Pacolli bindi 20 shtete, ngeci të Ahmeti dhe Thaçi

0
453

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk arriti dot që ti bindë dy liderët shqiptarë në Maqedoni, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin që të bashkohen me qëllim që të forcojnë pozitat e shqiptarëve. Edhe pos përpjekjeve të zëvendës kryeministrit Pacolli, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi nuk u pajtuan plotësisht. Takimet e para që pati Pacolli me Thaçin dhe Ametin ishin të suksesshme , mirëpo qëllimin përfundimtar nuk mundi ta arrinte.
Burime të “Lajm”-it nga zyra e kryeministrit të Kosovës pohojnë se që të dy liderët shqiptarë edhe pse qëllim kryesor kanë përforcimin e pozitave të shqiptarëve në Maqedoni, nuk pranojnë që të hynë në koalicion, pasi koalicionimi u duket i paarsyeshëm në këto momente. “As Thaçi dhe as Ahmeti nuk janë të gatshëm që të marrin një vendim të tillë”, tha i njëjti burim.
Burime nga partitë shqiptare në Maqedoni thonë se e vlerësojnë rolin e zëvendës kryeministrit Pacolli, por theksojnë se për momentin nuk ka nevojë për negociata për unifikim.
“Ne nënshkruam një marrëveshje për fushatë fer dhe korrekte dhe këtë marrëveshje e respektuam në tërësi. Në këto momente nuk ka ndonjë shkas tjetër për takim mes Ahmetit dhe Thaçit, sepse nuk ka pasur ndonëj acarim të raporteve mes dy partive, përkundrazi tani raportet janë mjaft të relaksuara”, deklaruan të njëjtat burime.
Zëvendës kryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli para tre javëve ishte në Tetovë ku u takua me Thaçin dhe m Ahmetin. Takimi i dytë që pritej të realizohej shumë shpejt, akoma nuk është realizuar. Arbër Gecaj, Këshilltar i lartë i zëvendës kryeministrit, Pacolli pat thënë për “Lajm” se pajtimi i dy liderëve shqiptarë të Maqedonisë është një ndër prioritetet e zëvendës kryeministrit të Kosovës.
Pacolli edhe pse ka pas mjaft sukses në bindjen e botës për ta njoh pavarësinë e Kosovës, kësaj radhe nuk arriti dot që ti bindte Thaçin dhe Ahmetin.
Pacolli arriti që të bindë mbi 20 shtete që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Duke aktivizuar makinerinë e tij lotuese, tashmë priten edhe njohje të reja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu