Oliver Ivanovuc i inkriminuar në vrasjet e Shqiptarëve në 2000

0
744

Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, boshnjakja Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi janë vrarë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriorë të Mitrovicës. Këta persona janë vrarë dhe masakruar nga grupi kriminal serb ‘Rojat e Urës’ 12 vjet më parë, të udhëhequr nga ish-shefi i atëhershëm i këtij grupi Oliver Ivanoviq. Këtë operacion të vrasjeve, të masakrimit dhe dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës e ka udhëhequr bashkërisht MUP i Serbisë, me në krye ish-komandantin Dragan Delibashiq, dhe Oliver Ivanoviqi.

Për këta dy udhëheqës të këtij operacioni, si dhe shumë kriminelë të tjerë ekzistojnë fakte në një dokument të policisë së UNMIK-ut, i njohur me emrin “Pandora”.

Deri më tani për këto 10 vrasje të shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe dëbimit të mbi 12 mijë të tjerëve nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe askush nga këto grupe ende nuk është përballur me drejtësinë.

Shaip Canhasi, në varrezat e qytetit të Vushtrrisë ka varrin e bashkëshortes së tij, Remzijes, që u vra 12 vjet më parë. Botërisht dihet se ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, kurse 1 564 familje shqiptare me gjithsej 11 364 persona u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës.

Dëshmitë bëjnë me dije se në atë kohë grupet kriminale serbe brenda një nate iu vërsulën familjeve jo-serbe që jetonin në pjesën veriore, duke vrarë 6 persona, ndërsa 4 persona të tjerë humbën jetën më pas nga plagët e marra nga armët zjarri dhe granatat e përdorura gjatë sulmit. Dhjetëra qytetarë kryesisht shqiptarë u plagosën, ndërsa edhe qindra familje janë detyruar të kalojnë në bregun jugor të lumit Ibër, duke lënë prapa disa shtëpi në flakë. Shaipi, ka pohuar se nuk do ta harrojë kurrë atë natë, kur 6 plumba nga një armë me shurdhues, e lanë të vrarë bashkëshorten e tij Remzijen.

“Isha në korridor së bashku me gruan dhe një polic ndërkombëtar kur një turmë njerëzish qëlluan 6 herë nga një armë me shurdhues dhe gruaja ime ra përtoke e vdekur, ndërsa plumbat e kishin marrë në qafë. Vrasësit thyen dyert dhe u futën brenda në ndërtesë, ndërsa polici i UNMIK-ut vetëm bërtiste: UNMIK-UNMIK”, tregon Shaipi, i cili tani jeton i vetmuar në një dhomë në pjesën jugore të Mitrovicës dhe i mllefosuar nga fakti se vrasësit ende janë të lirë.

“Nuk ka drejtësi nga të huajt, të vrarët e asaj nate shkuan dëm dhe kurrkujt kurrgjë. Institucionet e Kosovës nuk interesohen për këtë çështje, sepse tuten mos këta të huajt po u thonë se janë ekstremistë”, vijon më tej ai.

Ish-kryeprokurori i qarkut të Mitrovicës, Jusuf Mejzini, në lidhje me vrasjet e 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës, ka deklaruar se të gjitha këto raste janë hetuar nga policë dhe prokurorë ndërkombëtarë. “Ne vendorët nuk kemi pasur qasje në këto hetime, gjyqtarët kanë përfunduar misionin e tyre në Kosovë dhe neve nuk na është dorëzuar asnjë lëndë për këto raste”, ka thënë Mejzini. Çka ndodhi më vonë dhe në çfarë faze të hetimeve janë ne nuk e dimë”, ka shtuar ai.

Burime të besueshme, në kushte anonimiteti, kanë theksuar se Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë ka disponuar vetëm një lënde, atë të çiftit, Nezir e Shqipe Voca, të vrarë gjatë kësaj nate. Kjo që ka një fletëparaqitje kundër personit N.N. dhe këtë lënde ia kemi kthyer policisë që të gjejnë vrasësit”, ka thënë burimi. Prokuroria shumë herë ka kërkuar të dihet se deri ku ka arritur policia me hetime, por përgjigjja nuk është marrë”.

Sipas burimit, rastet në të cilat të dyshuarit janë dituar me emër e mbiemër janë marrë nga prokurorët ndërkombëtarë, por prokurorët vendorë nuk dinë se çfarë ka ndodhur me to. Ish-kryetari i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, Kapllan Baruti në lidhje me këto vrasje ka theksuar se “në gjykatë nuk ka asnjë lëndë të inicuar e as të proceduar për këtë çështje”.

Për Muharrem Sokolin ka pasuar një procedurë gjyqësore, janë arrestuar tre veta dhe më pas janë liruar nga gjykatësi ndërkombëtar, është marrë aktgjykim lirues me numër vendimi P-45-02 dt: 04.09 2002. “Të gjitha dokumentacionet për këto raste kanë mbetur në gjykatën në veri dhe kam frikë se mos janë dëmtuar”, ka shtuar Baruti.

Burime brenda policisë dhe prokurorisë, në kushte anonimiteti, thonë se kohë më parë është dashur që të arrestoheshin tre persona dhe ata t’i dorëzohen prokurorisë, por deri më tani për shkaqe politike një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sipas këtyre burimeve, disa raste i janë dorëzuar prokurorisë dhe gjyqësisë, por nuk ka ndonjë të dhënë se çfarë ka ndodhur me to. Po sipas këtyre burimeve, në këto sulme ishin të përfshirë shumë persona, por qytetarët ende ngurojnë të flasin për atë që kanë parë atë natë për arsye të situatës që mbretëron në veri të Mitrovicës.

S. Z., S. Zh. dhe B.J,, shtetas serbë nga pjesa veriore e Mitrovicës, janë shpallur të pafajshëm nga gjykatësi ndërkombëtar Timothy Clayson, në procesin e mbajtur në vitin 2002 në lidhje me vrasjen e Muharrem Sokolit (51). Këta persona ishin liruar nga paraburgimi pasi prokurori ndërkombëtar, Michael Hartmann ka vlerësuar se nuk ka mjaft dëshmi për gjykimin e tyre. Muharrem Sokoli ishte rrahur nga një grup serbësh deri në humbje të vetëdijes, ndërsa më pas i ishte hedhur edhe një bombë që ia kishte marrë jetën.

Ndërsa për rastet e Nderim Ajetit (13) dhe të Nerimane Xhakës, sipas këtyre burimeve, kanë ekzistuar fletëparaqitje penale kundër të dyshuarve: Ish- kryepolici serb Dragan Delibashiq, ish-shefi i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës dhe udhëheqësin e rojeve të urës, Oliver Ivanoviq, dhe qytetarëve I.V., N. V., S.M. dhe S.L. dhe në këto dy raste prokurori Hartmann kishte vlerësuar se nuk ka fakte dhe se duhet hequr dorë nga ndjekja tyre.

Në rastin e Remzije Canhasit, të vrarë para syve të burrit të saj, burimet pohojnë se janë zhvilluar hetimet ndaj B.A., M.A., R.A. dhe V.M. Prokuroria në këtë rast ia kishte kthyer dosjen policisë ndërkombëtare për grumbullimin e më shumë fakteve dhe dëshmive, por sipas burimeve nuk është mësuar kurrë për fatin e këtij rasti.

Halit Barani, shef i KDMLNJ-së në Mitrovicë, thotë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare. “Prej kujt mund të presim që t’i kryejnë hetimet, kur ata vetë nuk bëjnë asgjë që t’i parandalonin këto vrasje”, thotë Barani, i cili pohon se ka dëshmitarë që pohojnë se në mesin e sulmuesve atë natë ka pasuar edhe njerëz që paraqiten publikisht si liderë politikë të serbëve të Kosovës, siç është Oliver Ivanoviq.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu