Opsioni i Nixonit për Iranin?

0
846

Nëse Obama do ta rrokte bajrakun në riformësimin e një marrëveshjeje dhe procesi me të cilin SHBA-ja dhe të tjerët të flasin me Iranin, progresi do të ishte më i lehtë. Bisedimet e Stambollit hapën derën për një marrëveshje fillestare. SHBA-ja tani ka një mundësi të hartojë mënyra të reja për të eksploruar terren të përbashkët dhe të arrijë një zgjidhje më të qëndrueshme politike

Washington – Riaranzhimi i karrigeve në kuvertë nuk do të shpëtonte Titanikun. Njësoj kështu, as debati i pafund në tryezën e negociatave për Vietnamin nuk i dha fund këtij konflikti malinj. Megjithatë, shumë presidentë amerikanë i kanë ridizajnuar suksesshëm bisedimet me këshilla përplot mënyra të reja dhe të vendosura për të forcuar sigurinë kombëtare pa luftë. Një vendosmëri e tillë tani është më se e domosdoshme në negociatat rreth programit bërthamor të Iranit.

Më 1933, Franklin D. Roosevelt negocioi personalisht me ministrin e Jashtëm sovjetik, Maxim Litvinov, për të hapur marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve. Dwight D. Eisenhower e ftoi Nikita Khrushchevin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1959 për t’ia hapur sytë liderit të parë sovjetik që vizitoi ndonjëherë Amerikën. Bisedimet bilaterale SHBA-Kinë në Varshavë gjatë viteve 60-të ishin të pafrytshme derisa Richard M. NIxon dhe këshilltari i tij për siguri kombëtare, Henry Kissinger, hapën një diskutim ndryshe, më të drejtpërdrejt nëpërmjet Pakistanit.

Negociatat ndërkombëtare me Iranin rreth programit të tij bërthamor kanë po ashtu nevojë për një koncept të ri dhe agjendë më të gjerë. Takimi i Stambollit muajin e kaluar dha një shenjë pozitive. Të dyja palët vendosën të gjejnë një mënyrë për të shmangur shtegun e kundërpadisë së dyanshme dhe shkëmbimeve sterile. Dyert tani janë të hapura për një marrëveshje të hershme me synime modeste.

Por mos llogarisni në këtë epokë të re pa përfshirë në të ndonjë formë të drejtpërdrejtë të diskutimeve SHBA-Iran. Bisedimet me pesë anëtaret e përhershme të KS të OKB-së, plus Gjermaninë, janë formulative, stagnuese dhe nuk kanë shumë gjasa për të sjellë ndonjë përparim si të vetme. Iranianët ndihen të “pushtuar” në pjesëmarrës të ndryshëm me agjenda të ndryshme. SHBA-ja duhet të rishqyrtojë ambientin për të siguruar që Irani të jetë i gatshëm për kompromis.

SHBA-ja duhet të insistojë për bisedime bilaterale. Një mësim i ofruar nga ish-presidentët amerikanë është vlera e kontakteve të drejtpërdrejta, të nivelit të lartë me kundërshtarët kryesorë. Natyrisht, një takim ballë për ballë me presidentin Barack Obama dhe Ajatollahun Ali Khamenei duket absurd për t’u marrë me mend – tani. Por a mund të ishte dukur ndonjë takim më absurd në vitin 1969 se sa takimi i vitit 1972 ndërmjet Nixonit dhe Mao Zedongut?

SHBA-ja dhe Irani duhet të krijojnë hapësirën për të shkuar drejt diskutimeve të gjera bilaterale për pikëpamjet mes tyre, sigurinë kombëtare dhe planet për përmirësimin e mirëkuptimit të dyanshëm me qëllim të minimizimit të dallimeve.

Edhe pa bisedimet e drejtpërdrejta SHBA-Iran tani, negociatat aktuale duhet të riformulohen. Pesëshja plus Gjermania duhet të vazhdojnë të negociojnë me Iranin për programin e tij të pasurimit të uraniumit, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA) duhet të negociojë me Iranin për forcimin e transparencës për sa i përket programit bërthamor. Iranianët duan t’i zgjidhin problemet e tyre drejtpërsëdrejti me IAEA-në dhe të shmangin negocimin nën hijen e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat i imponojnë sanksione Iranit për ta detyruar atë që të suspendojë pasurimin.

Kjo situatë sugjeron një qasje të ndarë në faza. Së pari, gjatë bisedimeve në Bagdad, P5+1 mund të kërkojë një marrëveshje të ndërtimit të besimit, mbi të cilin Irani vullnetarisht të heqë dorë nga pasurimi mbi njëzetë për qind në izotopet e zbërthyeshme U-235 dhe të distancohet nga përzierja e stoqeve të tilla të uraniumit, që është në një shkallë afër asaj të prodhimit të armëve bërthamore. Gjithashtu do të mund të kërkohej që ta pushojë aktivitetin në uzinën nëntokësore në Fordov, që është afër Qomit, në shkëmbim të përfitimit për shufrat e reaktorit kërkimor të Iranit dhe do të pasonte një ngrirje e disa sanksioneve.

Së dyti, P5+1 do të mund të pajtohej për një masë të caktuar të pasurimit iranian si një nismë që Irani të arrijë paralelisht një marrëveshje me IAEA-n për një transparencë më të madhe. Këta hapa paralelë do të riformulojnë procesin për të arritur një objektiv kyç amerikan: marrja e garancisë se Irani do t’i qëndrojë besnikë fatvas së Khameneit (dekretit fetar) kundër armëve bërthamore.

Së treti, të dyja palët do të kenë nevojë të definojnë objektivat afatgjatë të negociatave. Derisa IAEA-ja kërkon që Irani të pajtohet për një transparencë më të madhe, Irani dëshiron të dijë ku do të çojnë marrëveshjet, në mënyrë të veçantë në aspektin politik.

Iranianët mendojnë se sa herë që afrohen në bashkëpunim me SHBA-në, del një problem tjetër që bllokon marrëdhëniet e përmirësuara. Irani dëshiron ta dijë se cilat sanksione mund të shtyhen, të ngrihen ose të tërhiqen në shkëmbim të koncesioneve të fundit dhe atyre të ardhshme, duke u frikësuar se SHBA-ja do të vazhdojë me zbatim të sanksione për të drejtat e njeriut, sigurisë apo të çështjeve të tjera.

SHBA-ja, nga ana e saj, e shikon Iranin si një negociator të dyshimtë dhe të pabesueshëm që është i zotuar të vazhdojë programin për armë bërthamore dhe joserioz në bisedime. Ka ardhur koha të testohen qëllimet e Iranit, duke arritur diçka që mund të përcaktohet në marrëveshja në dy faza – një proces më afatgjatë dhe hap pas hapi me veprime reciproke, ku secila palë duhet të japë diçka për të marrë atë që kërkon.

Në fund, madje edhe me një progres hap pas hapi në programin atomik iranian, janë të nevojshme diskutime më të gjera për të adresuar shumë çështje jobërthamore që kërcënojnë stabilitetin rajonal. Nuk ka kohëve të fundit ndonjë forum për të diskutuar për Afganistanin, Irakun, trafikimin e drogës, sigurinë e Gjirit Persik, komunikimet emergjente për të shmangur konfliktin aksidental, dhe burimet e mosbesimit dhe keqkuptimit të thellë.

Disa prej këtyre diskutimeve mund të përfshijnë përfaqësues të shteteve që nuk janë pjesë e P5+1, përfshirë qeveritë që kanë marrëdhënie të afërta me Iranin. Për të organizuar diskutime të këtyre çështjeve më të gjera, SHBA-ja dhe të tjerët duhet të kërkojnë mundësi të emërimit të një të dërguari special – mbase një burrështetas me autorizim të OKB-së – për ta angazhuar Iranin në mënyra të reja.

Nëse Obama do ta rrokte bajrakun në riformësimin e një marrëveshjeje dhe procesi me të cilin SHBA-ja dhe të tjerët të flasin me Iranin, progresi do të ishte më i lehtë. Bisedimet e Stambollit hapën derën për një marrëveshje fillestare. SHBA-ja tani ka një mundësi të hartojë mënyra të reja për të eksploruar terren të përbashkët dhe të arrijë një zgjidhje më të qëndrueshme politike.

(Autori ka shërbyer si ambasador amerikan në Çekosllovaki dhe Venezuelë dhe si president i Asociacionit të Kombeve të Bashkuara prej vitit 1999 deri më 2009.

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”

 

William H. Luers

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu