Padi për dy deputetët e Vetëvendosjes!?

0
727

Prishtinë, 24 tetor – Disa nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke përfshirë edhe dy deputetët Galuk Konjufca dhe Liburn Aliu shumë shpejt mund të përballen me gjyqin, për shkak se kanë “gisht” në rrokullisjen e kamionit me mallra serbe.

Drejtuesi i kamionit, Fatmir Hajdari, i ka konfirmuar gazetës “Zëri”, se është në fazën finale të përgatitjes së dokumentacionit për ngritjen e një padie penale ndaj aktivistëve dhe dy deputetëve të Vetëvendosjes!, të cilët “ndërsyen” ditë më parë rrokullisjen e kamionit në afërsi të Lupçit, në magjistralen Prishtinë-Podujevë, duke i shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Mirëpo, për Lëvizjen Vetëvendosje! nuk është brengosëse ngritja e padisë dhe mundësia e arrestimit të nënkryetarit të Kuvendit, Glauk Konujfca dhe deputetit Liburn Aliu.

“Pronari i kamionit është duke e kompletuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ngritjen e padisë penale ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes, duke përfshirë edhe dy deputetët, të cilët kanë qenë pjesë e aksionit. Fajtori dihet, dhe në këtë drejtim nuk ka dilema, sepse tashmë janë xhirimet dhe normalisht ne si palë e dëmtuar do të kërkojmë kompensimin e dëmeve të mëdha që na janë shkaktuar”, ka thënë Fatmir Hajdari për “Zërin”.

Ai ndërkaq, ka pohuar se tashmë është bërë kërkesa në Gjykatën Komunale për formimin e një komisioni, i cili do të bëjë vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar atë ditë. Aktivistët dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkarkuar mallin, i cili ishte prodhim i “Centro Proizvod” nga Beogradi dhe më pas e kanë rrotulluar kamionin, për ta bërë të palëvizshëm. “Kamioni që është rrokullisur nga Vetëvendosje është dëmtuar në masë të madhe, deri në 70 për qind, por edhe i gjithë malli.

Vlera e përgjithshme e kamionit sillet diku rreth 75 mijë euro, e që sipas një përllogaritjeje del se vetëm dëmet e kamionit janë rreth 50 mijë euro, dhe 20 mijë euro mall”, ka thënë Fatmir Hajdari, drejtues i kamionit.

Erzen Vraniqi nga Vetëvendosje! ka thënë se partia e tij aspak nuk brengosët për ngritjen e padisë dhe mundësinë e arrestimit të dy deputetëve, pasi që sipas tij, gjithçka ka qenë në të mirën e qytetarëve të Kosovës. Madje, ai ka zbuluar një detaj se dy aktivistët e arrestuar që më pas ishin liruar, Sali Zyba dhe Arbëri Krasniqi, nuk janë as duke u paraqitur në polici, ashtu sikurse kishte marrë vendim Gjykata për paraqitjen e tyre një herë në javë në stacionin policor.

Mirëpo, kryeprokurori në Prokurorinë Publike Komunale, Haki Gecaj, ka konfirmuar se për rastin e rrokullisjes së kamionit në afërsi të Lupçit në magjistralen Prishtinë-Podujevë nga ana e aktivistëve të Vetëvendosjes është bërë kallëzimi penal ndaj Sali Zybajt dhe Arbëri Krasniqit. “Rasti është nën hetime për dy vepra penale, gjegjësisht për pjesëmarrje në grup dhe prezantim i rremë. Kallëzimi penal ka ardhur vetëm ndaj personave që kanë qenë të implikuar, por në bazë të asaj se çfarë kemi parë edhe publikisht duket qartë se aty kanë qenë të involvuar më shumë persona.

Aty janë identifikuar edhe deputeti Glauk Konjufca dhe Liburn Aliu, por tash për tash jemi në fazën e hetimeve”, ka thënë Gecaj. Sipas tij, prokurori që po heton rastin është duke i mbledhur provat. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar ditë më parë se nëse vërtetohet që në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe deputetët të Vetëvendosjes, atëherë ata do të arrestohen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu