Organet e shitjes

0
899

Në njërën anë duan që ta copëtojnë ndërmarrjen në disa pjesë. Ashtu ndahet e dobësohet sindikata e punëtorëve, aty dhe zvogëlohet rezistenca ndaj privatizimit. Ndarja e ndërmarrjes i paraprin ndarjeve të sindikatës dhe ndarja e sindikatës pasohet me përçarje të punëtorëve. Privatizimi kryhet më shpejt dhe më kollaj. Mirëpo, në anën tjetër, nuk duan të merret vesh se në cilin organ të ndërmarrjes është problemi kryesor. Meqë korrupsioni është arsyeja e privatizimit, e tërë ndërmarrja shpallet e korruptuar në mënyrë që ajo të shitet e tëra. Nëse do të lokalizohej korrupsioni në një a dy organe të ndërmarrjes, atëherë do të mund të intervenohej në ato organe dhe ndërmarrja do të shërohej e do të jetonte. Rrjedhimisht, ajo s’do të kishte nevojë të shitej. Ama kjo nuk është zgjidhja por vetë problemi sepse ndërmarrja doemos duhet shitur. Nuk i paraprin fakti i korrupsionit procesit të privatizimit, por intenca e privatizimit nxjerr në pah korrupsionin. Dhe, më tutje, ky korrupsion nuk shfaqet në shumësinë e fakteve të tij me të cilin do duhej të merret prokuroria, por rrëfehet si dukuri e përgjithshme që veçse privatizimi po aq i përgjithshëm mund ta eliminojë.

Ashtu qysh ndërmarrja nuk lejohet të zbërthehet në organe për të parë se cilat organe janë të sëmura për t’i shëruar më pastaj, ngjashëm korrupsioni nuk zbërthehet në dëshmitë konkrete të cilat do t’i trajtonte sistemi gjyqësor. E gjithë ndërmarrja, i gjithë trupi, pa organe të dallueshme në të, shpallet i sëmurë. Pasi që i gjithë trupi është i sëmurë, ai është edhe i pashpresë, apo jo? Sëmundja është gjithëpërfshirëse dhe shërim nuk ka. Ndërmarrja duhet shitur pa humbur kohë dhe pa shikuar çmimin. Sepse ndërmarrja është trup i sëmurë dhe trup pa organe. Për t’u shitur i gjithë trupi ai duhet të jetë edhe i sëmurë i tëri edhe pa kurrfarë organesh të diferencuara brenda tij. Duke mos pasur organe të veçanta të trupit nuk ka organe që duhen përmirësuar dhe njëkohësisht trupi është i sëmurë veçse tërësisht. Paralelisht me këtë, edhe korrupsioni po ashtu duhet të jetë sëmundje e pazbërthyeshme. Korrupsioni është korrupsion i pandashëm, korrupsion i gjithë ndërmarrjes, i tillë që s’mund t’i përkasë këtij apo atij organi. Korrupsioni është korrupsion i tërë trupit dhe jo i ndonjë organi të trupit që gjithashtu është trup i tërë pa organe të brendshme. Korrupsioni i pandashëm i ndërmarrjes së pandashme nuk mund të shpiejnë diku tjetër përpos te privatizimi total. E natyrisht se ky rezultat përherë ishte vetë qëllimi.

Konsistencë e përsosur? Po, sikur marrëdhënia shitës-blerës të ishte marrëdhënie e pastër subjekt-objekt. Pra, sikur shitësi të ishte subjekti të cilit i nënshtrohet blerësi si objekt. Në fakt, këtu vlen e kundërta: blerësi është subjekti i vërtetë dominimi i të cilit shkon aq larg saqë e objektifikon shitësin. Privatizimin e nis privatizuesi, jo anasjelltas. Korporatat e ndryshme dhe qeveritarët e kthyer në biznesmenë e fillojnë privatizimin konkret në një ndërmarrje të caktuar. Se kur dhe si nis privatizimi i një ndërmarrje të posaçme përcaktohet prej blerësve, jo prej shitësve. E blerësit mund të mos e duan krejt ndërmarrjen. Ose, blerësit mund të mos e duan krejt ndërmarrjen përnjëherë. P.sh. ata mund ta duan ndërmarrjen organ për organ (sic.), sikurse në rastin e KEK-ut. E duan Distribucionin e KEK-ut, por nuk e duan bazenin e thëngjillit, nuk e duan transmisionin dhe nuk e duan gjenerimin. Ose, ndoshta këto i duan ca më vonë. Njëherë e duan vetëm një organ të trupit: Distribucionin. Të tjerat, më vonë. Kështu, e gjithë përgatitja për shitje të ndërmarrjes së KEK-ut si një trup i sëmurë pa organe përfundon në shitje të organeve më të shëndosha pa trup.

Argumentimi mbi sëmundjen gjithpërfshirëse të trupit sjell konkluzionin e nxjerrjes së organeve që s’janë të sëmura, ose që s’janë aq të sëmura sa të pashërueshme. Prandaj, kjo mënyrë e privatizimit në Kosovë është transplantim organesh. Ne shesim organet tona më të shëndosha që i blejnë të huajtë për trupat e tyre. Nga një trup pa organe, KEK-u po shndërrohet në shumësi organesh pa trup. Na thonë që jemi të sëmurë, aq të sëmurë saqë nuk kemi organe të sëmura, se jemi trup pa organe dhe trupëzim i sëmundjes. Mirëpo, pikërisht përmes shitjes së ndonjë organi të shëndoshë apo jo aq të sëmurë bëhemi të përdorshëm e të dobishëm për dikë tjetër (meqë jemi të pashpresë për veten tonë). Organet tona, organet e KEK-ut, bëhen të diferencueshme vetëm përmes shitjes së tyre. Ne marrim vesh se kishim pasur organe mu atëherë kur ato ne nuk i kemi më. Kur organet tona i merr tjetërkush, mësojmë se ne paskemi pasur organe dhe se ato madje qenkan edhe vitale. Njëherë s’kemi organe të sëmura sepse s’kemi fare organe veç trup. Mandej kemi pasur organe që paskan qenë edhe të shëndosha sepse na i morën. Organet nuk janë, dhe organet janë vetëm si organe të shitjes. Nuk i kemi njëherë organet të cilat më pas i shesim, por kuptojmë se kemi pasur organe vetëm pasi t’i kemi shitur ato.

Shitja e organeve i paraprin organeve dhe jo anasjelltas. Këto janë organe që vetëm privatizimi i sjell në ekzistencë. Privatizimi në ne si përvetësim që bën tjetri tek ne. Privatizimi i këtillë transplantues po e transformon KEK-un nga një trup pa organe në organe pa trup. Ky privatizim shënon momentin e vrasjes. Ndërmarrjet në Kosovë vriten kur shiten. Goditja vdekjeprurëse është e dyfishtë. Privatizimi e shndërron kapitalin në pronë dhe pronën në mall. (Nga pronësimi i kapitalit, pra kapitalizmi, kalohet te kontrolli i tokës, pra feudalizmi). Përmes privatizimit, Qeveria e Kosovës i degradon ndërmarrjet në objekte e gjësende të cilave ua ka marrë shpirtin dhe tash i shet si mall thuajse është i saj. Në çasin që është shitur një ndërmarrje prodhuese si aset, ajo është vrarë dhe është shndërruar në kufomë të cilës ia nxjerrin organet pastaj. Ndërmarrjes i merret shpirti për t’iu marrë edhe organet.

Në vend të demokracisë dhe zhvillimit, në Kosovën e pasluftës u instaluan doktrinat e stabilitetit dhe privatizimit. Stabiliteti ishte edhe stabilitet për privatizim. Stabilitet i pacientit në sallën e operacionit teksa doktorët ia marrin organet. Pas anestezionit stabilizues, gjithsesi dora e kirurgut mbetet e fshehur.

 

Shkruan: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu