Partia e xhabirave

0
609

“Në emrin tim personal dhe të PDK-së, por edhe të qytetarëve të Kaçanikut, më lejoni të falenderoj kryetarin Xhabir Zharku për punën e tij të mirë që ka bërë në shërbim të të gjithë qytetarëve”. Kështu ka deklaruar të hënën që shkoi kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi. Në tubimin e hapjes së fushatës së PDK-së në Kaçanik për zgjedhjet e jashtëzakonshme atje, kryeministri e falënderoi jo vetëm në emrin e vet por edhe të PDK-së Xhabir Zharkun.

Ai thua se deshi ta vuloste që PDK-ja është veçse Parti e Xhabirave duke e ngritur kështu Xhabirin nga një person a individ të posaçëm në dukuri e përgjithshme të kësaj partie. Mbase nuk ka se si të jetë ndryshe. Tashmë dihet që vetëm pushteti (i paligjshëm) dhe paraja (e vjedhur) e mbajnë bashkë PDK-në. Ajo s’ka as vlera demokratike të brendshme, as program e parime politike dhe as ideale e vizion për shoqërinë.

Xhabiri është esenca e PDK-së. Thaçi njëmend mund të jetë kryetari i saj koniuktural, porse Xhabiri është fundamenti përkufizues i PDK-së. Prandaj, jo Xhabiri por njerëzit e mirë në PDK janë aksidenti. Pa njerëzit e mirë në PDK, kjo parti ia del fare mirë, pa Xhabirin, ajo s’mundet dot. Ky është shkaku pse Thaçi s’mund të mos i falënderohej Xhabirit e s’mund të mos e lavdëronte atë. Xhabirin e ka krijuar dhe mirëmbajtur PDK-ja, mirëpo edhe e kundërta vlen veçse më shumë.

Xhabir Zharku nuk kishte bërë punë të mirë në shërbim të të gjithë qytetarëve, ashtu siç u shpreh për të kryeministri Thaçi. Përkundrazi, Xhabiri kishte bërë punë shumë të keqe sepse ai kishte bërë punë për vete dhe, me gjasë, për PDK-në, në kurriz të të gjithë qytetarëve. Ai nuk kishte punuar për qytetarët por ai ua kishte punuar qytetarëve.

Gjithsesi, kulmi i poshtësisë së Thaçit ishte kur ai iu falënderua Xhabirit edhe në emër të qytetarëve të Kaçanikut – pra, në emër të viktimave (qytetarët) ai iu falënderua xhelatit të tyre (Xhabirit)!

Para më shumë se një muaji Gjykata Supreme e Kosovës e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës për Xhabir Zharkun. Ai, duke qenë kryetar i Komunës së Kaçanikut, u shpall fajtor për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, dhe u dënua me tre vjet burg dhe 1.500 euro gjobë. Edhe tre të akuzuarit e tjerë Arsim Kolshi, Nysret Cena dhe Besnik Hasani, po ashtu u shpallën fajtorë dhe u dënuan: i pari njësoj si Xhabiri me tre vjet burg, ndërsa i dyti dhe i treti me nga një vit e tre muaj burg.

Dihet që gjykatat në Kosovë janë fort të lodhura. Kur dënohen politikanët e zyrtarët e lartë si puna e Xhabir Zharkut atëherë diku vërtet ia kanë tepruar me shkelje e krim se përndryshe nuk i akuzojnë, e aq më pak t’i gjykojnë e dënojnë. Për pak gjë, thjesht, askush nga sistemi i drejtësisë nuk merret me ta. Krimi i tyre konkretisht lidhet me krimin më të madh në ekonominë e Kosovës së pasluftës – privatizimin. Këta njerëz me në krye Xhabirin kanë kërcënuar, frikësuar dhe detyruar ofertuesin e parë të tërhiqet me rastin e shitjes së një ferme blegtorie në vitin 2006, për ta fituar atë më pastaj ofertuesi i dytë, Arsim Kolshi.

Xhabir Zharku nuk ndjehej fare fajtor përgjatë këtij procesi dhe bënte betejë gjyqësore në instanca më të larta. Njerëzit që e njohin në komunën e Kaçanikut tregojnë se ai, në të vërtetë, nuk di ndryshe: qeverisjen lokale e kupton si sundim dhe pronësim të mjeteve, pasurive e njerëzve. Arsimi, administrata, shëndetësia, tregtia, strehimi etj. ishin nën kthetrat e këtij zullumqari që nuk beson që njerëzit kanë të drejta. Për këtë mënyrë të tij ai mori edhe mirënjohjen e kreut të qeverisë dhe partisë së tij.

Prandaj, nuk është i rastësishëm sllogani i tyre për zgjedhjet e 17 qershorit: Vazhdojmë me Besimin! Pa kurrfarë vetëkritike, pa asfarë kërkim falje për qeverisjen kriminale, në mënyrën më të ultë të mundshme, thërrasin për vazhdimin e kësaj rruge të kërcënimeve dhe frikësimeve, të përvetësimeve të paligjshme e të korrupsionit të profilit të lartë. Thirrja për vazhdimin e së njëjtës është paralajmërim i qartë për krimet e ardhshme të PDK-së në Kaçanik në rast të fitores së tyre.

Pa dyshim që kandidati i PDK-së, Besim Ilazi, djali i Komandant Bardhit, është përzgjedhur nga familja e dëshmorit të kombit që të përdoret si paravan për kuzhinën e njëjtë të ndyrë të PDK-së, për çfarë PDK-ja kërkon që t’i vazhdohet asaj besimi i qytetarëve. Pra, vepruan diçka ngjashëm ashtu siç bënë me familjen e Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari: emri i tij iu vu Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kurse djali i Hamëz Jasharit u bë Drejtor i Bordit të këtij Aeroporti, në mënyrë që shitja e Aeroportit të bëhej sa më e kollajshme.

Këta njerëz po i keqpërdorin pa dhimbje familjet e dëshmorëve pasi që e keqpërdorën UÇK-në. Po e terrorizojnë popullsinë në emër të kontributit të tyre në luftën çlirimtare. Këta nuk ia zëvendësuan Kosovës okupimin me lirinë, por okupimin e huaj me uzurpimet e tyre. Këta po sillen sikurse mercenarët të cilëve nuk ua dhanë paratë në fund për luftën që bërë. Zaten, le të dalin dhe të thonë se sa para ua ka populli borxh në mënyrë që t’ua paguajë njëherë e mirë dhe asisoj të çlirohet prej këtyre çlirimtarëve.

Shumë prej tyre e kanë degraduar së tepërmi veten, porse ata po e marrin në qafë edhe Kosovën. Baron i krimit nuk ishte vetëm kryetari i komunës së Kaçanikut. Baronë të tillë të krimit ka edhe në krye të jo pak komunave të tjera gjithandej nëpër Kosovë. Xhabir Zharku ishte fatkeqësia e Kaçanikut. Mirëpo, largimi i Xhabir Zharkut është fati i Kaçanikut. I takon Kaçanikut që të mos lejojë t’i përsëritet fatkeqësia. Përsëritja e fatkeqësisë bëhet tragjedi. Me 17 qershor është mundësia që duhet shfrytëzuar.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”)

 

Nga Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu