Nuk mund të luhet me Epokën

0
450

Afrim Morina:

Fragment nga libri “Shkapërderdhja e energjisë kombëtare

Çdo pëllëmbë e truallit shqiptar u la me gjakun e martirëve për të parë lirinë, por kaloi shekulli e gjysma e Shqipërisë ende është e mbërthyer në pranga robërie dhe atë nga armiqtë më barbar dhe më të liq që njeh historia. Para historianëve shqiptar dalin detyra të mëdha për të ndriçuar çdo epokë dhe moment historikë, por jo të nisur nga paragjykimet e ditës, por të mbështetur në argumente shkencore dhe shkrimet e tyre të jenë me kompetencë, e jo t’iu bie vlera ende pa hyrë në dyert e shkollave e në Universitet. Këtë e theksova me qellim, duke u nisur nga fakti se sot gjendemi në një mjegullnajë të interpretimit të historisë, varësisht nga klanet politike dhe të historianëve.

Më erdhi mirë kur morra ftesë për të kremtuar këtë pesëmbëdhjetë vjetor të Pranverës së përgjakshme të rinisë studenteske të vitit 1981. Pranverë që do t`i prijë një epoke historike. Atëherë iu çjerr maska titizmit, që edhe sot gjallojnë reliktet e tij, para opinionit kombëtar dhe atij ndërkombëtar. Që në fillim vasalët e Beogradit, me të gjitha mjetet që i kishin në dispozicion, mjetet e informimit difuziv, policisë, shtypit, komiteteve të Lidhjes Komuniste dhe gjykatave, u munduan ta çrrënjosin frymën revolucionare që ishte akumuluar me dekada dhe përcjellë nga brezi në brez. Fara patriotike që ishte hedhur nëpërmjet veprimtarëve, literaturës ilegale, folklorit, rapsodëve e sidomos pas kremtimit të njëqind vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në këtë pranverë filloi të japi frytet e para që ka mundur për të parë çdo bashkëkombës.  Nocioni i Lirisë forcohej për çdo ditë dhe radhët e luftëtarëve të saj gjithnjë e më tepër shtoheshin dhe erdhëm në Pranverën e vitit 1990. Tërë ai arsenal i okupatorit që u përdor nuk mundi të thej revolucionin, por për habi në këtë vit të lindjes së partive politike, lexojë në shtypin tonë “Marksist-Leninistët janë më të rrezikshëm se uniforma e okupatorit. Mërgata shqiptare në perëndim është e lidhur me UDB-në e Beogradit. Demonstratat e vitit 1981 i ka organizuar UDB-ja dhe KGB-ja.“ dhe shumë parulla të ngjashme nga njerëzit kompetent, e që kësaj radhe nuk e kam ndermet t’i përmendi me emra. Për të gjitha këto nuk e panë të arsyeshme që dikush nga kreu politik t’i demaskonte dhe kështu erdhëm në dhjetëvjetorin e tyre, pa e shënuar fare këtë fillim epoke të historisë kombëtare. Përvjetorët përcilleshin në heshtje njëri pas tjetrit gjer në këtë përvjetor. I dhamë vend meritor kësaj ngjarje apo e bëmë sa për sy e faqe se duhet përkujtuar?!

Me sa jam i informuar, programin satelitor të TVSH-së e investon Qeveria e Kosovës, nëse nuk është e vërtetë kjo, se publikisht ka dalë se jepen 90.000 DM në muaj, të demantohet. Gjithë ky përvjetor u përcoll me një tryezë të rrumbullakët, kur dihet për ngjarjet ditore në Shqipëri, ta zëmë eksodin nga Durrësi, ka pasur më së paku dhjetë orë program që është emetuar nëpërmjet TVSH-së. Nuk e panë të arsyeshme të mbahet asnjë simpozium, sesion shkencor apo një manifestim qendror që do të emitonte TVSH-ja. Të gjitha le të mbetën në ndërgjegjen e atyre që kanë mundur t`i bëjnë këto, e nuk i bënë. Këto takime që po bëhen në qendra komunale, më tepër kanë ngjyrën e përkujtimit. Të lëmë me një anë se çka u shkrua në Prill- Maj të vitit të kaluar në revistën “Koha“ nga Hivzi Islami dhe Skender Blakaj, por si mund të arsyetohet artikulli i 31 Janarit të këtij viti, mu në prag të pesëmbëdhjetë vjetorit të këtyre ngjarjeve, që çdo komb do ta kishte për nder dhe do të krenohej me djalërinë e saj, ku në “Rilindja Demokratike“ shkruan se demonstratat e vitit 1981 i ka organizuar UDB-ja e Beogradit dhe KGB-ja Ruse. Askush nuk e ngriti zërin kundër këtij shkrimi. Kush përfiton nga kjo?!

Kemi militant të vrarë gjatë këtyre viteve dhe asnjë gjysmë minute në emisionin “Kujtesë“ të TVSH-së nuk kemi për ta. Pse minimizohet kjo ngjarje? A mund të luhet me një epokë historike? Ku është ndërgjegjja e historianëve dhe politikanëve? Mos duhet marrë leje nga udhëheqësit politikë për të shkruar? Sa është duke e kryer detyrën e vet “Bujku“ në këtë përvjetor?

Për të mos e zgjatur më shumë po i japi disa shifra që do të pasqyrojnë luftën e pa ndërprerë të qytetarëve të komunës tonë ndërmjet viteve 1945-1995. Të dënuar politikisht gjithsejtë janë 95 veta, prej tyre katër femra. Me strehim politik në shtetet e Perëndimit dhe Shqipëri janë 28 veta. Të vrarë janë 11. Zenun Kepa është dënuar me vdekje. Ekzekutimi i tij është bërë në prezencën e familjes dhe bashkëfshatarëve. Ai është mbytur nga torturat më barbare në pranverë të vitit 1947. Dy janë të vrarë në aksionin e ndërmarr nga policia: Jakup Shaban Jakupi nga Mushtishti në vitin 1952 në shtëpinë e tij dhe Besim Ndrecaj në Maj të vitit 1995. Një është vrarë në demonstrata të vitit 1989, Nysret Gashi nga Peçani, tre janë vrarë në demonstratat e vitit 1990: Mustaf Veselaj nga Reçani i vrarë në Prishtinë dhe dy të vrarë në Suharekë: Melit Kryeziu nga Suhareka dhe Nebih Asllani nga Gjinoci. Në këtë territor të komunës sonë është vrarë edhe veprimtari Ibrahim Lutfiu (për të cilin thuhet se ka bërë vetëvrasje) më 1950. Ky pesë vitet e fundit të jetës së tij, veprimtarin ilegale, kryesisht e ka bërë në këtë komunë. Nga pasojat e operacionit në burgun qendror të Beogradit vdes në Zvicër veprimtari Fadil Vataj nga Sallagrazhda në prill të vitit 1990. Në demonstratat që u bënë në Suharekë u plagosën 21 veta (këto janë shënime vetëm për ata që janë trajtuar në spital), katër prej tyre kanë mbetur me pasoja të rënda shëndetësore. Një grua ka dështuar djalin tetë muajsh gjersa i maltretonin vjehrrin.

Jemi në një kohë kur duhet të bëhemi shpinë për shpinë, jo të ndarë nëpër parti politike dhe të jep secili atë që mundet për çlirim kombëtar, duke mos i mohuar gjakun, mundin  as djersën kurrkujt. Vetëm të bashkuar dhe me punë vetëmohuese mund të fitojmë lirinë, duke kryer porosinë e të rënëve dhe duke kryer detyrën për gjeneratat që po rriten në këto kushte robërie.

Punimi i lexuar me 20.04.1996,Doberdelan të Therandës

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu