OVL’të mirëpresin pushimin e hetimeve ndaj Sylës

0
792

(E plotësuar) Lajmit për pushimin e hetimeve ndaj ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, nuk i është gëzuar vetëm ai personalisht, por këtë këtij gëzimi i janë bashkëngjitur edhe bashkëluftëtarët e tij.

OVL të UÇK-së, përmes një komunikate për media ka përshëndetur vendimin e Prokurorisë së EULEX-it për ndërprerjen e hetimeve ndaj ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla.

“Që nga fillimi i këtij procesi, OVL të UÇK-së ka qenë e bindur se është fjala vetëm për një tentim të njollosjes së njërës nga figurat emblematike të UÇK-së. Ne asnjëherë nuk i kemi besuar shpifjeve dhe insinuatave të individëve dhe grupeve të caktuara kundër krerëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga OVL të UÇK-së.

Më tej në komunikatë thuhet se “orvatjet e të gjithë atyre që tentojnë të njollosin luftën çlirimtare dhe bartësit e saj, do të dështojnë”.

Prokuroria pezullon hetimet ndaj Azem Sylës

Prokuroria e EULEX’it ka pezulluar hetimet ndaj Azem Sylës, deputet i PDK’së dhe ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së.

Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media të avokatit të tij, Tomë Gashit.

“Ne para disa ditëve kemi marrë njoftimin me shkrim prej prokurores së rastit të EULEX-it me të cilin ajo na ka njoftuar se hetimet kanë përfunduar, se është pezulluar krejtësisht procedura ndaj Azem Sylës dhe ai më nuk do të përballet me akuza të kujtdo qoftë lidhur me këtë rast. Në formë të shkruar prokurorja na ka njoftuar se janë pezulluar hetimet kundër tij, pra kundër Azem Sylës, bastisja e cila ka qenë atëherë spektakulare tashmë veç është vërtetuar se ka qenë krejtësisht e panevojshme dhe qëllim keqe”, ka thënë ai.

Në vendimin e prokurorisë së EULEX-it të datës 25 tetor 2012 dërguar avokatit të Sylës, Tomë Gashit, ndër të tjera shkruan se sa i përket kërkesës së dytë, para fundit të vitit do të paraqitet vendimi për pushimin e hetimeve lidhur me klientin tuaj.

Gashi ka shtuar se Azem Syla kurrë nuk ka dashur të merret personalisht me akuzat e Nazim Bllacës, por ato ia ka lënë drejtësisë.

Ai shpreson se akuzat e Bllacës ndaj klientit të tij, Azem Syla, nuk e kanë dëmtuar kredibilitetin e këtij të fundit.

Sipas tij, në këtë rast është mirë që prokuroria e EULEX-i i ka bërë hetimet, sepse po t’i bënin hetimet prokurorë vendorë, do të mund të keqkuptohej dhe të thuhej se vendimi në të mirë të Azem Sylës ka ardhur si shkak i ndikimit të tij në drejtësinë kosovare.

Ndonëse Nazim Bllaca kohë më parë në paraqitjen e tij para mediave, ndër të tjera, kishte adresuar edhe një varg akuzash të rënda ndaj ish-Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, Gashi thotë se ky i fundit nuk kishte ndenjur duarkryq, por iu kishte kundërvënë Bllacës duke bërë kallëzim penal ndaj tij për të gjitha veprimet dhe shpifjet që ai i kishte bërë në adresë të Sylës.

“Azem Syla faktikisht ka kërkuar hetime për rastin, për shpifje në rastin e tij dhe të tjerëve, e jo që është mbrojt me heshtje. Heshtja nuk ka qenë arma që e ka përdorë në këtë rast, por ka qenë krejtësisht e kundërta që ai në formë të shkruar ka kërkuar prej prokurorive kompetente që të merren me rastin e shpifjeve që janë bërë kundër tij”, ka thënë ai.

Në këtë drejtim ai ka thënë se ka marrë përgjigje nga prokuroria e EULEX-it se do të merren me këtë çështje dhe do të njoftojnë për rastin.

Në arsyetimin e kallëzimit penal të Sylës ndaj Bllacës, ndër të tjera shkruan se “Arsyeja e kërkesës sime që të më njoftoni mbi epilogun e hetimeve të juaja zyrtare është që pas përfundimit të hetimeve zyrtare kundër Nazim Bllacës, unë do të ndërmarr veprime të caktuara juridike dhe ligjore në mbrojtje të dinjitetit tim, për shkak të shpifjeve dhe gënjeshtrave të cilat me deklarimet e tij më 29.11.2009 i ka plasuar në media-opinionin kosovar i paraqituri”.

Kurse, Azem Syla ka thënë se vitet sa ai ishte nën hetime kanë qenë të rënda për të, duke shtuar se është mirë se ato të cilat i ka thënë kohë më parë Nazim Bllaca, tash kanë dalë gënjeshtra.

“Ju them sinqerisht se këto dy vite kanë qenë vite të renda, akuza më të ndryshme, jo vetëm Azem Syla që është përballur me akuza të tilla, por edhe shumë shokë të luftës, shumë figura të luftës së UÇK-së. Kjo është një e mirë edhe për vetë shokët e mi, vetë Azem Sylën, familjen, rrethin, shokët dhe të gjithë popullin që vërtet doli një gënjeshtër që është thënë para dy vitesh, që këto të thëna nga një person që s’ia përmendi emrin, kanë qenë shpifje, gënjeshtra, por mos harroni se kanë qenë të qarqeve të caktuara, qoftë serbe, qoftë edhe të tjera, të liga ndaj shqiptarëve. Andaj është një e mirë që e vërteta dhe ato që janë thënë para dy vite janë shpifje dhe rrena, dolën të tilla”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga të gjithë që luftën e shenjtë të UÇK-së ta ruajnë e jo ta etiketojnë, pasi që, sipas tij, është obligim i të gjithëve që kjo luftë të mbrohet nga shpifjet ndaj saj dhe atyre që morën pjesë në të.

Syla po ashtu ka kërkuar nga mediat që ta plasojnë çdo rast dhe të mos e kursejnë askënd, por sipas tij, duhet që të publikohen gjërat ashtu siç janë, e jo të ketë tendenca të natyrave të ndryshme për persona të caktuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu