Pallati i 3-Përqindëshit

0
959

(E plotësuar) Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj shkrimit të botuar në gazetën ‘Express’ ku themeluesi i LDK-së në Amerikë Musa Daka, pretendon se është e Isa Mustafës dhe është blerë me para të 3 –përqindëshit.

Reagimi i plotë i kreu të LDK-së:

“Sot, nga portali i gazetës Express kuptova se paskam një shtëpi në Sttutgard të Gjermanisë. Gazeta, duke u thirrur në Musa Dakën, thotë se pallati i trepërqindëshit, i dhënë në fotografi, është pronë e imja, Isa Mustafës, kryetar aktual i LDK-së, e blerë me para të trepërqindëshit.

Unë, Isa Jakup Mustafa nuk kam pasur dhe nuk kam blerë kurrë shtëpi private në Stuttgard, as me para të miat, as me ato të Fondit të Republikës së Kosovës.

Shtëpia që pashë në fotografinë e botuar nga Express-i dukej e madhe për modestinë time dhe aspak sipas shijes time, por meqë gazeta Express, gazeta Kosova sot, Musa Daka dhe KTV-ja e deklaruan pronë timen, unë këtë shtëpi do ta kërkoj me gjyq nga Express-i, nga Kosova sot, nga Musa Daka dhe nga KTV-ja.

I ftoj mediet që të shkojnë në Sttutgard dhe ta verifikojnë rastin para organeve gjermane dhe ta informojnë realisht opinionin.

Unë do ta mbroj personalitetin tim, prandaj do ta inicoj procedurën para organeve të drejtësisë dhe do të kërkoj dëmshpërblim në vlerë të asaj shtëpie nga ana Express-it, Kosova sot, Musa Dakës dhe KTV-së”

Pallati i 3-Përqindëshit

Kjo është shtëpia e Isa Mustafës, e ndërtuar me paratë e Fondit të 3-Përqindëshit. Të hollat ishin dhënë nga mërgimtarët me synimin që objekti të shërbejë si ndërtesë e Qeverisë në Ekzil, por Kryetari aktual i LDK’së e përvetësoi atë. Kështu deklaron Musa Daka. Sipas tij, në këtë fond, zyrtarët e LDK’së vazhdojnë të marrin para. Kjo nuk mohohet nga deputeti Naser Osmani.

Musa Daka ka nisur të nxjerrë të dhëna, sipas të cilit janë fakte, që nxjerrin në shesh sekrete për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Atij i ka mbetur shumë hatri që Isa Mustafa e ka larguar nga LDK’ja, Dega në Amerikë, prandaj edhe ka vendosur të flasë.

Por jo vetëm me fjalë.

Për t’i mbrojtur të gjitha pretendimet e tij rreth dallavereve, siç i quan ai, Daka ka prezantuar një grumbull dokumentesh.

Të gjitha këto të dhëna kanë të bëjnë me Fondin e 3-përqindëshit, për të cilin ai pretendon se ende ekziston, e madje ka njerëz që edhe sot tërheqin të holla nga llogaria e këtij fondi.

Ai ka treguar për Express edhe sekretin e një shtëpie që ndodhet në një lagje të Stuttgartit në Gjermani, për të cilën thotë se është në emër të Isa Mustafës, kryetarit aktual të LDK’së dhe i Komunës së Prishtinës.

Për këtë që thotë, prezanton edhe fotografi dhe adresë.

Objekti prej tri katesh, i cili në vitet ‘90 është ndërtuar për nevojat e Qeverisë së Kosovës në ekzil, tash nuk është më si pasuri e paluajtshme e shtetit të Kosovës.

Ai objekt i ndërtuar me Fondin e 3-përqindëshit, tashmë ka pronar.

Në dokumentin të cilin e ka bërë publik Musa Daka, i vetmi pronar i saj, sipas tij, figuron të jetë Isa Mustafa.

“Për të qenë më bindës në atë çfarë po deklaroj, unë fotografisë së ndërtesës ia kam bashkangjitur edhe emrin e pronarit dhe adresën ku ndodhet ajo”, thotë Daka për Express.

Nga ky dokumentacion, i cili është i shkruar në gjuhën gjermane, del se Isa Mustafa është pronari i vetëm i saj. “Gnesener Str. 77, 70374 Stuttgart, landi i Baden Wirttenberg, Gjermani”, shkruan në adresën e shtëpisë, për të cilën ish-veprimtari i LDK’së pretendon se i është dhënë Isa Mustafës.

E përveç pohimeve të Dakës, i cili deri vonë ishte pjesë e kësaj force politike në SHBA, kjo shtëpi nuk gjendet kund e deklaruar nga Isa Mustafa.

Ai nuk e ka përmendur asnjëherë shtëpinë në Gjermani, në dokumentacionin e tij të deklarimit të pasurisë, të cilin secili zyrtar është i detyruar ta bëjë për llogari të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Përveç pronave të paluajtshme, të cilat Mustafa i ka në Kosovë, ai asnjëherë nuk e ka deklaruar shtëpinë në Stuttgart.

Por kjo nuk është e tëra.

Musa Daka tregon se përveç Isa Mustafës, për të cilin thotë se është personi kryesor që e ka larguar nga partia, ai vendosi t’i hedhë në shesh edhe dallaveret e Bujar Bukoshit, zëvendëskryeministrit aktual të Kosovës.

Deklarata e Bukoshit se Fondi i 3-përqindëshit është kapitull i mbyllur, ka bërë që Musa Daka të nxjerrë një dokument të përbërë prej tetë faqesh.

Aty ndodhet gjendja e llogarisë së Fondit të 3-përqindëshit, për të cilin ai pretendon se ende ekziston.

Personat që i kanë tërhequr të hollat e Fondit nga kjo llogari bankare, e të cilat më pas janë transferuar në llogarinë e organizatës UFORK, figuron emri i deputetit Naser Osmani dhe ai i Atdhe Gashit, vëllait të ministrit të Ambientit, Dardan Gashi.

Këta të dy janë të vetmit persona të cilët që nga viti 2007, janë të autorizuar në Bankën për Biznes, për tërheqjen e të hollave nga paratë e mbetura prej Fondit.

Në gjetjen e llogarisë të cilën e ka publikuar Musa Daka, shihet se Osmani e Gashi çdo muaj kanë tërhequr minimum nga 6 mijë euro nga kjo llogari.

E Naser Osmani pranon se është i autorizuar në tërheqjen e të hollave nga llogaria e Fondit kosovar të 3-përqindëshit.

Madje ai thotë se autorizimin e ka me dy nënshkrime.

Por Osmani tregon se paratë nuk po i shfrytëzon për interes personal.

Osmani thotë se këto të holla i shfrytëzon në kuadër të organizatës UFORK për ndërtimin e Kosovës.

“Unë kam qenë udhëheqës i projekteve për rindërtimin e Kosovës edhe për këtë punë kam dëshmi. Janë edhe ndërtimet që i ka realizuar UFORK’u, janë gjëra publike”, sqaron Osmani për Express.

Sipas Osmanit, krejt këto të holla janë deklaruar në kuptimin e asaj që të hollat të cilat kanë mbetur nga 3-Përqindëshi, janë ndarë me periudha.

“Dihet sa janë shpenzuar gjatë viteve ‘90, sa të holla kanë mbetur pa u shfrytëzuar gjatë luftës dhe ato që kanë mbetur, pastaj janë orientuar pikërisht në ndërtimin e Kosovës”, pohon ai.

Madje Osmani thotë se është respektuar edhe kriteri i ndarjes së barabartë për të gjitha komunat.

“Me përjashtim të Prishtinës, ku me të hollat e mbetura nga Fondi është ndërtuar shtatorja e Skënderbeut dhe fshati Çabër. Në komunat e tjera kemi ndërtuar shkolla, ujësjellësa etj”, sqaron Osmani për Express, derisa për Musa Dakën deklaron se “nuk është në tokë të bukës dhe se po i ngatërron gjërat personale me pakënaqësitë e tij politike e me etiketime të njerëzve”.

“Po më vjen keq që është lakuar emri im, sepse unë kam qenë i kujdesshëm sidomos në këtë pjesë, ku kam punuar gjithë jetën. Jam njëri nga themeluesit e Këshillit për financim”, thotë Osmani.

E përveç akuzave të rënda ndaj kreut të LDK’së, Isa Mustafa dhe ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, Musa Daka kërkoi nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi që të thërrasë seancë në Kuvend, ku do të raportonin Isa Mustafa e Bujar Bukoshi për fatin e parave të mbledhura në Fondin e 3-përqindëshit. Përveç kësaj, ai ka kërkuar edhe nga kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, të nisë hetimet rreth këtyre pretendimeve.

Përpjekjet e Expressit të kontaktojë edhe Athe Gashin, të martën, ishin të kota.

Ndërkohë, Fidan Jupolli, zëdhënës i LDK’së, i kundërshton këto akuza. “LDK nuk ka kohë të merret me ata që shpifin për LDK’në”

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu