‘Norman Atlantic’, 10 të vdekur, 38 të zhdukur

0
736

Ania e Djegur

Zyrtarët italianë nuk janë të sigurt se sa njerëz kanë vdekur dhe sa të tjerë konsiderohen si të zhdukur pas evakuimit të shumicës së udhëtarëve në anijen “Norman Atlantic”, e cila u përfshi nga zjarri të dielën në mëngjes.

Anija ishte nisur nga porti grek Partas për në qytetin italian Ankona, por sapo është larguar nga ishulli grek Korfuz, përballë brigjeve të qytetit shqiptar, Vlora, është përfshirë nga flakët që kanë shpërthyer në hapësirën ku ndodheshin mese 200 vetura të udhëtarëve.

Numri i të vdekurve si rezultat i djegies së anijes sipas mediave italiane ka arritur në dhjetë persona, ndërsa kërkimet po vazhdojnë edhe për rreth 40 persona të tjerë të cilët konsiderohen të zhdukur, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Zyrtarët italian mbrëmë vonë kanë njoftuar se të gjithë pasagjerët që kanë qenë në anijen “Norman Atlantic” janë evakuuar, por sipas tyre, ende janë në kërkim të trupave të 38 personave të cilët konsiderohen të zhdukur, ndonëse ka pasur dyshime rreth numrit të personave që kanë qenë në anije.

Ministri italian i transportit, Maurizio Lupi, ka njoftuar se 427 pasagjerë janë marrë nga helikopterët gjatë operacionit të shpëtimit si dhe 56 anëtarë të ekuipazhit.

Zyrtarët grekë kishin njoftuar të hënën në mëngjes se në anije ndodheshin 478 njerëz, ndërsa pesë të tjerë kishin vdekur në përpjekje për të shpëtuar përpara se të arrinin helikopterët italianë, të cilët për shkak të motit të ligë, stuhisë dhe borës, me vështirësi kanë arritur të nxjerrin udhëtarët nga pllatoja e anijes.

Shumica e udhëtarë, pas evakuimit kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, pasi shëndeti i tyre është përkeqësuar nga të ftohtit, pasi ishin të detyruar të rrinë në ambient të hapur nga rreziku që iu kanosej prej zjarrit dhe tymit që kishte kapluar ambientet e brendshme të anijes italiane.

Udhëtarët janë zhvendosur me helikopterë në anije tjera të shpëtimit dhe janë dërguar në Bari, ndërkohë që evakuimi me gomone ka qenë pothuajse i pamundur për shkak të valëve të mëdha dhe stuhisë që kishte përfshirë këtë pjesë të Adriatikut.

Shumica e udhëtarëve në “Norman Atlantik” ishin shtetas grekë, ndërsa mbi 100 prej tyre ishin të huaj, nga Italia, Turqia, Shqipëria, Gjermania dhe vende të tjera që po udhëtonin nga Patra për në Ankona.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu