Njohësi i proceseve politike, Mazllum Baraliu: Diplomatët e huaj po i fryjnë zjarrit

0
699

Mazllum Baraliu

Njohësi i proceseve politike, Mazllum Baraliu mendon se kriza politike në Kosovë po e vështirëson në rrugën e saj të progresit, të konsolidimit edhe shtet-ndërtimit. Sipas tij, kriza po thellohet gjithnjë e më tepër.

Duke komentuar krizën politike dhe ndodhitë në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, Baraliu deklaroi se në njërën apo tjetrën mënyrë faktori ndërkombëtar në Kosovë po i frynë zjarrit duke e thelluar edhe më shumë krizën.

Seanca e parë e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, e mbajtur të premten, ashtu si edhe seancat e kaluara, u shoqërua me gaz lotsjellës, arrestime të deputetëve dhe protesta jashtë objektit të Kuvendit.

“Pozita dhe disa eksponentë të diplomacisë së huaj të pranishëm, aleatë tanë ndërkombëtarë këtu, në vend që të qetësojnë shpirtrat dhe tensionet, ata në një mënyrë apo tjetër, pa dashur apo me qëllim, i fryjnë zjarrit dhe e thellojnë krizën edhe më tepër”, ka thënë ndër tjerash Baraliu, citon KosovaPress.

Ai konsideron se është momenti i fundit që pozita si bartës i pushtetit të reflektojë, duke shtuar se opozita duhet që të rikthehet në seancat e Kuvendit.

“Këto qëndrime antagoniste shumë të betonizuara të dy palëve, të pozitës dhe opozitës nuk çojnë askund. Është me të vërtetë momenti i fundit që të reflektohet nga ana e pozitës, sepse ajo e ka pushtetin dhe ajo ka përgjegjësinë që të jetë e përgjegjshme dhe reflektuese nga interesave të qytetarëve dhe votave të qytetarëve, por edhe ndaj opozitës që është pjesë e institucioneve, sovranitetit për tu ulur në një tryezë bisedimesh dhe për të biseduar jo vetëm për ato dy marrëveshje por edhe për çështje të tjera që tashmë janë aktuale”.

Në lidhje me përjashtimin e opozitës nga seancat parlamentare, Baraliu konsideron se përjashtimi mund të bëhet vetëm në mënyrë individuale dhe jo në atë kolektive.

Mirëpo, sipas tij, edhe përjashtimi individual bëhet vetëm në mënyra dhe rrethana të caktuara, ku do të duhej të ketë në radhë të parë rrethana normale të mbarëvajtjes dhe zhvillimit të seancës plenare dhe pastaj të ketë argumente dhe arsye që të largohen.

Sipas tij, përjashtimi individual do të duhej të bëhej me anë të një vendimi me shkrim dhe jo me vendim i cili merret aty për aty.

Mirëpo, pavarësisht krizës politike dhe mungesës së opozitës, në seancën e të premtes, Kuvendi i Kosovës shqyrtoi dhe miratoi një sërë projektligjesh.

Por, këto miratime për Baraliun janë jo legjitime.

Ai tha për tu vërtetuar legjitimiteti i këtyre ligjeve dhe vendimeve të marra nga Kuvendi i Kosovës, mund të iniciohen proceduat në Gjykatën Kushtetuese apo edhe në atë të Strasburgut.

Përveç përjashtimit të opozitës nga seanca të premten kishte edhe arrestime të deputetëve po të opozitës.

Këto arrestime Baraliu i komentoi duke thënë se efekti i tyre është fatal, në kuptimin politik dhe pasi sipas tij me arrestime, dhunë, imponime nuk zgjidhen problemet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu