OVL – UÇK- do të verifikoi listat

0
776

OVL UCK

(E Plotsuar) Takimi ndërmjet rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu, Ministrit të Arsimit Ramë Buja dhe përfaqësuesve të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është zhvilluar me mjaft tensione.
Burime brenda takimit i kanë thënë Gazetës Blic se ministri Ramë Buja ka qenë një lloj ndërmjetësi në mes të rektorit Zejnullahu dhe përfaqësuesve të veteranëve të UÇK-së.
“Ka pasur mjaft vështirësi deri në arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet dy palëve. Ministri Buja pas disa përpjekjeve ka arritur që t’i bindë palët për një pajtueshmëri. Veteranët në njërën anë kërkonin që me automatizëm të pranohen të gjithë studentët, derisa rektori e ka mbajtur qëndrimin që tashmë është publik, se gjithçka duhet të shkoj në bazë të ligjit. Nuk ka qenë e lehtë arritja e kësaj pajtueshmërie, që të formohet një komision, që do të verifikoj listën e dërguar nga OVL- të UÇK-së”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic brenda takimit.
Sipas këtij burimi, tashmë palët janë pajtuar që të verifikohen listat, edhe pse kjo kërkesë ka qenë fillimisht e papranueshme për veteranët.
Ndërkaq, publikisht përfaqësuesit e veteranëve shprehen të bindur se do të pranohen të gjithë studentët. “Ne i besojmë ministrit dhe të gjithë studentët brenda një jave do të pranohen”, thanë Smajl Elezaj nga ana e veteranëve.
Ndërkaq, pas takimit ministri i Arsimit, Ramë Buja ka thënë se do të formohet një komision, dhe se ka premtuar që brenda javës tjetër të gjindet një zgjidhje.
Ndërkohë, rektori Zejnullahu ka thënë se as nuk vjen në shprehje dorëheqja e kërkuar nga veteranët e UCK-së.

****************************

Qindra pjesëtarë të familjeve të veteranëve të luftës kanë protestuar të enjten para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke këmbëngulur në pranimin me automatizëm të 1000 fëmijëve të veteranëve të luftës.

Por, një kërkesë e tillë është refuzuar në vazhdimësi nga rektori i këtij Universiteti, Ramadan Zejnullahu, i cili ka kërkuar që të bëhet verifikimi i listave të këtyre studentëve, pasi që ka pasur dyshime të bazuara se ka manipulime në listat e veteranëve. Në këto lista madje besohet se ka kandidatë që i kanë të dy prindërit gjallë.

Protesta e veteranëve që ka filluar dje në orën 11:00 dhe ka vazhduar deri në orët e pasdites, me ç’rast protestuesit disa herë kanë provuar me forcë të futen brenda Rektoratit, por janë penguar nga Policia e Kosovës.

Në orët e mbrëmjes së të enjtes përfaqësuesit organizativë të protestave kanë arritur marrëveshje me Rektoratin dhe Ministrinë e Arsimit për formimin e një komisioni që do ta bëjë verifikimin e listave, me ç’rast brenda shtatë ditëve do të zgjidhet kjo çështje. Në fakt kjo ka qenë edhe kërkesa e Rektoratit, duke i kërkuar veteranëve që t’i sjellin certifikatat që vërtetojnë se prindërit i kanë dëshmorë..

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu