Obama vendos tërheqjen nga Kosova, frikë për pushtim territoresh nga Serbia

0
826

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane paraqet argumentet për mbajtjen e pranisë amerikane në Kampin Bondsteel. Flasin Joe DioGuardi President dhe Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit. Kosova përballet me pasiguri serioze pasi është e parakohshme për Shtetet e Bashkuara të sinjalizojnë largimin e tyre nga Kosova, sepse ajo është e vetmja pengesë e vërtetë ndaj qëllimeve ekspansioniste të Serbisë. Reagime ka pasur edhe nga autoritetet shqiptare, flet dhe kryeministri Berisha

Uashington DC, 1 Janar 2012 NOA/Luan Mazreku – Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur që të tërhiqet ushtarakisht nga Republika e Kosovës, por lajmi është pritur keq nga disa analistë dhe diplomatë shqiptaro-amerikanë të cilëet lëshojnë alarmin për pasiguri të mundshme në Kosovë.

Zyrtarisht Uashingtoni thotë se ka vendosur që për vitin që sapo ka hyrë të ekzekutojë shkurtime në buxhetin e Departamentit të Mbrojtjes dhe kjo do të përfshijë mbylljen e disa bazave ushtarake amerikane në SHBA dhe jashtë vendit e mes tyre Kosova, raporton bashkëpunëtori i agjencisë së lajmeve NOA.al

Nisur nga ky fakt, kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane Joe DioGuardi, Këshilltarja për Çështje të Ballkanit Shirley Cloyes DioGuardi dhe disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Bordit të Drejtorëve të LQSHA-së janë takuar këto ditë me Kongresistin Buck McKeon (R-CA) në Manhattan.

Qëllimi i takimit ishte që Kongresisti McKeon, i cili është Kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, të informohet shkurtër për përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës dhe nevojën për të zgjidhur konfliktin para se largimi i planifikuar i trupave amerikane nga Kampi i Bondsteel-it të ndodh.

Prezantimi që lexuesit e NOA mund të gjejnë të plotë në vijim, u bë nga Shirley Cloyes DioGuardi në emër të Lidhjes Qytetare në mbështetje të mbajtjes së lidershipit amerikan në Kampin Bondsteel:

“Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm për faktin se shkurtimet do të bëhen në buxhetin e Departamentit të Mbrojtjes dhe se kjo do të përfshijë mbylljen e disa bazave ushtarake amerikane në vend dhe jashtë vendit.

Gjatë vitit të kaluar është raportuar se Kampi Bondsteel, i cili u ndërtua në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara pasi sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë i dhanë fund luftës së Kosovës në qershor të vitit 1999, do të vihet nën komandën turke.

Meqenëse Turqia është një aleate e fortë e Kosovës, në teori largimi i trupave amerikane nga Kampi Bondsteel do të kishte kuptim. Megjithatë, në praktikë, unë do të argumentoja se është e parakohshme për Shtetet e Bashkuara të sinjalizojnë largimin e tyre nga Kosova, pasi ajo është e vetmja pengesë e vërtetë ndaj qëllimeve ekspansioniste të Serbisë.

Në fund të luftës së Kosovës Beogradi krijoi dhe financoi strukturat paralele politike dhe ekonomike në veri të Kosovës të drejtuara nga serbët e Kosovës.

Me vetëm një kundërshtim në formë retorike boshe nga Perëndimi, Beogradi ka qenë në gjendje ta destabilizoje Kosovën, dhe me atë, edhe rajonin për më shumë se një dekadë. Beogradi ka qenë në gjendje të ketë dorën e sipërme në veri, sepse vetëm 85 vende kanë njohur pavarësinë e Kosovës (SHBA ishte e para) që kur ajo shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008.

Serbia ka thënë vazhdimisht se ajo ka për qëllim ta bëj të përhershme dhe realitet de jure ndarjen e tanishme de facto të veriut të Kosovës, dhe kjo është më afër realizimit, në një masë të madhe për shkak të mosveprimit nga ana e administratës së Obama-s. Administrata e Obama-s ka zgjedhur që të marrë një rol dytësor prapa Evropës kur është fjala për Kosovën dhe Ballkanin. Përderisa në sipërfaqe kjo do të dukej të jetë një vendim logjik pasi që Amerika është zhytur në luftë në Afganistan, megjithatë është një gabim. Siç e di mirë Kongresi, sa herë që Amerika ka marrë një dytësor prapa Europës në Ballkan, Shtetet e Bashkuara kanë paguar çmimin në fund të fundit me “gjak dhe thesar”.

Kriza në veri u përshkallëzua me 23 nëntor 2011 kur serbët e Kosovës u përleshen me trupat NATO-s (të njohur si KFOR), duke plagosur rëndë 21, në përpjekjet e tyre për të ruajtur barrikadat që i kishin ngritur që në shtator për të bllokuar zyrtarët e doganave kufitare të Kosovës që ata të mos mund të shkojnë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Katër trupa të NATO-s dhe gjashtëmbëdhjetë civilë serbë u plagosën dhe një polic shqiptar e një serb u vranë në përleshjet e mëparshme.

Zyrtarët e doganave të Kosovës të ndihmuar nga përfaqësuesit e BE-së, kanë qenë duke u përpjekur që të heqin barrikadat dhe që të udhëtojnë deri në kufi në mënyrë që të zbatojnë një marrëveshje paraprake doganore që u nënshkrua bashkërisht nga negociatorët në bisedimet Prishtinë-Beograd,

të cilat filluan në pranverën e kaluar në Bruksel dhe janë duke u lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, ekstremistët në veri të mbështetur nga Beogradi refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës dhe duan ta parandalojnë qeverinë e Kosovës që të shtrijë autoritetin e saj në të gjithë territorin.

Siç deklaroi me të drejtë një raport i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, “konflikti në veri jo vetëm që i vë serbët e veriut kundër Kosovës dhe Kosovën kundër Serbisë, por edhe Serbinë kundër Bashkimit Evropian.”

Kjo është arsyeja përse Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e cila është një grup vullnetar avokues që përfaqëson shqetësimet e 750.000 shqiptaro-amerikanëve, beson se Shtetet e Bashkuara duhet të vonojnë largimin e saj nga Kampi Bondsteel deri sa konflikti në veri të jetë zgjidhur.

Për fat të mirë, dinamikat ndryshuan më 9 dhjetor kur kryeministrja gjermane Angela Merkel me sukses parandaloi BE-në nga dhënia Serbisë e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE këtë muaj. Serbisë iu tha se deri në Mars duhet të demonstrojë se ka shpërbërë barrikadat në veri të Kosovës dhe se ka lejuar lirinë e lëvizjes për trupat e KFOR-it dhe zyrtarët e BE-së dhe Kosovës.

Merkel tashmë ka sinjalizuar një ndryshim të ri e premtues në mbështetjen e pandërprerë të BE-së për Beogradin kur ajo u takua me presidentin serb Boris Tadiç në Beograd në gushtin e kaluar dhe i tha atij se nëse Serbia dëshiron të arrijë statusin e vendit të kandidatit për anëtarësim në BE, ajo duhet të arrijë rezultate në dialogun me Kosovën, duhet të shfuqizojë të gjitha strukturat paralele të paligjshme në veri të Kosovës, dhe përfundimisht të njohë sovranitetin e plotë e të pandarë të Kosovës gjatë integrimit të Serbisë në BE. Edhe pse Serbia dëshironte të arrinte statusin e vendit kandidat deri në fund të vitit 2011, Tadiç iu përgjigj kërkesave të Merkel-it duke thënë se Serbia nuk do t’i lëshonte pe BE-së për Kosovën. Tani ai përballet në mënyrë të qartë me një zgjedhje në mes të pranimit nga BE-ja dhe mbajtjes mbi Kosovën.

Ka shumë gjasa që Tadiç të provojë ta mbajë veriun dhe kjo do të vërë Kosovën dhe Evropën Juglindore në rrezik të një dhune të re. Duke përqendruar vëmendjen amerikane diplomatike dhe ushtarake në Kosovë dhe në Ballkan tani, ne mund të parandalojmë një konflikt të kushtueshëm dhe potencialisht vdekjeprurës në muajt përpara.

Reagime ka pasur edhe nga autoritetet shqiptare. Kryeministri Sali Berisha thotë se prania ushtarake amerikane është vendimtare për stabilitetin. Rreziku nga nacionalistët është ende real, ka thënë Berisha për agjencinë “Bloomberg”.

Nacionalizmi nuk është zhdukur nga rajoni, thekson Berisha, i cili premton se gjatë vizitës së ardhshme në Beograd, do t’i thotë Presidentit serb Boris Tadiç, se vendi i tij duhet të pranojë vendimin e 22 korrikut të GJND-së, duke njohur legjitimitetin e deklaratës së Kosovës për pavarësi nga Serbia më 2008.

Trupat amerikane janë të nevojshme në Kosovë për të siguruar paqen në rajon, në një kohë kur ndarjet sektare mbizotërojnë në politikat e rajonit, ka thënë z. Berisha.

l.m/e.t/NOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu