Pakënaqësi dhe në Diasporë

0
648

neuhof

Statusi i veteranit:

Kërkohet korrigjim i listave dhe përfshirje e veprimtarëve që kishin pozita me përgjegjësi në kuadër të luftës çlirimtare.

Në Neuenhof të Zvicrës u mbajt një takim i bashkëveprimtarëve nga ish-Lëvizja Popullore e Kosovës dhe ish-Fondi „Vendlindja Thërret“. Takimi ishte ftuar pas shprehjes së pakënaqësisë lidhur me listat e publikuara të veteranëve nga Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit. Të pranishëm ishin bashkëveprimtarë kryesisht nga Zvicra, por kishte edhe nga ata që kishin ardhur nga Gjermania e Franca kurse përmes internetit dhe formave tjera të komunikimit, mendimet e tyre kishin paraqitur edhe ish-veprimtarë nga SHBA, Austria, Suedia, Danimarka etj. Fokus i së cilës ishte shprehja e pakënaqësisë lidhur me refuzimin e disa veprimtarëve që kishin pozita me përgjegjësi në LPK dhe në Fondin „Vendlindja Thërret“.

Ishte një diskutim i gjatë, me ide të ndryshme se si mund të tejkalohej kjo gjendje. Vlen të theksohet se në këtë takim kishte shumë nga ata që e kishin fituar statusin e veteranit, por shprehnin pakënaqësi lidhur me mospërfshirjen e bashkëveprimtarëve të tyre në këto lista.

Kërkesë e përbashkët e të pranishmëve ishte korrigjimi i listave, ku do të mund të përfshiheshin të gjithë ata që kishin kontribuar në fuqizimin e luftës çlirimtare në Kosovë të udhëhequr nga UÇK-ja. Për këtë ata iu drejtuan Komisionit Qeveritar me një deklaratë ku shprehën qëndrimet e tyre lidhur me statusin e veteranit të UÇK-së.

Në deklarate kërkohet që komisioni Qeveritar të marrë parasysh strukturat drejtuese të ish- LPK-së dhe redaksinë e Zërit të Kosovës, për shkak të përgjegjësive dhe detyrave të veçanta si dhe strukturën organizative të fondit „Vendlindja Thërret“, kurse kërkohet që të gjendet edhe një formë e njohjes së kontributit të donatorëve përmes statusit të veteranit – pjesëtar.

Në fund u caktua edhe një komision i cili do të kontaktojë me Komisionin Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit, për të qartësuar listat e

publikuara. 

DEKLARATË

Ne, ish bashkëveprimtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatë që ka themeluar UÇK-në, dhe ish bashkëveprimtarët e Fondit „Vendlindja Thërret“, në takimin e mbajtur sot, më 21.06.2015 në Neuenhof të Zvicrës, duke shprehur pakënaqësinë pas publikimit të listave nga Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit, dhe pas diskutimeve të shumta, duke u mbështetur edhe në Rregulloren e Fondit „Vendlindja Thërret“, të aprovuar nga Këshilli Qendror i këtij Fondi, në lidhje me përbërjen e listave të shpallura nga Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit, dhe duke i parë këto diskutime si një ndihmesë shtesë dhe të sinqertë për punën e mëtutjeshme të këtij Komisioni, dalim me këto

Q Ë N D R I M E

T’u njihet Statusi i Veteranit:

  • Anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, Dega Jashtë Vendit, dhe anëtarëve të Kryesisë (shkaku i përgjegjësive dhe detyrave të veçanta).
  • Anëtarëve të Këshillit të Nëndegëve dhe anëtarëve të Kryesisë së Nëndegëve të LPK-së, Dega Jashtë Vendit, (shkaku i përgjegjësive dhe detyrave të veçanta).
  • Anëtarëve të ish – Redaksisë së Gazetës “Zëri i Kosovës” (shkaku i përgjegjësive dhe detyrave të veçanta).
  • Strukturës Organizative të Fondit „Vendlindja Thërret“ në diasporë, që ka vepruar në bazë të rregullores së aprovuar nga Këshilli Qendror i Fondit „Vendlindja Thërret“.
  • Të gjendet një formë e njohjes së kontributit përmes Statusit të Veteranit-Pjesëtarit, të gjithë donatorëve të Fondit „Vendlindja Thërret“.

Kërkojmë nga Komisioni që të marrë parasyshë qëndrimet tona, dhe për këtë, nga ky takim, u autorizua një komision i cili do të jetë në mbështetje të Komisionit Qeveritar për verifikimin e Statusit të Veteranit, për të qartësuar dhe kompletuar listat e kategorive të lartcekura.

 

Neuenhof, 21. Qershor 2015

Shkruan:Adnan Asllani

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu