Pakti detar të mos paguhet si kosto për Statusin

0
936

Intervistë me Profesor Ksenofon Krisafin, i cili replikon me Zëvendëskryeministrin e Greqisë, Venizellos. Këshillat e ambasadorit që projektoi paktin detar me Italinë. Pse qeveria duhet të negociojë një marrëveshje nga e para dhe jo të “rregullojë” paktin e vitit 2009?

Jo bisedime për ndarjen e kufirit detar me Greqinë me kusht marrjen e statusit. Duhet një kohë e përshtatshme për negociata serioze. Këshillat për autoritetet vijnë Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi, ish-ambasadori ynë në OKB dhe ishshef i komisionit për ndarjen e kufirit detar me Italinë, që flet për gazetën “Shekulli”. “Duhet thënë se, çdo mendim se këto bisedime mund të fillojnë përpara qershorit të këtij viti, me shpresën se nëpërmjet tyre Shqipërisë do t’i hapen dyert e Brukselit, do të ishte një iluzion. Nuk është e përligjur për të paguar kosto si këto që lihen të kuptohen. Një gjë e tillë do të ishte pikënisje e gabuar”, shprehet Krisafi në intervistën e mëposhtme.

Ka disa muaj që flitet për rifillimin e negociatave. Pala greke, përmes zëvendëskryeministrit Venizellos, është shprehur së fundi se, shpreson të ratifikohet marrëveshja e vitit 2009. Kurse ambasadori grek në Tiranë ka thënë se, ka pasur tashmë dy raunde bisedimesh, në tetor në Athinë dhe këto ditë në Tiranë. Cili është opinioni juaj?

Lajmet e mësipërme nuk mund t’i besoj, sepse në se do të ishin të vërteta, nuk kishte pse t’iu vinin shqiptarëve nga qindra kilometra larg, nga Athina apo nga përfaqësuesi i saj në Tiranë. Përndryshe, vendimi do t’iu thuhej thjesht dhe qartë nga autoritetet kompetente shqiptare, nga zëdhënësi i Presidenti i Republikës, i cili ka kompetencën e duhur ligjore të nisjes së procedurave, të caktimit dhe mandatimit të delegacionit, nga zëdhënësit e Kryeministrit ose ministrit të Punëve të Jashtme, si organe kompetente që do të vazhdonin me tej procedurat e iniciuara prej tij. Nuk mund të merret me mend që kjo qeveri të bëjë të njëjtat gabime që bëri pararendësja e saj, për të cilat e paditi në Gjykatën Kushtetuese, ku e akuzoi dhe e blasfemoi me shumë të drejtë për shkeljen e interesave kombëtare, për shitjen e territorit të vendit, etj.

Por, ndërkohë, nuk ka asgjë të keqe që bisedimet të fillojnë, me qëllim që të zgjidhet drejt dhe saktë një situatë problematike. Siç është konstatuar tashmë, që prej hedhjes poshtë të së ashtuquajturës marrëveshje, Athina, nëpërmjet një gjuhe demagogjike, iu “këshillon” shqiptarëve që ta ratifikojnë atë, sepse është përgatitur me “kujdesin e saj maksimal në interesin e tyre”. Veprime të tilla të përsëritura dhe insistuese duket se nxiten nga mentaliteti i gabuar se shqiptarët vuajnë nga amnezia historike. Shkurt, situata duhet të zgjidhet, por gjithmonë dhe vetëm në respekt të kushtetutave dhe legjislacioneve të të dy vendeve, duke zbatuar me rigorozitet parimet dhe normat themelore të së drejtës ndërkombëtare për këtë çështje, duke u shkëputur nga konceptet, mentalitetet dhe përvojat e shëmtuara të së kaluarës, kur njëra palë fliste e diktonte dhe tjetra bindej dhe pranonte. Tani kohët kanë ndryshuar, nuk jemi më as në vitin 1864, kur u zyrtarizua Megali Idea, as në vitin 1878, as në vitet 1912-1913 dhe as në konferencat e paqes në mbarim të Luftës së Parë ose të Luftës së Dytë Botërore, kur me Shqipërinë u veprua si me një plaçkë tregu. Jemi në epokën e emancipimit politik ndërkombëtar, në kohën e triumfit të parimeve demokratike që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve sovrane.

Duhet thënë se çdo mendim se këto bisedime mund të fillojnë përpara qershorit të këtij viti, me shpresën se nëpërmjet tyre Shqipërisë do t’i hapen dyert e Brukselit, do të ishte një iluzion. Europa, të cilës shqiptarët i përkasin gjeografikisht dhe kulturalisht që nga lashtësia, është shumë e dëshiruar për ta, por nuk është e përligjur për të paguar kosto si këto që lihen të kuptohen. Një gjë e tillë do të ishte pikënisje e gabuar, e cila pa filluar ende, e ka të garantuar rezultatin e dështuar për palën shqiptare. Deri në qershor palët mund të shkëmbejnë vetëm mendime në parim për procedurat që do të ndiqen, por as mund t’i nisin dhe, aq më tepër, as mund t’i përfundojnë bisedimet. Çështja në fjalë kërkon negociata serioze, të përgjegjshme, nga ekspertë shqiptarë të njohur, brenda dhe sidomos jashtë vendit. Ato duan kohën e duhur. Bisedimet me Italinë zgjatën rreth 10 vjet. Vetë Greqia ka negociuar shumë vite me radhë me vende të tjera fqinje për të njëjtën çështje, për të arritur te nënshkrimi i marrëveshjeve të kësaj natyre, madje me Turqinë negociatat po vazhdojnë me dekada. Nisur nga gjithë sa thashë më lartë, dëshiroj të përsëris bindjen time se, në tetor, në Athinë, apo në shkurt, në Tiranë, duhet të jetë biseduar thjesht për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje të çështjes, të pranueshme për të dy palët.

Pse nuk i besoni fjalët e Venizellosit?

Sepse nuk mund të besohet që profesori i nderuar i së drejtës kushtetuese në Universitetin   Aristotelios të Selanikut, Sh.T. Zoti Evangjelos Venizellos, që e njeh shumë mirë raportin ndërmjet të drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, që njeh, gjithashtu, shumë mirë parimin e ndarjes së pushteteve, t’i kërkojë një shteti sovran të shkelë legjislacionin e vet, të nëpërkëmbë parimin e ndarjes së pushteteve, duke insistuar që ekzekutivi shqiptar, të hedhë poshtë një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe të detyrojë legjislativin, Kuvendin, që është organ i ndarë prej ekzekutivit, të shkelë Kushtetutën. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë autoritet shtetëror në Shqipëri, cilidoqoftë ai, që mund të guxonte t’i kthente marrëveshjes së hedhur poshtë vlerën juridike dhe t’ia kalonte atë për ratifikim Kuvendit.

Edhe një jurist i zakonshëm e di mirë se, kjo është e palejueshme dhe se, kushdo që merr përsipër t’a bëjë këtë, ka marrë përsipër përgjegjësi të mëdha, ligjore e morale. Një jurist i shkëlqyer, si Zoti Venizellos, nuk mund t’i kërkonte një juristi, gjithashtu të shkëlqyer, si Z. Bushati, ratifikimin e një akti që nuk ekziston. Do të ishte me interes të mësohej se cila është zgjidhja juridiko-kushtetuese dhe juridiko-ndërkombëtare që ka ndërmend kolegu im, profesori Venizellos, për kapërcimin e këtij handikapi juridik. Si specialist i fushës, me modesti them se, unë nuk shoh ndonjë hapësirë në këtë drejtim, prandaj mendoj se, zgjidhja racionale do të ishte që Z. Venizellos t’i transmetonte homologut të vet shqiptar propozimin zyrtar për të filluar negociatat në një kohë të përshtatshme për të dyja palët. Në se ato do të binin dakord që t’i nisin bisedimet kur të kenë përfunduar përgatitjet e nevojshme, ka rëndësi që t’iu krijojnë përfaqësuesve të tyre kushtet e duhura optimale, sipas kërkesave të Konventës së Vjenës të vitit 1969 “Për të drejtën e traktateve”, duke i lënë të qetë dhe duke mos i vënë përpara presioneve dhe ngutit të papërligjur.

Të dyja palët, por sidomos pala greke, duhet mos e përsërisin më kurrë sjelljen dhe përvojën e papranueshme të të ashtuquajturave negociata të viteve 2008- 2009. Që të mos përsëriten gabimet që u lejuan në “bisedimet” e mëparshme, duhet që, ndër të tjera, të negociohet dhe të nënshkruhet një marrëveshje krejtësisht e re, pasi ajo e vitit 2009 nuk ekziston. Ajo, madje, nuk duhet përdorur as si material ndihmës, sepse është konceptuar mbi mashtrime dhe hilé dhe, si e tillë, është krejtësisht e kontaminuar dhe e pariparueshme. Nga ana tjetër, duhet të shmangen standardet e dyfishta, sipas të cilave tjetër parim zbatohej nga pala greke për interesat e veta, dhe një tjetër i imponohej palës shqiptare, siç u veprua në negociatat e mëparshme. Nga negociatat, natyrisht, duhet të përjashtohen “ekspertët” e “delegacionit” të 2009-ës, pasi një pjesë e tyre, jo vetëm shpërdoruan detyrën, por u bënë njësh me disa politikanë dhe u shfaqën si avokatë të zellshëm të interesave greke kundër atdheut të tyre. Do të ishte mirë që politikanët të qëndrojnë larg procesit dhe t’i lënë ekspertët të bëjnë punën e tyre.

Negociatat e reja

A duhet riparë kufiri detar shqiptaro-grek?

Ksenofon Krisafi: Po, patjetër, por pa prekur përcaktimin parimor të Protokolleve të Firences, të viteve 1913 dhe 1925. Qëllimi duhet të jetë që shtrirja e kufirit në zonën ekonomike ekskluzive dhe në shelfin kontinental ndërmjet dy vendeve, të saktësohet me vullnetin e lirë të të dy palëve dhe në interesin e tyre reciprok, mbi bazën e Konventës së Vienës “Për të Drejtën e Traktateve” të vitit 1969, të Konventës së Montego Bay “Për të Drejtën e Detit” të vitit 1982, si edhe praktikës së pasur dhe interesante të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe gjykatave të tjera ndërkombëtare.

Bisedimet të miratohen nga presidenti

I pyetur se cili është roli i qeverisë dhe i presidentit në këtë proces, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi përgjigjet: “Situata mund të trajtohet drejt duke plotësuar një varg detyrimesh ligjore e konstitucionale, të karakterit formal, që nisin nga lëshimi i mandatit prej kryetarit të shtetit dhe vazhdojnë me çështje të tjera të rëndësishme, siç janë kompozimi i delegacionit me specialistë kompetentë, që ta njohin në themel çështjen dhe ta trajtojnë atë me profesionalizëm dhe denjësisht të barabartë me përfaqësuesit e palës greke. Delegacioni duhet të ideohet, të miratohet, të mandatohet, të bëhet i njohur në publik dhe të thirret për të ndërmarrë veprimet e nevojshme parapërgatitore. Presidenti duhet të ushtrojë kompetencat për miratimin e komisionit dhe të platformës së negociatave. Pasi të jenë kryer edhe një varg veprimtarish të tjera që kërkojnë kohën dhe impenjimin e nevojshëm, duhet të përgatitet e të miratohet në parim projekti i aktit që do të negociohet. Bashkë me projektin, duhet të miratohen edhe koordinatat dhe vija ndarëse e kufirit detar shqiptaro-grek, mbështetur në parimet e ekuidistancës dhe të drejtësisë (ekitesë).

Pas kësaj, ai mund t’i përcillet palës greke dhe të priten vërejtjet dhe sugjerimet e saj, të cilat duhet të diskutohen dhe të trajtohen juridikisht nga instanca shtetërore kompetente dhe t’i propozohet asaj fillimi i negociatave. Në fund dëshiroj të them se pala shqiptare nuk duhet të nisë bisedime me palën greke vetëm për çështje për të cilat ajo dëshmon interes të posaçëm, siç është rasti i mësipërm. Ajo duhet t’i kërkojë asaj, se ka një varg çështjesh me interes reciprok, të cilat duhet gjithashtu të diskutohen e të gjejnë zgjidhje, të gjitha së bashku, siç thuhet në diplomaci, të trajtohen si një package deal (paketë propozimesh). Të tilla janë çështja e pasurive shqiptare në Greqi, çështja çame, ajo e lumit Vjosa, çështja e toponimeve, vonesat në kufijtë shqiptaro-grekë për shkak “të prishjes” sistematike çdo gjashtë muaj të kompjuterëve të palës greke etj. Ky trajtim do të garantonte një spektër të gjerë vështrimi, objektivitet dhe paanshmëri, do t’i jepte fund praktikave kur pala greke prapësonte çdo kërkesë dhe propozim të palës shqiptare, ose i zvarriste ato për një kohë shumë të gjatë. Kështu do të vendoseshin themelet e paritetit sovran të palëve”.

Pakti me Greqinë të jetë vazhdim i marrëveshjes me Italinë

Ju jeni pjesëmarrës i bisedimeve me Italinë për ndarjen e kufirit detar, të cilat vazhduan një dekadë. Pse zgjatën?

Unë kam qenë kryetar i grupit të ekspertëve në hapjen e negociatave me Italinë për caktimin e kufirit detar më 1989. Pra, isha përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes, sepse në atë kohë shërbeja si shef i Shtabit të Flotës Ushtarako Detare. Kërkesa nga pala italiane ishte bërë që në vitin 1982, por pengesë kryesore ishte ligji për kufirin, ku qeveria shqiptare e kishte caktuar 15 milje gjerësinë e ujërave territoriale, kurse konventa ndërkombëtare UNCLOS e vitit 1953 nuk të lejonte më tepër se 12 milje distancë të ujërave territoriale. Kjo konventë u njoh më gjerësisht pas vitit 1982, megjithëse shtete si SHBA, Turqia, etj, nuk e kanë firmosur (edhe pse Amerika është një nga kontrolluesit kryesor të ligjit ndërkombëtar të detit).

A ka reagim të SHBA-së ndaj këtij vendimi të kohës së Enver Hoxhës?

SHBA bëri një notë më 1989 ku i bënte të ditur qeverisë shqiptare se duhej të ndryshonte këtë pozicion. Në fakt, as NATO, as Traktati i Varshavës, nuk e njihnin këtë kufi, madje e shkelnin shpesh me mjetet e tyre luftarake. Më 1990, Ramiz Alia e ndryshoi kufirin e ujërave territoriale dhe e çoi në 12 milje. Kjo i hapi rrugën bisedimeve për ndarjen e ujërave detare dhe të shefit kontinental me Italinë. Negociatat zgjatën tre vjet me takime intensive, ku merrnin pjesë disa komisione të ministrive të ndryshme, nën drejtimin e Ministrisë së Jashtme.

A kanë ngjashmëri këto bisedime me ato që kryhen me Greqinë?

Vështirësitë ishin më të mëdha se sa sot, sepse ishin të parat bisedime për ndarjen e kufirit, që zhvilloheshin mes dy vendeve të konsideruara “armike”. Përplasja e parë ishte se, ne këmbëngulëm fort për të përcaktuar vijën drejtbazë të ujërave të brendshme. Në këtë mënyrë ishim korrekt me ligjin për kufirin, por merrnin edhe më tepër hapësirë detare. Konflikti i dytë ishte për Ishullin e Sazanit. Pala italiane sillte argumentin se ishulli nuk ka statusin e tokës, pra duhej marrë me një koeficient. Edhe këtë e kapërcyem duke e quajtur vazhdim të gadishullit të Karaburunit.

E veçanta që nuk është thënë asnjëherë, është se si pika në veri (pika 1) e vijës ndarëse të ujërave mes Italisë dhe Shqipërisë, edhe pika 150 në jug, u vendosën me tolerancë largësie, pasi duheshin rishikuar koordinatat e sakta nga të tri palët. Në veri Italia, Jugosllavia (sot Mali i Zi)-Shqipëria dhe në  jug, Italia-Greqia-Shqipëria. Pra, duhej takimi tripalësh. Italia e kishte firmosur me Greqinë marrëveshjen qysh më 1977, por mungonte marrëveshja Greqi-Shqipëri. E njëjta situatë juridike është edhe në veri me pikën 1.

Në paktin e 2009-s nuk merret parasysh koncepti i ujërave territoriale…

Marrëveshja e 2009-s (tashmë jo ekzitente), është bërë me kërkesën e Greqisë. Ka një urdhër të kryeministrit për ngritjen e komisionit ndërministror mbi përcaktimin e shefit kontinental dhe zonës ekonomike ekskluzive detare. Ky urdhër është i saktë, ndërsa nga Ministria e Jashtme, e cila ngarkohej ta drejtonte procesin, me shkresën e ministrit shtonte edhe “zonat e tjera detare”. Po djalli fle në detaje. Këtë e pohoi edhe ish ministri i jashtëm grek Avramopulos, i cili do të shprehej se në marrëveshjen e 2009-s kemi prekur edhe ujërat territoriale. Ka ndryshim të madh me marrëveshjen e italo-shqiptare, ku nuk u prekën ujërat territoriale.

Cila është këshilla juaj si ekspert? Si duhet të bëhen këto negociata?

Ndarja e detit nuk zgjidhet vetëm atdhetarizëm, por duhet shkallë e lartë ekspertize. Sipas mendimit tim, komisioni duhet të këshillohet patjetër me ish-ekspertët që kanë negociuar kufirin detar me Italinë. Kjo vazhdimësi duhet, jo vetëm për eksperiencën, por sepse pika e trekëndëshit ku bashkohen vijat kufitare të tre shteteve, Italisë Greqisë dhe Shqipërisë në veri të Korfuzit, duhet të përputhet me marrëveshjen e ratifikuar me Italinë, pra të kufirit zyrtar shqiptaro-italian. Komisioni duhet të përfshijë ekspertë nga të gjitha fushat. Kur negocionim me palën italiane, përballë kishim gjithnjë më tepër se 30 specialistë italianë, ku krahas diplomatëve qëndronin topografët, gjeologët e naftës e deri te arkeologët dhe biologët.

A mund të na e shpjegoni Protokollin e Firences?

Protokolli i Firences i vitit 1925 përcaktoi kufijtë jugorë, tokësorë e detarë të Shqipërisë me Greqinë, me njohje të detyrueshme të tyre. Kufijtë detarë janë hedhur në hartat përkatëse, duke përcaktuar detyrimisht ndarjen në mes të Kanalit të Korfuzit, në mënyrë të barabartë. Theksojmë që në atë kohë, si Shqipëria ashtu dhe Greqia, ujërat territoriale i kishin 3 milje detare, po aq sa dhe Italia. Sot Italia dhe Shqipëria, me ligjet respektive të kufirit dhe në bazë të UNCLOSit i kanë ujërat territoriale nga 12 milje detare, ndërsa Greqia 6 milje detare.

 

Nga: Zamir Alushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu