Nojenbaher: “Unë, njeriu i Hitlerit në Tiranë”. Dhe si përfunduan kolaboracionistët

0
585

Gjermanet ne Tirane

Me ç‘qëllim mbërriti në Shqipëri. Si bashkoi Mehdi Frashërin, Anton Harapin, Xhafer Devën dhe Ibrahim Biçakun. Ç’mendonte Fhyreri për Shqipërinë dhe si e gjeti autori atë. Si po largoheshin italianët dhe qëllimi që rajhu i III kishte në Shqipëri. Këndvështrimi i një dëshmitari të rrallë

Kush është Herman Nojenbaher?

Pasazhi i mëposhtëm  është shkëputur nga libri me kujtime i të dërguarit të Hitlerit në Shqipëri, pikërisht në pjesën ku flitet për vendin tonë. Këto kujtime të shkruara jo shumë kohë pas luftës Nojenbaheri i titulloi “Misioni special në Juglindje” 1940-1945”. Një nga kapitujt, të cilit i referohet gjerësisht edhe historiani Brend Fisher është, Shqipëria themelimi i një shteti. Aty përpos kujtimeve, autori ka një vështrim shumë specifik të Shqipërisë. Ai pretendon se gjermanët ndodheshin në vendin tonë vetëm për t’u mbrojtur nga anglo- amerikanët që gjendeshin në bregun tjetër të Adriatikut. Se qëllimi i tyre ishte t’i kthenin pavarësinë Shqipërisë. Se ata nuk përziheshin në politikën e brendshme dhe në caktimin e kryeministrave. Por, me gjithë këto versione të vëna në dyshim nga studime serioze historike, dëshmia e Herman Nojenbaherit mbetet kapitale për rrëfimin e ngjarjeve dhe portretet e personazheve. Dhe për të parë se si na kanë vëzhguar gjermanët e asaj kohe. Nojenbaher ka qenë kreu i Bashkisë së Vjenës dhe vetëm më vonë u bë i dërguari special i ministrit të Jashtëm Ribentrop për Europën Juglindore. Ja kujtimet e tij për Shqiperinë.

Në fund të gushtit të vitit 1943, në zyrën kryesore të Fyrerit, pranova detyrën si përfaqësues i Ribentropit për Europën juglindore, pra edhe për Shqipërinë. Aty, në atë kohë, ende mbretëronte Vittor Emanuelli, i përfaqësuar nga një mëkëmbës. Gjermania kishte gjithashtu një konsullatë të përgjithshme me zotin Schliep në krye. Por, kur gjenerali i aleatëve, Eisenhoer më 8 shtator 1943, shpalli paqe me Italinë, pas kapitullimit të saj, Shqipëria, për shkak të pozitës së vet, në kanalin e ngushtë të Otrantos, në bregun e kundërt të të cilit gjendeshin forcat armike, mori një rëndësi të veçantë.

Në detyrën time të shkurtër shqiptare, kishte diçka të jashtëzakonshme. Ribentropi më telefonoi në Beograd për të më thënë se Fyreri dëshiron “Një Shqipëri të pavarur dhe që shqiptarët të vendosnin vetë për këtë”. Ndaj menjëherë mora urdhër të shkoja për në Elbasan ku tashmë ishte vendosur divizioni gjerman. Një aeroplan special, më solli në kryeqytetin serb, një referent i cili njihte mirë vendin dhe gjuhën. Ai do të më shoqëronte në Shqipëri.

Tri javë më parë isha munduar të mblidhja disa të dhëna për vendin e shqiponjave. Deri atëherë kisha pasur rastin të njoh vetëm dy politikanë shqiptarë, të cilët menjëherë pas kapitullimit të Italisë kishin kërkuar të lidheshin me mua në Beograd. Xhafer Deva, i cili dikur në krahinën serbe të Kosovës kishte një rol politik dhe Vehbi Frashëri, djalin e (kryetarit) të mëvonshëm të këshillit të regjencës, Mehdi bej Frashëri. Ky i fundit ende jetonte në një hotel në Romë me vajzën e tij Medihan, si intelektual.

Ishte mbrëmje vonë, kur konstatova se avioni im nuk mund të ulej në Elbasan, pasi aty nuk kishte aeroport ku mund ta bënte këtë me siguri të plotë. Pastaj mu duk një mundim i madh për të vënë në funksionim një ekspeditë të tërë automobilistike që të më çonte nga Elbasani në Tiranë. Kështu që pa lajmëruar qendrën u nisa drejt Tiranës, e cila gjendej ende nën kontrollin e trupave italiane. Përpara aeroplanit tim “Heinkel 111” fluturonin tre aeroplanë “JU 52” me 60 ushtarë të Divizionit Brandenburg (nga sektori ABW-ER II) si përfaqësues të përkohshëm të fuqisë ushtarake gjermane në aeroportin e Tiranës.

Pas fluturimit të këndshëm mbi malet madhështore shkëmbore, na shkëlqeu përnjëherë kontakti me Tiranën, pozitën dhe peizazhet e bukura, me minaret e veta, në luginën e gjelbër bri Kodrës së Dajtit. Nuk e njihja gjendjen në aeroportin italian, prandaj urdhërova që aeroplani të sillet disa herë para ndërtesës kryesore, prej nga dilnin si mizat e dheut ushtarët e oficerët italianë. Zbrita nga avioni për t’i parë këta ushtarë të sjellshëm deri në dhimbje, që ishin ndarë nga atdheu për mungesë mjetesh transporti detar, që ishin njëkohësisht të sigurt e të friksuar nga takimi me ish-aleatët. Pas pyetjes sime, më treguan një kabinë në anën e majtë ku gjendej personeli gjerman i aeroportit. Të rinjtë që lëvrinin atje të veshur me pantallona të shkurtra, ishin shumë të gëzuar me vizitën tonë. Konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë Martin Schliep erdhi për të na pritur me automobilin e vet.

Pamjet në qytet ishin tronditëse. Nëpër rrugë dhe sheshe  shtyheshin me mijëra ushtarë italianë të armatosur, të grumbulluar në grupe, por dukshëm të frikësuar. Ata rrinin pa ditur se ç‘të bënin në këtë tokë armike. Ne ish-aleatëve të tyre ishte e pamundur të na kthenin armët, ata donin më shumë t’i dorëzonin ato. Ata ishin të zënë rob, atdheun e kishin fare pranë, por të paarritshëm. Kam ndjerë vërtet keqardhje për këto trupa që fati i kishte dënuar kështu, që përshëndesnin sapo shihnin kapelën time të larë me ar dhe që i lironin vendin makinave tona. Ngadalë duke çarë mes turmave të njerëzve, arritëm deri në konsullatën gjermane.

Aty u mblodhëm me Schliepin dhe fon Scheigerin, ekspertin për Shqipërinë – njohësin e gjuhës dhe tokës, të cilin ma kish dërguar qendra – për të studiuar tërë situatën. Scheieger, ish-oficer austro-hungarez i shtabit të përgjithshëm, pat kaluar pas Luftës së Parë Botërore më se 20 vjet në Shqipëri dhe ishte bërë një profesor i vërtetë në lidhje me hollësitë e njohjes së fiseve, vëllazërve dhe familjeve shqiptare. Situata nuk ishte tepër e nderë. Shqipëria Jugore pjesërisht ishte në duart e partizanëve komunistë, kundër të cilëve italianët nuk kishin pasur sukses. Për këto shkaqe, qysh përpara kapitullimit, një divizion gjerman ishte i vendosur në Elbasan. Këta partizanë ishin kundërshtarët tanë të pashmangshëm. Ndërsa luftëtarët nacionalistë, të cilët kundër okupimit italian kishin shkuar në mal (Balli kombëtar), nuk mund të konsideroheshin të tillë.

Shqiptarët e dinin fare mirë që ne gjendeshim në vendin e tyre vetëm për shkaqe thellësisht ushtarake. Ne donim t’u mbroheshim sulmeve nga krahët që mund të vinin nga anglo-amerikanët që tani gjendeshin në anën tjetër të kanalit të Otrantos. Mua nuk më kujtohet asnjë akt armiqësie i popullsisë, kundër forcave të armatosura gjermane. Kështu, kishte dalë edhe zëri se Gjermania, në Shqipëri, është në besë. Shqiptari ç‘është e vërteta, nën lëkurë mbante ndonjë rezervë për shkak të qëndrimit tolerant të anës gjermane ndaj pushtimit italian, më 7 prill 1939. Por tani gjermanët, po i çarmatosin ushtarët italianë, dhe popullsia e shikonte këtë si një mundësi për të rritur numrin e pushkëve në shtëpinë e vet. Gjithashtu metodat e jashtëzakonshme të Austro-Hungarisë, gjatë Luftës së Parë Botërore, kishin lënë nam të mirë e kjo ndikoi që edhe forcat gjermane të mos priteshin keq.

Kështu “Balli kombëtar” kurrë nuk luftoi kundër forcave tona. Ata ndërmerrnin sulme të gjithanshme kundër partizanëve në Jug. Disi më ndryshe qe Abaz Kupi, i cili mbahej si mëkëmbës i mbretit Ahmet Zog, e tek i cili gjendeshin oficerët anglez. Në fakt ne e kemi lënë të qetë, po edhe ai nuk na ka trazuar fare.

Ai po punonte për krijimin e Legalitetit i cili u shpall në tetor të 1943, si një lëvizje e gjerë nacionaliste qëllimi i të cilës ishte, rikthimi i Zogut në një Shqipëri etnike e të pavarur.

Por, ky fakt nuk na shkaktonte probleme. Ai nuk ishte kurrfarë demonstrimi kundër nesh, por një demonstrim luftëtarësh kundër Italisë, e cila vendin e kishte aneksuar dhe sundonte mbi të.

Po kënaqem me këtë skicë të shkurtër të prapavijës politike, për t’u kthyer në detyrën që më ishte ngarkuar në Berlin: T’i rikthehet pavarësia Shqipërisë, me iniciativën e saj.

Shqiptarët, qysh prej kohës së romakëve kanë njëfarë përvoje historike rreth pushtimeve të huaja. Prej të fortit ata kërkojnë arin dhe armatimin, të dobëtin që tërhiqet duan ta grabisin, kjo është traditë e një populli të vogël, luftarak, malësor, i cili nuk ka lejuar që kriminelët e mëdhenj të shkelin e nënshtrojnë. Por, tani situata ishte e paqartë. Kush do të mbetej? Me Italinë historia kishte mbaruar. Po a do të mbeteshin gjermanët ndërkohë që në bregun tjetër të Adriatikut gjendeshin anglo-amerikanët?  Pra a duhej që ata, sot, nën shenjën e forcave të armatosura gjermane të shpallnin  pavarësinë e Shqipërisë, apo duhet të prisnin zbarkimin e paralajmëruar të aleatëve dhe dyluftimin në mes tyre.

Dy njerëz, në fillim ndarazi, përpiqeshin për themelimin e një Komiteti Kombëtar përfaqësues, i cili do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë po do të mbaronte dhe pushtetin provizor në vend. Ata ishin shqiptari i vjetër nga Elbasani, Ibrahim bej Biçaku dhe Xhafer Deva nga Mitrovica. Ditë e natë bisedohej. Duke iu përmbajtur në tërësi “iniciativës sime” i largohesha çdo pjesëmarrjeje në këto biseda mjaft dramatike. Vetëm prisja. Kam bërë edhe diçka më tepër. Më 12 shtator 1943, në mbrëmje, fluturova sërish për në Beograd, për t’iu shmangur çdo përshtypje se po bëja presion. Por, duke u informuar për zhvillimin e ngjarjeve, që të përpilohet “Komitet kombëtar”. Para miqve tanë gjithmonë kam theksuar nevojën, në interesin më të madh të vendit, që forcave të armatosura gjermane dhe diplomacisë gjermane t’i vihet përballë qeveria kombëtare shqiptare për mbajtjen e bisedimeve. Nëse kjo nuk ndodhte atëherë do të qe e vështirë të mënjanohej regjimi klasik i pushtimit, të cilin ne nuk e dëshironim, por që do të ndodhte, nëse fatet e vendit të tyre nuk i merrnin në dorë njerëzit e përgjegjshëm.

Me 14 shtator u bashkuan të dy grupet në një këshill me në krye Ibrahim beun. Ishin njëzet e dy njerëz, emrat e të cilëve gëzonin një respekt në vend. Aty profesor, Mihal Zallari, (piktor dhe skulptor i njohur ish-mësues i gjimnazit të Tiranës) që e zotëronte mirë gjermanishten, më komunikoi me një fjalim në formë të përsosur dhe temperament, që është themeluar “Komiteti Kombëtar” që ka proklamuar pavarësinë e Shqipërisë.

Këtë lajm të mirë, që përbënte njëkohësisht edhe përmbushjen e detyrës sime në Tiranë, nxitova t’ia përcjell qeverisë së Rajhut gjerman. Pasi i bërë një vizitë Këshillit Kombëtar i cili po diskutonte për krijimin e qeverisë, u ktheva edhe njëherë në Beograd.

Pas një qëndrimi të shkurtër fluturova për paraqitjen e një raporti të detajuar për qendrën. Hitleri që kishte simpati të madhe për këtë kënd romantik të Europës, u tregua shumë i kënaqur me përfundimin e bisedimeve.

Së shpejti sërish isha në Shqipëri. Këshilli Kombëtar e pranoi Qeverinë provizore nën kryesinë e Rexhep Mitrovicës (5 nëntor). Xhafer Deva mori punët e brendshme. Çdo gjë që dikur ishte në duar të italianëve, nuk ekzistonte më: administrata, legjislacioni, policia, xhandarmëria, ushtria, pra atributet e nevojshme të shtetësisë nuk ekzistonin. Por ajo që ende ishte aty, ishte njëfarë konstrukti tradicional i familjeve, vëllazërive dhe fiseve me rrënjët e tyre karakteristike. Ushtarakët gjermanë, në këto rrethana, krijonin përshtypjen se ishin vetëm mysafirë.

Ata ishin vërtetë vetëm mysafirë. Kur komanda supreme e forcave të armatosura caktoi një përgjegjës ushtarak për Shqipërinë, unë kam protestuar te ministri i punëve të jashtme për këtë gabim. Nëse i kishim njohur Shqipërisë sovranitet, ne nuk mund të kishim më, kurrfarë kompetence administrative apo legjislative mbi të. Gabimi u ndreq menjëherë dhe përgjegjësi ushtarak në Shqipëri u kthye në “gjeneral gjerman në Shqipëri”, me detyrë t’i përfaqësojë interesat e forcave tona të armatosura pranë Qeverisë shqiptare.

Nga ana ime, unë ia kisha paraqitur njohjen e qeverisë provizore nga Berlini, kreut të saj. Sekretarja ime Zonja Luetzen, e cila ishte e vetëdijshme për rëndësinë e këtij dokumenti, gjeti për të një letër që i përngjante pergamentit, por edhe kjo letër për shijen tonë kishte pamje jo aq solemne sa dëshironim. Me dokumentet gjithsesi shkonte edhe vula. Por, unë nuk kisha vulë zyrtare, ndaj gjeta rrugëdalje duke përdorur atë të konsullatës gjermane në Tiranë.

Kur në ditët e para të veprimit tim në tokën shqiptare interesohesha për personalitetet më të njohura në vend, shpejt arrita në përfundimin se njeri që gëzon respekt të përgjithshëm është Mehdi bej Frashëri. As ofertat, e as kërcënimet italiane nuk mundën për ta bërë për vete këtë ish-nëpunës administrativ osman, që të pajtohej me aneksimin e vendit të tij. Autoriteti i madhështisë së tij e kishte detyruar Italinë për ta internuar në Romë, ku me vajzën e vet Medihanë jetonte në një hotel të bukur, por me liri të kufizuar qarkullimi. Pas kapitullimit të Italisë urdhërova që t’i vihej në dispozicion një aeroplan “Heikcl 111” dhe ai erdhi në Tiranë. Ai solli edhe rezervat e monedhës shqiptare e cila ruhej në bankën e Italisë, për Bankën popullore shqiptare. Banka popullore shqiptare, të cilën e krijuan ekspertët italianë, ishte organizuar shumë mirë.

Mehdi bej Frashëri, atëherë 74 vjeç, ishte personalitet impresionues. Ai rridhte prej një nga familjet kryesore në vend dhe kish filluar karrierën e vet në të ashtuquajturën Turqinë Ballkanike, si nëpunës administrate dhe më vonë kishte shërbyer në Liban dhe Egjipt në rangun e Pashait. Ai ishte ngritur si një përmendore nga koha mbretërore otomane. Bashkëshortja e tij qe me origjinë turke, të cilën e kishte fituar me burrërinë e tij. Mehdi beu, fliste të paktën tetë gjuhë, por jo gjermanisht. Ne bisedonim në të shumtën e herëve në italisht. Në fillim i shihte ngjarjet tepër i rezervuar. Vetëm më vonë, kur u bind se nuk bëhej fjalë për një pushtim gjerman, filloi t’i ngjallej interesi për problemet e vendit. Kur plenumi i Kuvendit popullor i drejtoi një apel të zjarrtë për detyrën e tij patriotike, ai pranoi të vihet në krye të Këshillit të Regjencës si kryetar i parë. Këtij Këshilli i takonte edhe nga një përfaqësues i katolikëve dhe ortodoksëve. Detyra e kryetarit duhej të kalonte me rotacion. Por, Frashëri mbeti kryetar gjithnjë, sepse kolegu i tij ortodoks, Lef Nosi ishte sëmurë, kurse përfaqësuesi i katolikëve të Shkodrës, at Anton Harpai, refuzoi postin e kryetarit me motivacion, se morali katolik nuk e lejon pranimin e një funksioni që do ta detyronte  për të nënshkruar dënimin me vdekje.

Nëse guxoj për të gjykuar, Mehdi bej Frashëri është njëri ndër themeluesit e kategorisë së re të drejtësisë ndërkombëtare. Ai më propozoi që Gjermania të pranojë neutralitetin e Shqipërisë. Sipas fjalës së tij kjo kishte të bënte me një “neutralitet garant”. Kështu Shqipëria i konsideron forcat e armatosura gjermane, që vetëm nevoja ushtarake i ka sjellë në vend, si mysafirë, pa dëme për pavarësinë e saj në mes të palëve ndërluftuese. Qeveria shqiptare do t’i kundërvihej secilit veprim të agjentëve që do të rrezikonin rendin e brendshëm të vendit. Por, nëse armiqtë e Gjermanisë do të sulmonin përmes njësiteve të armatosura luftarake, atëherë qeveria shqiptare do të mbetej neutrale.

Për këtë, nga ana ime, e kam përcaktuar realitetin shqiptar, si “realitet relativ”. Si mike e popullit shqiptar, fuqia e armatosur gjermane kërkon qëndrim miqësor në një vend ku ka hyrë vetëm nga nevoja luftarake. Gjermania e pranon sovranitetin e qeverisë shqiptare. Ajo do t’i kundërvihej kësaj qeverie, vetëm në se kjo e fundit përkrahte armiqtë e saj në luftë. Ndaj, sovraniteti i Shqipërisë, për shkak të sigurisë së forcave tona, ishte “relativ”.

Ne ramë dakord me këtë formulim dhe qendra jonë e pranoi pa problem “pavarësinë relative të Shqipërisë”.

Me qendrën kryesore gjermane ishte e lehtë, kur kishe të bëje me çështjen shqiptare. Atje, askush s’kishte ndonjë koncept të qartë për këtë vend interesant të Europës. Kështu puna ime bëhej më e lehtë. Kësaj i shtohej edhe simpatia shumë e zgjeruar për këtë vend të panjohur në Gjermani.

Kur pranova këtë detyrë në Shqipëri, në Kosovë, ishin ngritur struktura për gjurmimin e luftëtarëve për divizionin mysliman SS: “Hanxhar”, i cli ishte formuar në Bosnje. Atëherë arrita ta bind Himlerin se një eksperiencë e tillë nuk mund të ndodhte me shqiptarët. Rekrutimi duhej ndërprerë pasi minuk përkonte me politikën tonë të neutralitetit. Por, Himleri, i cili kishte dëgjuar tregime për regjimentet e Bosnjës dhe Hercegovinës që kishin luftuar për Habsurgët gjatë Luftës së Parë Botërore, iu rikthye qëllimit të tij më 1944. Ai mori të drejtën nga Hitleri që në Shqipëri, për nevoja të luftës lokale partizane brenda kufijve, të formojë një divizion malor SS “Skenderbeg”. Mua ky formacion nuk më entuziazmoi asnjëherë, por qeveria shqiptare e mbështeste, pasi aty shikonte fillesën e krijimit të forcave të saj të armatosura dhe xhandarmërisë.

Garnizoni i këtij njësiti ishte në Prizren. Ndërsa në Mitrovicë, e pengova vendosjen e tij, sepse frikësohesha nga konfliktet me popullsinë serbe. Serbët dhe shqiptarët nuk duhen në mes tyre.

Pas shkatërrimit të Jugosllavisë, në korrik 1941, shqiptarëve u takoi krahina e Kosovës e banuar më dendur prej tyre, e që prej vitit 1939 (Shqipëria) ishte aneksuar Italisë. Që prej asaj kohe kolonët serbë filluan të përzihen nga vendi.

Kur gjenerali dhe kryeministri serb Nediçi mu drejtua me ankime të idhëta për këtë çyshtje, këshillova Qeverinë Shqiptare që t’i japë fund ndjekjeve të Kolonëve. Por edhe kjo ndërhyrje rezultoi e pafrytshme. Ndaj u detyrova të kërcënoj me dorëheqjen time duke theksuar se do të jem i detyruar që t’i lë një tjetri detyrën e mbrojtjes së Shqipërisë nga dëshirat territoriale Bullgare. Xhafer Deva që kishte ndikim në Kosovë më premtoi që do të interesohet. Ai atë e bëri me sukses. Por, me gjithë këtë qysh më 1941 e këndej ishin bërë shumë gjëra të pahijshme.

Bullgarët, në anën tjetër, vazhdimisht ankoheshin lidhur me vrasjet e bullgarëve në Shqipërinë lindore, ku ç‘është e vërteta nuk kishte fare bullgarë, në mënyrë që nga Gjermania të fitohej e drejta për t’i aneksuar territoret e rrezikuara. E kam drejtuar kolonelin Von Kohautekun i cili ka qenë i ngarkuari i Shtabit tim në Beograd, në veri të liqenit Ohrit, me detyrë që politikisht t’i analizojë vrasjet që kishin ngjarë gjatë disa muajve të fundit. Koloneli Von Kohautek, pedant, i studioi mbi 40 vrasje. Në mesin e të vrarëve nuk ishte asnjë bullgar. Gati të gjitha vrasjet i përkisnin kategorive të hakmarrjes, armiqësive në mes familjeve dhe fiseve. Vetëm një rast kishte të bënte me likuidimin e një komunisteje nga ana e një komunisti. Ndërsa disa raste të tjera nuk ishte e mundur të sqaroheshin. Pas aq sqarimesh me themel të gjendjes praktike, nuk dukej e nevojshme që forcat bullgare të okupojnë territorin shqiptar. Rezultati i këtij vendimi shkoi në dëm të famës sime, në qarqet bullgaromëdha.

Në qershor të vitit 1944 kryeministri Rexhep Mitrovica dha dorëheqjen i sëmurë nga tuberkulozi. I drobitur, ai kur nuk kishte mundësi për të zhvilluar aktivitete të mëdha. Ndërkohë politika lokale vazhdonte të përcaktohej nga kundërshtitë mes Shqipërisë së vjetër (Mehdi bej Frashëri) dhe Shqipërisë së re (Xhafer Devës). Por, edhe Xhafer Deva u tërhoq në qershor 1944, në mënyrë që të shkojë për mjekim në Gjermani dhe që pastaj t’i përkushtohej tërësisht forcimit të pozitës së tij në Kosovë.

E përjetova gjatë këtë krizë tre javore të qeverisë shqiptare. Ajo më mbeti e paharruar. Ne gjermanët refuzuam në çdo rast të propozojmë ndonjë kandidat për kryeministër. Për çdo ditë kishte kombinime të ndryshme, informata, kundër-informata, ndikime dhe kundër ndikime. Politika bartte valë të larta të cilat përplaseshin në vendndodhjen time, e cila në Tiranë, më shërbente si prehje e sigurt. Në hotelin e bukur “Dajti” të cilin e ndërtuan italianët, tuboheshin mysafirët e njohur, të cilët me përcjellësit e tyre zbritnin nga malet në mënyrë që mos të mbesin larg, kur ministri i ri i financave ta pranojë detyrën. Karabinat dhe automatët e përcjellësve të personaliteteve në zë, i jepnin jetës së hotelit një notë luftarake.

Më në fund, bëra sikur humba çdo shpresë lidhur me zgjedhjen e çështjes dhe vendosa të largohem për disa ditë. Nuk e di, a ka ndikuar gjesti im në zhvillimin e ngjarjeve, por pak kohë pas ikjes sime kaloi nëpër cak favoriti i fundit: Fiqri Dino, dibran. Ai mbante lidhje të mira me Abaz Kupin në banesën e të cilit rrinin anglezët. Fiqri Dino, më shpjegoi në fillim të kandidaturës së tij, se mundet ta pranojë formimin e qeverisë, vetëm nëse Gjermania i premton që do ta pajisë me tanke për dy divizione malore. Edhe sot besoj se kjo kërkesë ka buruar nga Abaz Kupi, i cili realisht është konsultuar me oficerët anglezë me të cilët mbante lidhje. Ata e kanë këshilluar që këto armë, pas tërheqjes së gjermanëve që tani nuk dukej e largët, do t’i duheshin nacionalistëve për të luftuar partizanët.

Në këtë mendim timin e kam vërtetuar edhe përpjekjen e shefit të fundit të shërbimit sekret anglez në Shqipëri, i cili negocioi me ne për të njëjtën gjë. Pra që meqenëse lufta ishte e humbur, na kërkohej t’i linim armët tona në vend për të luftuar komunistët.

Sugjerime të ngjashme vinin edhe nga vija informative në lidhje me divizionin gjerman, i cili gjendej në Greqinë veriore.

Nuk duhet harruar se Shqipëria ishte e bllokuar nga Perëndimi dhe nga Moska edhe asaj i kërcënohej një grusht shteti komunist, i cili edhe ngjau. Por me këto propozime, shihej se kufiri i racionalizmit ishte tejkaluar.

Ç’fat patën kolaboracionistët? Nojenbaher tregon si i ka njohur dhe çu bë me ta pas ikjes së gjermanëve

Mehdi bej Frashëri dhe familja e tij dhe me një numër personalitetesh të shquara e la vendin, kur ushtarët gjermanë u tërhoqën. Djali i tij, Vehbiu, mundi të qëndrojë në Vjenë si vendas, ndërsa djali i dytë ishte tërësisht njeri i Anglisë, i cili deri te adaptimi fizik, i imitonte anglezët. Kryezoti i familjes ishte tërësisht patriot shqiptar. Ai nuk ishte gjermanofil e as anglofil, por armik i ashpër i italianëve derisa e mbanin pushtetin në vendin e tij. Të kaluarën e tij prej nëpunësi të lartë të një perandorie osmane, të shkatërruar, dukej që e kishte përjetuar. Ai e kishte tërë urtinë dhe krenarinë prej burrit që tërë jetën e ka kaluar me përgjegjësi të mëdha. Me bashkatdhetarët e tij ka qenë mysafiri ynë në Vjenë dhe në Kitsbuel. Si të gjithë shqiptarët, u lëshua nga Tiroli duke u përcjellë në mënyrë të sinqertë, para hyrjes së forcave amerikane në drejtimin Itali-Zvicër.

mehdi frasheri

Mehdi Frasheri

Si personalitet antipod me Mehdi Beun, në qeveri, ishte ministri i punëve të brendshme, Xhafer Deva, i shënuar nga komunistët si armik i përbetuar. Mbeti i pa plagosur nga një atentat, viktimë e të cilit pat rënë vetëm adjutanti i tij. Xhafer Deva është nga Mitrovica, dhe me rastin e tërheqjes së kufirit të ri, mbeti shtetas i Serbisë, për çka me një neurozë më pat bërë vërejtje kryeministri serb Gjenerali Nediç. Pas pavarësisë së Shqipërisë, Xhafer Deva, kaloi me njëmijë kosovarë që i kishin mbetur besnikë nëpër Pejë, Prishtinë dhe Prizren nëpër Shkodër për në Tiranë. Parulla e Devës në këtë lëvizje ishte: “terror kundër terrorit”. Deva dëshiroi që komunistëve t’u tregojë dhëmbët, dhe këtë e bëri sipas zakonit të vendit të tij. Kështu, në Shkodër, ishin tubuar disa komunistë në shtëpinë e legatës së Vatikanit, e cila me atë rast ishte shembur nga Xhafer Deva. Xhafer Deva, pas tërheqjes së gjermanëve kishte për qëllim të mbetej në vend dhe të bëjë luftë guerile, pasi nga ana gjermane i ishte lejuar që t’i jepej pajisja teknike për këtë qëllim. Por, Deva depërtoi mjaft vonë në territorin kroat, prej kah në dhjetor të vitit 1944 erdhi në Vjenë. Edhe me këtë rast jemi përshëndetur në Iktzbuechel (Tirol). Nuk dimë sa është numri i atyre njerëzve-njësive, që gjatë kohës së prezencës sonë në Shqipëri rrinin në radhët e para edhe kur ranë në duart e komunistëve.

Xhafer_deva

Xhafer Deva

Kam marr vesh për tre persona që janë zënë rob e ata ishin: padër Anton Harapi, kryeministri i fundit Ibrahim Bej Biçaku, që kishte ardhur si pasardhës i Fiqri Dinës, dhe profesor Mihal Zallari që ishte nënkryetar i Kuvendit. Mihal Zallari, një profesor vizatimi, piktor e skulptor, e njihte mjaft mirë gjuhën gjermane dhe ishte më i njohur me filozofinë dhe letërsinë gjermane. Nuk e di pse mbeti në vend, por konsiderohej se ai ka obligime morale.

Keshilli-i-Regjences-1943

Keshilli i regjences 1943, Zallari i dyti majtas, padre Harapi ne mes me veladon

Ibrahim Bej Biçaku, që mbante një emër të famshëm të familjes nga Elbasani, ishte gjithashtu ngushtësisht i lidhur me rrethet e kulturuara gjermane, përmes studimeve të gjata në Vjenë (ishte modest, në një mënyrë ishte shumë simpatik dhe frikësohej prej njerëzve). Si përfaqësues i Këshillit Kombëtar që më 14 shtator 1944 e mori Qeverinë provizore dhe si kryeministër i fundit në kohën e tërheqjes së forcave gjermane, në një fazë të stuhishme të historisë shqiptare e kishte vështirë. Lidhur me këtë, një i arratisur shqiptar nga Durrësi më ka treguar se në një qeli burgu të Beogradit, ka vdekur si viktimë e pasionit të tij për një pllakë gramafoni.

I njëjti i arratisur nga burgu i Beogradit më rrëfen për vdekjen e Atë Anton Harapit.Por, tregimit të tij duhet për t’i dhënë një hyrje. Kur kishte filluar tërheqja jonë nga Shqipëria, e kam këshilluar drejtpërsëdrejti Antonin që ta lerë vendin dhe i kam ofruar aeroplanin tim. Duke më falënderuar ai më tregoi që Zoti e ka vënë në atë vend dhe nëse është dëshira e Zotit, atëherë duhet të vdesë atje ku e mban detyra e tij prej prifti.

Ky durrsak, më ka treguar si e kanë fshehur miqtë Antonin. Por, komunistët, të cilët kudo e ndiqnin, u futën në shtëpinë në të cilën e mbanin. Në rastin e parë nuk e gjetën. Por, kur po iknin komunistët kishin vërejtur në një gotë një protezë dhëmbësh. Ata menjëherë filluan hetimet. Kur filluan t’i keqtrajtonin anëtarët e familjes që mbroheshin me deklarata të rrejshme, Patër Harapi doli vetë dhe iu dorëzua policëve. Eshtë e njohur se pasta i qetë dhe i kthjelltë ka shkuar në varje.

Patër Anton Harapi ishte me prejardhje nga Shqipëria veriore. Shkollën e mesme e kishte kryer në Moranë dhe Haille në Tiroll. Ndërsa në Romë ka studiuar teologjinë. Para vdekjes i kishte parë edhe një herë ato vende ku kishte banuar në rininë e hershme. Vlen për t’u treguar se ai atëherë ka udhëtuar drejt Tiranës.

Ishte fundi i qershorit të vitit 1944, kur u njoha me krizën e qeverisë së Tiranës, por atëherë kisha vendosur që të largohem prej andej. Kështu, për shkak të afërsisë së avionëve gjuajtës anglezë, nga ana e kundërt e Otrantos, kam menduar për të ateruar vetëm nëpër terr. Aeroplani vente përgjatë vijës ndriçuese, ku personeli ndihmës e ndali makinën time me një zhurmë të madhe. Atëherë klitha: “Kush është”? Ishte At Harapi. Kështu pas një çasti, françeskani i vogël me trup, hyri në aeroplan dhe duke qeshur rrinte në kabinën e vogël të udhëtarëve”. Nuk mund të mbahem ma me këtë politikë” më kishte thënë. “Po fluturoj me juve”. Dhe kush kishte për të menduar se Anton Harapi nuk do ta linte vendin kur ne e kishim lutur me plot seriozitet.

Henkeli (aeroplani) u nxeh, dredhoi prej luginës përmes zinvargut malor dhe qante mbi egërsitë e mureve shkëmbore që reflektoheshin si shkëndija të kuqe në perëndim të diellit. Patër Antoni Harapi në mantinë e vet ishte ulur karshi meje, e nxori nga një mbështjellëse, si valixhe e vetme e tij, breviarin e tij dhe filloi të lutej. Ishte disa ditë mysafiri im në Beograd. Anton Harapi e zbuti pamjen e tij prej asketi me fytyrë si të drunjtë dhe të hijshme, prej së cilës dilte gëzimi. Tani më bëhet se e shoh ende para meje me breviar në dorë duke lëvizur poshtë-lart. Patër Anton Harapi atëherë udhëtonte për Vjenë dhe Tirol. Pas disa javësh kthye në Shqipëri, ku e priste vdekja. Asnjë revolucion në Shqipëri nuk mundet ta shuajë kujtimin për atë njeri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu