtetëror”, duket se ka zgjatur gjer nga mesi i vitit 1964. Në një pullë të atij viti, krijuar për Olimpiadën verore të Tokios ndeshim ende formën e gegërishtes “lojnat”. Ndërsa në fund të atij viti, me rastin e Olimpiadës dimërore të Insbrukut (shënimi A.L., në pullë nuk jepet kjo hollësi) luhatja duket se ka marrë fund dhe forma e gegërishtes “lojnat”, zëvendësohet me formën e toskërishtes “lojrat dimërore”. Ndërkaq, brenda këtij miniteksti ndeshim edhe në një fakt tjetër, në vëmendje të dijeve albanologjike të interesuara ndaj së drejtës apo politologjisë. Forma e politike e përfaqësimit të shtetit brenda harkut kohor në të cilin ndeshëm luhatjen dialektore “lojnat – lojërat”, shfaq gjithashtu luhatje nga forma REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË në SHQIPËRIA.
Në pullat postare ndeshim edhe shmangie të tjera me interes për historinë e gjuhës, kontretisht drejtshkrimit, si për shembull mënyra e përdorimit të nyjave të rasës gjinore në formën “80 VJETORI I THEMELIMIT SHOQËRISË SHKRONJAVE SHQIPE” – në vend të “80 vjetori i themelit të Shoqërisë së Shkronjave të Shqipes”, apo formës historike të saj “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”.
Normë të pa vendosur ndeshim edhe në ato emisione të pullave postare ku hasen probleme si ai i shkrimit të emrave të përveçëm të njerëzve apo shteteve, siç i ndeshim në emisionet dhe seritë e viteve 1951, ku emrin “rini, rini” – së, e gjejmë të eptuar pa ë-në fundore – RINIS’; në emisionin e vitit 1962, ku emrin e shtetit të Kilit (normë shkrimore me K) e ndeshim të shkruar në formën e vet të përdorimit ndërkombëtar, si Chili – problem ky i pazgjidher ende gjer sot; apo në pullën e vitit 1949, ku grada superiore ushtarake e Stalinit shkruhet me ortografi dystandërtëshe: – “gjeneralisimi”, pra me “gj” dhe jo “g”, siç do e kërkonte respektimi tërësor i termit të importuar, i cili po aty zbatohet si prapashtesa e superlativit, duke dubluar “s”-në (ss) e origjinalit prej nga ky term importohet; apo siç na paraqitet edhe rasti i shkrimit të datave, muajve dhe viteve, ndaras me pikë, me vizë, shkruar me numra arabë (dita, viti) dhe me numra romakë (muaji).
Çështje të pavendosura të formave të të shkruarit ndeshim edhe në drejtshkrimin shkurtesave: R Popullore e Shqipërisë, RP e Shqipërisë, RPS e Shqipërisë, Republika Popullore e Shqipërisë, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë apo thjesht Shqipëria.
Vëmendjen e studiuesve të artit pamor shqiptar mund ta tërheqin gjithashtu edhe përdorimi i hapësirës miniaturike të pullës në formën e një posteri apo tabloidi, përdorur për shumëfishimin e sloganeve ideologjike apo moralizuese të llojit: “Te ne erdhi televizori”, “Erdhi drita në fshat”, “Ujku me lëkurë qengji”, shtypur mes viteve ’80, si dhe një sërë çështjesh të tjera në vëmendje të antrologogëve.

II. Mite kanonike dhe apokrife në artin e miniaturës
Emisionet e pullave postare janë përdorur gjerësisht si mjet disinformimi dhe diversioni, sidomos në periudha të tendosura politikisht. Por veçantia e llojit specifik të propagandës së realizuar përmes pullave postare është adresimi. Nëse format e tjera të propagandimit i adresoheshin kryesisht subjektit vendas, e më pak atij të huaj, pullat postare, falë specifikave të saj, i adresoheshin në të njëjtën kohë publikut vendas dhe atij të huaj.
Njëlloj si në ikonografinë religjioze, ku simbolet janë të kodifikuar (aureolë, dritë që buron nga lart, pëllumbi i bardhë, kryqi, libri i shenjtë – i artë apo i purpurt, globi apo skeptri në dorën e majtë, dora e djathtë e ngritur apo duke krijuar shenjën e trinisë, vështrimi paksa i prirët apo shfaqja e dolorizmit në fytyrat e shenjtorëve) edhe në “ikonografinë” politike, është përdorur thuajse e njejta metodoligji, veçse objektet-ikona e kultit religjoz, zëvendësohen me objekte- ikona të kultit ideologjik. Në thelb këto shenja formale janë koncepte politike të thjeshtëzuara, përcjellë përmes gjuhës zyrtare të imazhit, si një lloj sinjalistike e përveçme. “Ikonografia” politike e përdorur në pullat postare është përpjekja për ta përzgjedhur, përdorur dhe zhvilluar gjuhën simbolike si dhe për ta bërë atë sa më të thjeshtë në komunikim. Përdorur me këto funksion, pullat e postës bëhen mjet i vyer në ushtrimin e propagandës në distancë, me detyrim, por e modeluar si idil, pasi brenda zarfeve apo kartolinave që postoheshin, zakonisht qarkullonin tekste intimë apo shumë më pak të ideologjigjuar se pullat qe bënin të mundur qarkullimin e tyre. Filatelia, ushtruar në këtë formë, modelohej si një lloj tabele emulacioni qarkullues me të drejta komunikimi edhe me botën që ekzistonte jashtë Shqipërisë së së mbyllur gjeopolitikisht, së cilës i ofroheshin metaforat konvencionale.
Disa nga mitet më të shpallura, por herë më gjuhë të hapur dhe kanonike e herë më gjuhë të fshehtë, apokrife, gjithmonë në funksion të propagandës, që vihen re tek pullat postare janë…:

Makina Garash ne pulla postare

Anti-intelektualizmit
Figura që zë më pak vend në pullat e emetuara mes viteve 1946 – 1989 është ajo e intelektualit. Element i qenësishëm i ikonografisë politike, që do të dëshmonte praninë e intelektualit në pullat e postës shqiptare do të ishte dashur të qe libri, biblioteka, një mjet shkrues, tryeza e punës apo abazhuri i leximit mbi tryezë. Të gjitha këto elementë dhe kjo gjuhë simbolike e ikonës së intelektualit thuajse mungon në koleksionin e pullave të asaj periudhe, në se nuk do të përfshinim mes tyre figurat historike të intelektualëve të Rilindjes sonë kombëtare.
Libri, si element ikonografik thuajse mungon në pullat shqiptare, ose edhe atëherë kur shfaqet, atij i brendashkruhet një yll, vendoset pranë një lulëkuqeje, mbi të vendosen kazma apo pushka ose është i mbishkruar me iniciale që lë të kuptosh se libri i përket bibliotekës ideologjike. Elementi i munguar i librit zëvendësohet me gazetën, leximin masiv të shtypit apo librin e kuq, të cilat vijnë si pjesë e frymës dhe e kulturës së masës. Mungesa thuajse e plotë e figurës së intelektualit në pullat shqiptare mendohet të jetë zbërthim ilustrativ i paraqitjes së Shqipërisë si vendi – parajsë e punëtorëve, dhe i frymës së dyshimit ndaj kësaj kategorie sociale, e cila në boshtin hierarkik, renditej pas “klasës punëtore”, fshatarësisë kooperativiste” dhe “rinisë studentore”.
Kjo frymë thuajse përjashtuese dhe kjo idolatri ndaj punës fizike, si e vetmja punë e njëmendtë, ndeshet edhe në emetimin e një pulle të realizuar sipas fabulës së La Fontenit, “Milingona (punëtore) dhe gjinkalla (dembele), ku gjuha simbolike e elementit ikonografik të ideologjizuar shprehet përmes mjetit të tyre të punës, përkatësisht lopata dhe kitara (nënkupto klasa punëtore dhe artisti).

Industria e emetimit të imazhit – eksportimi i imazhit për të huajt

Pullë nga kohët socialiste të miqësisë midis Moskës e Tiranës

Pullat e postare shqiptare të edicioneve mes viteve 1946 – 1989 ofrohen me vlerë posterash apo ekranesh te vegjël televizivë që shumëfishonin imazhet e atdheut socialist dhe modeloheshin sidomos për eksportin ideologjik. Pulla, si formë miniature, e shfaq qartë qëndrimin ideologjik, ndërkohë që qëllimi propagandistik i tyre fshihej kryesisht pas veprave të artit të propozuara, ku mbizotëron tema e punës, e suksesit, industrializimit dhe e epërsisë së rendit socialist, shfaqur përmes trajtimit të të ashtuquajturave “temave të mëdha”; përmes përpjekjes së transkriptimit të simboleve nga gjuhë ideologjike në gjuhë arti, siç vërehet në veprat “Tornitorja”, “Korrja”, “Denoncimi i Traktatit të Varshavës”, “Kthim nga aksioni”, “Në metalurgji”, “Lartësi të reja”, “Krijimi i kooperativës malore”.
Ndër mitet kanonikë më të përhapur përmes imazhit mbi pullat postare është ai i “realizmit heroik” dhe monumentalizmit të jetës. Çdo element grafik i përdorur në to priret të jetë sa më i besueshëm, por forma e paraqitjes së tij është më shumë ideale se sa reale. Në pullat postare me këtë tematikë ndeshim artin e forcës, shprehjen e shëndetit të shoqërisë dhe individëve të saj. Është një art-miniaturë i mbisunduar nga skenat revolucionare, mesazhet etike, që paraqitet një ekspozitë të gjerë të imazhit atdheut socialist të transfiguruar në art.
Kulti amësor
Duhet pohuar fakti se në krahasim me emisionet e paraluftës, prania e figurës së gruas (femrës) në pullën postare shqiptare të pasçlirimit shtohet së tepërmi. Figura e saj i bashkëngjitet figurës-kult të njeriut të ri, për të emetuar kvshtu kultin e gruas, kultin amësor, si “forcë e madhe lëvizvse në shoqvri.” Ky kult, në të vërtetë, është ripërtëritje jo vetëm e efektit të drejtpërdrejtë të ndikimit të rrethanave të reja të jetës socialiste, që kishte të bënte me emancipimin e gruas, por edhe si mbivendosje dhe simbiozë kultesh: kulti i gruas me kultin e mëmëdheut, siç dhe e shohim të rimodeluar tek format e krehejes së flokëve, shpesh si krahu i shqiponjës, apo perspektiva e modelimit (nga poshtë lart), mbitheksimi i tipareve të amvsisë etj.
Në imazhet e pullave postare të atyre viteve gruaja mbërrin e monumentalizuar, përherë e re, veshur thuajse gjithmonë me rroba pune (kominoshe, përparëse pune, bluzë me krahë të përveshtur, pantallona) e cila mban në duar elementë-simbole tashmë të zbërthyer të ikonografisë politike socialiste: një vegël në dorën e djathtë: drapër, çekan, kalibër, torno dhe kur figurat janë dyshe ajo mban zakonisht kazmën; librin në dorën e majtë dhe ndonjëherë edhe një armë. Figura e saj nuk është aspak idilike apo romantike. Por ajo gjithashtu nuk është as reale. Gruaja (femra) është e monumentelizuar, më shumë e skicuar në modelin shoqe, kolege dhe bashkëpunëtore, dhe jo e dashur, vajzë, vashë etj. Në pllakatet mbrenda pullave postare apo në veprat e artit pikturik të shumëfishuara brenda tyre, gruaja është veprimtarja shoqërore, “forcë e madhe në shoqëri”, e cila shfaqet kryesisht pranë mjedisit ku punon dhe thujase pa jetë imtime, familiare.

Industria e Shqipëris 1960 – 1970

Promovimi i shkencës si fe e re e qytetërimit industrial
Një nga temat më të parapëlqyera të realizuara në pullat postare shqiptare mes viteve 1946 – 1960 është fytyra industriale e atdheut socialist. Këtu, më shumë dhe më fort se gjithkund tjetër shprehet ëndrra futuristike e një Shqipërie industriale, “atdheut me fytyrë nga e ardhmja”. Imazhet më të emetuara të kësaj periudhe janë vepra të mëdha industriale me vlerë në përmirësimin e imazhit të vendit, sidomos në arenën ndërkombëtare, që nga hekurudha e parë Durrës – Tiranë, Kombinati ushqimor Tiranë, Rafineria e naftës në Cërrik, Fabrika e Pasurimit të Bakrit në Kurbnesh, Fabrika e Konservimit të Frutave në Korçë e gjer tek rikujtesa në 5 vjetorin e përfundimit të elektrifikimit të të gjithë fshatrave të vendit.
Besimi idolatrik në fenë e re, industrializimin e shpejtë e të pandalshëm të vendit, sidomos e industrisë së rëndë të çeliqeve, në formën e pullave shfaqet si sfondi në shumë printime ku shfaqen oxhakë me tym, diga hidrocentralesh, skela, rrjedha zjarresh prej çeliku, trana të shpejtë e në lëvizje, linja të tensionit të lartë, vinça detarë etj., të cilat ngulmojnë të rrënjosin përfytyrimin e një Shqipërie të re, të fortë, të pavarur dhe të denjë për respekt nga shtetasit e vet dhe ata që i besonin utopisë komuniste në frontin internacionalist.

Shoqëria e re – njeriu i ri Temë e zakonshme për pullat

Azem Hajdari: Levizja Studentore

postare të viteve në shqyrtim, është shoqëria e re shqiptare. Ideali i kësaj shoqërie projektohet përherë me vështrim nga e ardhmja. Ky ideal nxit entuziazëm dhe kapjen pas utopisë së lumturisë së pritme, gjë që përfaqësohet me një lloj ekstaze apo dehjeje të turmës që buzëqesh vazhdimisht apo që ka shenja të dukshme e të qarta të lumturisë në fytyrë.
Figura kryesore e realizimit të idesë është bashkësia e njerëzve të rinj, ndjenja e detyrës dhe theksimi i tipareve heroike të këtij njeriu të ri, i cili për nga cilësitë anon nga shoku. Ky modul: “shoku” vjen si formësim individit (punëtor industrie, fshatar, minator, ushtar, nxënës, njeri i shkolluar) pjesëtar i një shoqërie të re shokësh të një ideali. Trajtat e paraqitjes së tij janë trajtat e njeriut mbireal, një ikonografi kjo e mirëpërcaktuar për sa i përket e tipareve të heroit pozitiv që shpreh shëndet, gatishmëri, madhështi, forcë, vendosmëri, largpamje.
Tipar i dallueshëm në pullat e atyre viteve është edhe ndjenja e detyrës dhe e disiplinës, si shprehje të mënyrës socialiste të të jetuarit. Figurat kryesore të realizuara gjatë kësaj periudhe janë kooperativistja, tornitorja, portret shkrirësi, ushtari, tiparet e të cilëve nuk paraqesin asnjë ndjesi lodhjeje, ndjeshmëri sentimentale apo ndjenja të tjera si dhembshuria, keqardhja etj, të cilat klasifikoheshin borgjeze dhe mikroborgjeze, në sinkroni të plotë edhe me temat letrare që mbisundonin gjatë atyre viteve.
Shprehi mbisunduese e kësaj gjendjeje bëhet lumturia, paraqitur si formë e detyrueshme e shfaqjes në publik dhe si detyrim ndaj shoqërisë. Lumturia, me elementët e saj shoqërues, si gëzimi, buzëqeshja apo një lloj shkujdesjeje tipike për lumturinë, thuajse mungon krejtësisht në seritë e pullave postare shqiptare të pasçlirimit. Ajo është zëvendësuar me seriozitetin dhe qëndrimet e një ikonografie të mirëpërcaktuar, pjesë e së cilës janë koka lart, vështrimi drejt dhe përpara, si dhe rregullsia në paraqitje (veshja, krehja, uniforma.)
Veçori interesante e kësaj serie është se tipizimi i kësaj forme të lumturisë socialiste gjendet i riprodhuar besnikërisht edhe kur personazhet janë të rinj apo fëmijë, të cilët trashëgojnë të njëjtat tipare ikonografike: buzëqeshje e vetëpërmbajtur, lumturi e kontrolluar, siç na shfaqen në pullat e emisioneve të shtypura me rastin e kongresit VI të Rinisë, të Kongresit VII të Bashkimeve profesionale, 1972, të 8 marsit 1960 etj. Si pjesë e inventarit ikonografik buzëqeshja dhe qeshja në pullat postare të asaj kohe shfaqet në emisionet me pamje të animizuar dhe ku personazhe janë kafshë, kryesisht të personifikimit pozitiv (milingona, arushët, lepurushët etj) ose në mënyrë paradoksale e gjen në formën qeshje dhe buzëqeshje në fytyrat e kozmonautëve sovjetikë që shfaqen në pullat postare shqiptare mes viteve 1961 – 1965.
Gjithashtu vlen për t’u përmendur edhe sfondi në të cilën vendoset kjo lumturi. Projektimi i saj është thuajse përherë në mjedise jo intime dhe impersoale. Lumturia vendoset në mjediset e punës. Ajo nuk paraqitet thuajse kurrë e pa shoqëruar, personazhet ose janë përherë të dubluar ose të shoqëruar me grupe të vendosur në perspektivë, si shprehje e idealit të masës. Bashkë me seriozitetin, në pullat me vlerë evokative të ngjarjeve të rëndësishme për historinë e kulturën shqiptare, personazhet, së bashku me seriozitetin si tipar i lumturisë, shfaqin edhe një lloj dolorizmi, si reminishencë e së kaluarës mbi fytyrat e tyre simbolike.
Thjeshtësia si tipar psiko-ikonografik i progagandës nuk ndeshet për herë të parë tek pullat e emetuara nga shteti shqiptar në periudhën në fjalë. Ajo është tipar i të gjithë artit religjoz, pjesë ironike e së cilës bëhet edhe katalogu i pullave të emetuara gjatë viteve në shqyrtim. Shprehje e kësaj thjeshtësie janë portretet e pangarkuara me gjendje të ndërlikuara e të mbivendosura emocionale, sfondet qoftë kur shfaqen monotematikë (p.sh fushë me grurë dhe autokombajna) qoftë kur mbivendosen si pamje gjithëpërfshirëse të sukseseve industriale të socializmit.
Pjesë e kësaj thjeshtësie bëhen gjithashtu edhe tiparet e portreteve, stilizimet e veshjeve, materialet e përdorura në to si dhe dekoracionet që përhapnin “modën” e të jetuarit thjesht dhe trajtimin e thjeshtësisë si virtyt, gjë që vihet re edhe në paraqitjen e udhëheqjes, qoftë në qëndrime, qoftë në paraqitje.

Pulla Postare pas Pavarsisë së Kosovës

Metaforat ushtarake
Metaforat ushtarake apo elementi ikonografik militar është nga më të shpeshtët në përdorim në pullat shqiptare. Pushka, si element i simbolikës militare shfaqet her Metaforat ushtarake veçmas dhe herë e shoqëruar me kazmën e më rrallë me librin (e kuq) ideologjik, flamurin, grushtin apo yllin e kuq. Gjithçka vjen në përputhje me parimin e metodës së realizmit socialist, që i vendos karakteret tipike në rrethana tipike. Figura e partizanit, krakteristike pë vitet e para, transfigurohet dhe ia lë vendin figurës së ushtarit apo të të gjithë popullit ushtar. Kjo metaforë militare është nga më të propaganduarat, por modelimi i saj paraqitet si paqedashë – garant i mbrojtës së fitoreve të atdheut socialist, siç paraqitet në emisionin e vitit 1969, më rastin e 25 vjetorit të çlirimit, por edhe më gjerë, pasi propaganda ideologjike kujdesej për krijimin e ikonës së një Shqipërie pacifiste, e cila, me rrugën e paanësisë në mbrojtë të idealit të vërtetë e të kulluar që kishte zgjedhur, vetëprojektohej si faktor paqeje dhe sigurie në botë.

Pullë postare nga viti 1957 nga Bashkimi sovjetik

Internacionalizmi përmes shkencës
Kjo temë është gjithashtu e pranishme në pullat postare shqiptare, sidomos në vitet e para pas çlirimit. Në to shfaqen figura shkencëtarësh nga bota (kryesisht rusë si Pavël Beljajev, Aleksej Leonov) dhe arritje të shkencës së kohës, si fluturimet e para hapësinore (shënuar si anëshkrim mbi imazhin e pullës 12.IX.1959.) Në këtë pikë, në emetimin e vitin 1965 ndeshim një fakt interesant. Është fjala për lëshimin në hapësirë të anijes VOS HOD II 18 – 19 mars 1965. Nëse rasti i parë i emetimit të pullës, ku paraqitet dhe shpërndahet imazhi i lëshimit në hapësirë të një anije kozmike ruse në vitit 1959, mund të shpjegohet si emetim propagandistik i arritjeve të kryera nga “vëllai i madh sovjetik”, në rastin e dytë, atë të emetimit të pullës që paraqet portretin e Juri Gagarinit në 1961, German S. Titov më 1961, Adrijan G. Nikolajevin në 1962, Pavlel R. Popoviçin në 1962, Valerij F. Bykovskjn më 1963, Valentina Tereshkova më 1963 si dhe anijen hapsinore VOS HOD II 18 – 19 mars 1965, kohë kur miqësia shqiptaro-sovjetike ishte kthyer në armiqësi që mes viteve 1960 – 1961, mund të përligjet me kundërvënien që propaganda ideologjike bën duke vendosur përballë shkencën socialiste me shkencën kapitaliste, respektivisht krenarinë me shkencën socialiste kundër asaj kapitaliste, që çon në shpjegimin e epërsisë së rendit socialist mbi atë kapitalist.
Në të njëjtin funksion ndeshim edhe një seri pullash me sloganin “Bota e bashkuar kundër malaries”, e cila vjen me funksion të dyfishtë, si provokim ndaj botës dhe si kujtesë për vendasit që jetonin në vendin më të përparuar të botës, që e kishte zhdukur malarien që në vitin 1966.

Ky kult është i prirur drejt monumentalizimit dhe idealizimit të figurës-kult

Kulti i individit dhe i personalitetit
Krijimi i kultit të individit edhe përmes pullës postare nuk e ndeshim vetëm në propagandën e ideologjigjë komuniste. Atë e gjejmë të shpërndarë thuajse gjithkund. Portreti i Hitlerit, Musolinit, Frankos, Çërçillit, i disa prej presidentëve amerikanë, Stalinit, Viktor Emaulelit, Mbretit Zog, Enver Hoxhës, Mao Ce Dunit gjendet i shumëfishuar kudo si një shembull propagande të ikonizuar.
Propaganda shqiptare e atyre viteve nuk përbën ndonjë shmangie nga modeli kanonik që emetonte kultin e individit. Ky kult shkon përputhur me modelimin stalinist që e vendos udhëheqësin në situata të skajshme madhështie dhe thjeshtësie, por kurrë në situata reale. Ky kult është i prirur drejt monumentalizimit dhe idealizimit të figurës-kult të mësuesit, babait të pagabueshëm të kombit. Udhëheqësi nuk është thjesht njeriu i ri, por mbinjeriu i ri i ikonizuar. Kjo figurë, krijuar për t’u adhuruar, modelohet si sjellësi i një besimi të ri, shpesh një ikonë e dyfishtë që i fliste audiencës së brendshme, por më shumë se kësaj komunikonte me audiencën e huaj.
Elementet e rekuizitës dhe dekorit në realizimin e figurës-kult të paraqitur në pullat postare janë dy farësh: udhëheqësi vetëm, në pozicion monumental dhe udhëheqësi i shoqëruar nga njerëz që dëshmojnë mbështetjen ndaj tij, gjë që vihet re edhe në rastet kur udhëheqësi flet (dikton) edhe në rastet tepër të rralla kur udhëheqësi dëgjon me modesti (mëson nga populli.)
Simbolika e veshjes, uniforma e njëjtë, e ngjashme, por gjithsesi jo shumë e ndryshme nga ajo që përdor edhe populli, siguron ndjenjën e barazisë dhe të unitetit mes udhëheqësit dhe masës. Kur si sfond përdoren ngjarje të mëdha historike apo arritje të rëndësishme për jetën ekonomike dhe politike të vendit, figura e udhëheqësit ridimensionohet me cilësi të reja, në to përdoret një teknikë tjetër për realizimin e perspektivës, që i jep udhëheqësit atributet e njeriut – perëndi, e legjendarizon dhe e bën të ndihet fitimtar mes një turme që e sheh me frikë (armiqtë e revolucionit) dhe me armirim (masa).
Udhëheqësi në pullat postare shqiptare shfaqet kudo: në sheshe, në shkolla, i shoqëruar nga fëmijët, mik i nxënësve, mes grave revolucionare, mes rinisë së aksioneve, mes malësoreve, mes ushtarëve, mes veteranëve, “në marshimet partizane të ditëve të rënda të pushtimit dhe të luftës”, si shok i punëtorëve, me pozën e njeriut të qashtër, “babait të kombit”, “prijësit”, “çlirimtarit”.
I veçantë shfaqet edhe modelimi ku udhëheqësi vendoset në plan të parë dhe në sfond ka udhëheqësit botërorë të marksizmit, por edhe e kundërta, kur në plan të parë janë masa njerëzish, ndërsa në sfond, si perëndi e kudondodhur shfaqet portreti i udhëheqësit.

(Syth i një studimi mbi temën “Realizmi socialist – një aventurë mes realizmit dhe irealizmit.”)

Arian Leka

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu