Njeriu i çimkave

0
745

Përpara shtatë vjetëve Spartak Ngjela incizoi debatin që kishte pasur me Sali Berishën në zyrën e Topallit, të cilin e publikoi dhe nga mori udhë krisja mes tyre. Një ministër i Berishës, u filmua duke kërkuar favore seksuale në këmbim të lehtësive që mund të jepte për shkak të postit. Më vonë, një tjetër video e xhiruar midis aleatëve politikë, për pak rrëzoi qeverinë e tij. Tetë vjet qeverisje, mund të cilësohen edhe një përpjekje e vazhdueshme e Berishës për të zhvlerësuar përgjimin si provë gjyqësore, apo mjet politik. Janë deklarata të tij ku përbuz këtë lloj arme në luftë. Por së fundmi, ka hedhur gjithçka poshtë, kur deklaroi se ka video në të cilat njerëz të Edi Ramës, negociojnë me njerëzit e tij për rrëzimin e Fatos Nanos. Në fakt çudi do të ishte e kundërta. Njeriu i ardhur nga shkolla lindore e politikës, që nuk lë pas dore dosjet e kundërshtarëve dhe bashkëpunëtorëve, shfrytëzon veset e tyre për t’i mbajtur nën kontroll, nuk mund të mos dokumentonte të paktën aty ku kishte mundësi, çdo veprim të kundërshtarëve të deklaruar. Po kështu edhe për rastin në fjalë, nëse është i vërtetë.
Berisha është diversionist i klasit të parë. E njeh shumë mirë teknikën e helmatisjes së kundërshtarit dhe kjo është skema klasike për të mbjellë përçarje mes socialistëve, dhe hedhur farën e dyshimit se udhëheqja e tyre është e pabesë me shoku-shokun, lere më me anëtarët e thjeshtë. Është teknikë efikase për demoralizimin e kundërshtarit.
A ka kontribuar Rama dhe njerëzit e tij në rrëzimin e Fatos Nanos dhe sa, kjo është temë më vete. Por humbja ose më saktë, dorëzimi i pushtetit nga Fatos Nano, mbetet një enigmë. Në vitin 2005, anija e socialistëve kishte marrë ujë dhe media kishte ndikuar në amplifikimin e fenomenit. Por elektorati ishte i qartë në ofertat e tregut politik. Në zgjedhje, e majta mori gati njëqind e pesëdhjetë mijë vota më shumë, duke mos besuar se korrupsioni ishte aq i thellë dhe sidomos duke mos pranuar se Berisha kishte ndryshuar.
Fajtore e humbjes në 2005-ën ishte skema e Nanos në organizimin e zgjedhjeve, dhe mosrakordimi me aleatët e majtë. Me ligjin e atëhershëm zgjedhor, nëse e majta do dilte e bashkuar, numri i deputetëve pavarësisht fenomenit LSI, do ishte më i madh. Një organizim më i mirë, ndoshta do kishte ndryshuar rezultatin. Një politikan me eksperiencë si Nano, ngjan se u mbyt me duart e tij. Ndër arsyet që hamendësohet se kanë vepruar jashtë kamerave dhe e bindën të humbiste pushtetin, ndoshta ka qenë një kërcënim i Berishës, ose kërkesë e ndërkombëtarëve, por mesa duket më shumë do ketë ndikuar një premtim i bërë.
Cili mund të ishte ky premtim? Fatos Nano e dinte se tetë vjet pushtet e kishin konsumuar forcën politike që drejtonte. Aleatët ishin bërë të pakontrollueshëm në kërkesat e tyre. Mbetej të bënte rotacionin e pushtetit, ndoshta me premtimin se do të bëhej president. Dhe veprimtaria e mëtejshme e Nanos, le shumë dyshime se kjo ka qenë edhe fjala e pambajtur ndaj tij. Kërkesat e herëpashershme dhe kandidimet e tij, ngjajnë si kujtesa për një premtim të pambajtur. Kujtesa që i drejtohen atij që kishte në dorë ta mbante premtimin dhe përfitoi më shumë nga rotacioni, pikërisht Sali Berishës. Por njeriu që i pëlqen të përmendet si njeri i fjalës, duket se e hëngri atë.
Sa thotë më vonë për paktet me Ramën dhe njerëzit e tij, videot që disponon, e të tjera afera çimkash, këto janë histori prej Dullë Baxhaje, që dëshmojnë metodën e preferuar të tij në bërjen e politikës dhe raportet njerëzore. Ku e vetmja vlerë e deklaratës kryeministrore, nuk është provokimi për çoroditjen e kundërshtarit, por dëshmia se politika në Shqipëri, për metodat që përdor dhe stilin e saj, ka kapur fundin. Dhe fundi mbetet i tillë, edhe kur bota përmbyset dhe fundi bëhet tavan, shkruante poeti polak Stanislaw Jerzy Lec.
A do t’i shërbejë Berishës gjithë kjo ndotje që po i bën ambientit social? Epo gjeli këndon edhe ditën që do ta skuqin në tigan, thotë një fjalë e urtë ukrainase.

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu