Pacolli s’jep dorëheqje, shkrimet i cilëson shantazh

0
755

Prishtinë, 21 shtator – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk e ka ndërmend të ofrojë dorëheqje pas implikimit të tij në aferën e hotelit “Grand”. Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës e ka bërë të ditur këtë qëndrim të enjten në faqen zyrtare të tij në rrjetin social Facebook përmes një letre të titulluar “Të nderuar miqtë e mi”.  Kryetari i Aleancës Kosova e Re i ka quajtur “pikë e vogël në oqean” ata që po kërkojnë dorëheqjen e tij.

“Nëse më pyetni çka mendoj për shkrimet, opinionet dhe deklarimet publike të disa opinionistëve që janë bërë në mediet tona këto ditë, atëherë unë u përgjigjem se ka pasur shkrime me karakter informativ, të interesit publik, por shumica e tyre, sipas mendimit tim, kanë qenë me prapavija politike, shantazhuese, kanë pasur karakter destruktiv që dalin jashtë normave të një gazetarie profesionale. Bile ka pasur edhe njerëz të tillë dhe medie të tilla që kanë kërkuar ‘kokën’ time”, ka shkruar Pacolli. “Unë atyre iu përgjigjem se po të ishit vetëm ju në pyetje unë menjëherë do të tërhiqesha nga pozita ime, do t’i kthehesha punës dhe familjes time dhe ajo do të më kursente shumë kohë, energji dhe financa, një gjë që e pret familja ime. Por fatmirësisht ata janë vetëm një pikë e vogël në oqean, dhe se qytetarët e Kosovës, miqtë e mi vlejnë për mua shumë dhe për ta unë tani sakrifikoj çdo gjë”. 

Pacolli ka treguar se momentalisht gjendet në SHBA.

“Tani jam në udhëtim zyrtar në Nju-Jork dhe nëse duhet t’i përgjigjem pyetjes se pse s’kam dalë në media, atëherë them se unë u besoj organeve të drejtësisë dhe vetëm ato janë kompetente për përgjigjet në pyetjet e medieve”, ka thënë ai. “Jam shumë i qetë kur e di se asgjë nuk i kam marrë Kosovës, i kam dhënë sipas mundësive të mia, dhe këtë do të vazhdoj ta bëj. Me mua nuk bëhen allishverishe dhe ekziston një gjë e shenjtë për ata që dëshirojnë të punojnë me mua, sinqeriteti, dashuria ndërnjerëzore dhe respekti”. 

Lideri i AKR-së raportin e tij mbi situatën e “Grandit” e ka elaboruar edhe me një mesele.

Pas publikimit të skandalit rreth privatizimit të hotelit “Grand” nga “Koha Ditore”, në seancën e së hënës së kësaj jave të Kuvendit të Kosovës, kishte qenë deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi, ai që kishte kërkuar dorëheqjen e Pacollit. Kërkesën për dorëheqje morale të zëvendëskryeministri Pacolli, Krasniqi e kishte arsyetuar duke thënë se po e bazon në zhvillimet e fundit rreth përfshirjes së zyrtarëve të qeverisë në afera që dyshohen për korrupsion.

“Institucioni i moralit politik i cili duhet të funksionojë vazhdimisht, e sidomos me këto zhvillime, e kërkon dorëheqjen nga funksioni medoemos dhe në mënyrë të parevokueshme për të krijuar hapësirë institucionale veprimeve të drejtësisë”, kishte thënë Krasniqi.

Rasti i “Grandit” sipas tij është goditja më e rëndë mbi imazhin e Qeverisë.

“Nuk kemi pasur asnjëherë goditje më të rëndë mbi imazhin e Qeverisë”, kishte thënë ai. Sipas Krasniqit do të ishte e moralshme që Pacolli, i cili nuk e ka pasur guximin të bëjë denoncim të menjëhershëm në organet e drejtësisë për çështjet që janë ngritur, të japë dorëheqje me ç’gjë do të krijohej mundësia për rishikimin e koalicionit aktual qeverisës. 

Deputeti i PDK-së i kishte bërë thirrje kryeministrit të vendit, që pas këtij rasti, të mendojë për ndryshime serioze në koalicionin qeverisës. Ai kishte kërkuar reformatim me mundësi të zgjerimit me partnerë të tjerë, por me kërkesën që PDK-ja të ruajë rolin udhëheqës.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe biznesmeni Remzi Ejupi, kanë denoncuar në polici ish-zëvendësministrin Astrit Haraqijën, deputetët Ukë Rugova e Naser Osmanin dhe biznesmenin Gazmend Abrashi, për kërkim ryshfeti për zhbllokimin e shitjes së “Grandit”, në emër të të ndjerit Dino Asanaj, i cili bëri vetëvrasje para dy muajsh në zyrën e tij në Prishtinë. Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, fillimisht i ishte ofruar deputeti i LDK-së, Naser Osmani, i cili në atë kohë ishte anëtar i Bordit të AKP-së dhe kryetar i Komisionit për çështjen e “Grandit”, duke insistuar që të bisedonte direkt me Dino Asanajn. Pak kohë më vonë në shtëpi i kishin shkuar kolegu i tij në Qeveri, zëvendësministri i Financave, Astrit Haraqija, dhe kryetari i listës “Ibrahim Rugova”, deputeti Ukë Rugova. Në atë ndenjje, sipas Pacollit, i janë kërkuar afro 4 milionë euro. Të gjitha këto nuk janë denoncuar me kohë nga zëvendëskryeministri Pacolli.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu