OVL-UÇK mund të garojë në zgjedhje

0
794

Prishtinë, 23 nëntor – Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo organizatë të garojë në zgjedhjet parlamentare me një listë zgjedhore.

Xhemajli ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë në rast se deri në zgjedhjet parlamentare nuk bëhet verifikimi i veteranëve dhe miratimi i Ligjit për Vlerat e Luftës së UÇK-së. “Ekziston një ide, që në zgjedhjet e përgjithshme OVL-UÇK-ja të dalë me një listë zgjedhore. Pra, është duke u diskutuar që edhe OVL-UÇK-ja të marrë pjesë në zgjedhjet nacionale për t’u bërë pjesë e Kuvendit në mënyrë që t’i mbrojë interesat e veteranëve të luftës çlirimtare”, ka thënë Xhemajli në një intervistë për “Epokën e re”. Ai është shprehur i shqetësuar me trajtimin institucional të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së. Sipas tij, veteranët e luftës së UÇK-së janë duke u përballur me probleme të shumta. “Disa prej tyre ballafaqohen me mungesë të kushteve elementare për jetesë. Po ashtu, veteranët ballafaqohen edhe me probleme shëndetësore dhe psikologjike. Tani tek veteranët kanë filluar të ndihen edhe pasojat e luftës. Si rezultat i gjithë kësaj, kemi rreth gjashtë mijë veteranë të cilët jetojnë pa asnjë lloj ndihme dhe pas asnjë lloj të ardhurash”, ka deklaruar Xhemajli.

Ai ka thënë se, për shkak të problemeve të ndryshme, që nga përfundimi i luftës 26 veteranë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje. Po ashtu, Xhemajli është shprehur i pakënaqur për mënyrën e trajtimit të luftëtarëve të UÇK-së nga ana e institucioneve ndërkombëtare. Duke iu referuar ngritjes së aktakuzës për “Grupin e Drenicës”, Xhemajli e ka akuzuar EULEX-in për sjellje jokorrekte ndaj luftëtarëve të lirisë. Ai ka bërë me dije se do të protestojnë para gjykatës ditën kur do të fillojë gjykimi i “Grupit të Drenicës”.

Kryetari i OVL-UÇK-së ka folur edhe për çështjen e verifikimit të veteranëve të luftës. Ai ka vlerësuar se ky proces është duke u zvarritur pa nevojë. Sipas tij, përgjegjës për zvarritjen e këtij procesi është Agim Çeku, i cili drejton Komisionin Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve të UÇK-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu