Pasaniku gjerman dështon ta birësojë kosovarin 36 vjeçar

0
702

Pasaniku Gjerman

Shpresat afaristit Christoph Gail që Krishtlindjen ta festojë në një rreth të vërtetë familjar, kanë marrë fund. Gjykata ia ka refuzuar kërkesën për birësimin e Musa Limanit, kosovarit 36 vjeçar. Në diskutimin e bërë me gjyqtaren gjatë seancës në fund të tetorit, ai nuk kishte arritur ta bindte atë se në mes tij dhe Musait ishte krijuar një lidhje e vërtetë prind-fëmijë.

Pasi cilësia e marrëdhënies është vendimtare për një adoptim të personave të rritur, ka pasur mjaft kritere të cilat kjo marrëdhënie nuk i ka plotësuar. Trashëgimia ose nevoja e dikujt për zgjidhjen e problemeve si i huaj nuk mjaftojnë për të legalizuar një marrëdhënie të tillë. Fakti se Musa Limani jeton tash rreth dy vjet në shtëpinë e Christoph Gailit në Dillenburg, po ashtu nuk ka qenë i mjaftueshëm për gjykatën si indikacion, shkruan Frankfurter Rundschau. Njësoj jobindës është paraqitur vlerësimi i bërë nga një notar, i cili e ka protokolluar kërkesën për adoptim dhe për të cilin raporti baba-djalë në mes të dy personave të përmendur ka qenë i besueshëm.

Musa Limani ka ardhur në Gjermani nga Kosova para pesë vitesh. Babai i tij biologjik kishte punuar në Gjermani në vitet `80 të shekullit të kaluar, ndërsa kishte vdekur para 12 vitesh. Para pesë vitesh Limani qe martuar me një gjermane dhe përmes kësaj martese kishte fituar lejen e qëndrimit me bazë bashkimin familjar. Martesa ka qëndruar vetëm dy vjet e gjysmë, ndërsa tri vjet kanë qenë të domosdoshme për të fituar Musai lejen e rregullt të qëndrimit.

Ai ishte njoftuar me “babanë” e tij të pretenduar pas ndarjes nga gruaja gjermane dhe këtu kishte filluar miqësia në mes tyre. Christoph Gail nuk ka fëmijë, ai jeton në një partneritet të rregullt homoseksual dhe ka nevojë urgjente për ndihmë në firmën e tij. Fjala është për një firmë e cila në gjithë Evropën shet mobile dhe objekte e gjësende tjera për fushat e golfit.

Ai e kishte prezantuar kosovarin para klientëve të tij si trashëgimtar, ndërsa nga fundi i nëntorit e kishte regjistruar edhe në regjistrin e firmave si udhëheqës të saj me të drejtë nënshkrimi. Gail madje dëshironte që pas adoptimit t`ia linte kosovarit në trashëgim edhe pasurinë.

“Më nevojitet urgjentisht”, thotë Gail, duke llogaritur me siguri të plotë se do të ketë sukses me adoptimin.

Ai është i vendosur për t`i shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore që Musa Limani të mbetet me të. Aktualisht pritet një vendim lidhur me ankesën që Limani ka bërë kundër qarkut ku jeton (Lahn-Dill) për kërcënim me dëbim dhe për refuzim të vazhdimit të lejes së qëndrimit. Veç kësaj ende është duke rrjedhur procedura e një peticioni në Parlamentin e Landit të Hesenit lidhur me rastin.

Limani mund të qëndrojë në Gjermani gjatë kohës deri sa të merret një vendim për të, ndonëse afati që kishte për të lëshuar Gjermaninë i ka përfunduar të hënën e kaluar. Vendimi i Parlamentit nuk merret para fillimit të janarit të vitit 2015.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu