Pablo Neruda, mes Poezisë dhe Politikës

0
972
Pablo Neruda nuk u harrua asnjëherë

Pavarësisht se personazhe të njohura të letrave iu kundërvunë pikëpamjeve politike të Nerudës, ata vlerësuan gjithnjë poetin që gjendej në të. Gabriel Garcia Marquez e ka cilësuar atë si “poeti më i mirë i shekullit të 20-të në çdo gjuhë”.

Pablo Neruda nuk u harrua asnjëherë, as në vitet më të egra të diktaturës së Pinoçetit. Në funeralin e tij, edhe pse burgjet e stadiumet ishin përplot me të burgosur, parakaluan tre mijë guximtarë. Gati 40 vjet më pas, Partia Komuniste kërkoi zhvarrimin e trupit për t’i bërë autopsinë. Pritej të vërtetohej nëse ia mori jetën kanceri në pankreas, me të cilin bashkëjetonte prej disa kohësh apo një injeksion helmi. Një kërkesë që nuk ka se ç’t’i shtojë më shumë asaj që dihet: Meksika kishte dërguar një avion për të shpëtuar poetin, por pikërisht një ditë para nisjes së tij, papritur gjendja e tij përkeqësohet dhe shuhet brenda disa orësh.

Trupa ushtarake e udhëhequr nga Pinoçeti (që sot në Kili, sipas ministrit të Edukimit, nuk duhet të quhet më diktaturë) vazhdoi të ndjekë edhe jashtë militantët e së majtës duke i vrarë në të shumtën e rasteve pa gjyqe dhe këtë e bëri për vite me radhë. Për Augusto Pinoçet, Pablo Neruda nuk ishte një problem i lehtë. Poeti adhurohej jashtë (në vitin 1971 kishte marrë çmimin ‘Nobel’ për letërsi), por ishte edhe shumë popullor brenda vendit të tij për vargjet, por edhe për udhëtimet aventuriere në rininë e tij nga Rangon në Singapor e Batavia (Xhakartë). E kishte filluar që herët karrierën diplomatike në Lindjen e Largët e pastaj u zhvendos në Europë. Me shkëputje të shkurtra, si pasojë e qeverive ultrakonservatore, kjo karrierë zgjati deri pak para vdekjes.

Pablo Neruda (që në realitet quhej Neftalí Ricardo Reyes Basoalto dhe që e kishte zgjedhur atë pseudonim që në publikimet e tij të vitit 1920, kur ishte vetëm 16 vjeç), ishte aktivizuar seriozisht në disa fushata elektorale dhe ishte zgjedhur disa herë senator. Në vitin 1938, pas fitores së parë të qeverisë së Frontit Popullor drejtuar nga don Pedro Aguirre, u nominua konsull në Paris me misionin për të shpëtuar sa të mundte republikanët spanjollë. Më 1948-n regjimi konservator i Gabriel Gonzalez Videla e shkarkoi si senator. Neruda u përndoq për një vit të tërë dhe para se të arratisej në Argjentinë, në të gjithë botën e dinin të vdekur. Nga ana tjetër, në shumë vende, bezdisej vazhdimisht nga kontrolle policeske. Ishte e natyrshme që në ditën e vdekjes së tij të hidheshin dyshime për një shfarosje të poetit. Autopsia e kërkuar së fundmi, pas asaj të bërë për Salvador Allende (e cila konfirmoi se ishte vetëvrarë për të mos rënë në duart e militantëve), nuk është përfunduar ende, por pak gjë do të ndryshojë: Nuk ka dyshim që te Neruda, junta ushtarake nuk shihte poetin, por njeriun që nga Meksika mund të bëhej një pikë referimi e besueshme për rezistencën. Në çdo rast ishte një simbol i asaj që grushti i shtetit donte të shkatërronte.

Pablo Neruda (1904-1973) vdiq vetëm disa ditë pas grushtit të shtetit që rrëzoi qeverinë e Allende. Popullariteti i Nerudës ishte i padiskutueshëm, por figura e tij ishte kontradiktore. Në bindjet politike të Nerudës ka ndikuar fuqishëm klima në të cilën u formua. Në autobiografinë e tij, “Rrëfej se kam jetuar”, thotë se: “Edhe pse teserën e mora shumë vonë në Kili, kur hyra zyrtarisht në parti, besoj se e kam pozicionuar veten si komunist gjatë Luftës Civile të Spanjës”. Lufta e Spanjës e kishte gjetur në Madrid, ku gjendej me detyrën e konsullit, pasi kishte qenë në Barcelonë. I shkarkuar më vonë nga kjo detyrë, edhe si qytetar i thjeshtë, Neruda kishte një rol të rëndësishëm në mobilizimin europian për mbrojtjen e qeverisë legjitime spanjolle. Por ndërsa denonconte me zell krimet frankiste, aq më tepër kur mes viktimave ishin miqtë e tij të shtrenjtë si Federico García Lorca apo Miguel Hernandez, mungesa e përvojës politike e bënte që të mos shihte aspekt tjetër të luftës, përveçse represioneve të anarkistëve, të vërteta apo të hamendësuara nga njerëzit e Stalinit.

Këtë marrëdhënie të dyfishtë të tij me stalinizmin e përcaktonte besnikëria e verbër ndaj Partisë Komuniste kiliane, besim që do ta ruante deri në vdekje. Thotë se ka pasur miq anarkist, por në kujtimet e tij, të cilat i përfundoi pak ditë para se të vdiste, vazhdon të përsërisë denigrimin stalinist mbi ta. Neruda e shprehu adhurimin për Stalinin edhe përmes rreshtave të poezive dhe pikërisht kjo kontradiktë në figurën e tij bëri që të kishte shumë diskutime në vitin 1971, kohë kur ai ishte nominuar për çmimin “Nobel”. Disa nga anëtarët e komisionit nuk i kishin harruar poezitë e Nerudës ndaj Stalinit, por përkthyesi i tij suedez, Artur Lundkvist, bëri të pamundurën që poeti kilian ta merrte këtë çmim. Pavarësisht se personazhe të njohura të letrave iu kundërvunë pikëpamjeve politike të Nerudës, ata vlerësuan gjithnjë poetin që gjendej në të. Gabriel Garcia Marquez e ka cilësuar atë si “poeti më i mirë i shekullit të 20-të në çdo gjuhë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu