Pasaporta e Bajram Currit në duart e Vetonit………

0
1195

Pasaporta e Bajram Currit

“N’emën të Shtetit Shqyptar, gjithë auktoritet civile e ushtërore janë të lutun me e lanë të kalojë lirisht z. Bajram Curri”, shkruan në faqen e parë të pasaportës së Bajram Currit. I njëjti shkrim është edhe në gjuhën frënge.

Më poshtë shkruan se pasaporta është lëshuar në Tiranë, më 4 nëntor në vitin 1924. Pjesa, ku është grisur faqja e parë e pasaportës, nuk lejon të lexohet çfarë shkruan tek përshkrimi “i vjefshëm”. Po kështu është edhe nënshkrimi i “kryetarit të zyrës”.

Faqet vende-vende të grisura të pasaportës së Bajram Currit janë të lidhura me pe, ndërsa i mungon kopertina.

I riu nga Kosova Veton Mullatahiri, i cili tani jeton në Lyon të Francës, ka disa javë që e mban në duar pasaportën e Bajram Currit. A thotë se e ka dhuratë nga një mik, identitetin e të cilit nuk dëshiron ta zbulojë.

Pasaporta ka disa vula të udhëtimeve të Bajram Currit, ndërsa kjo është e veçanta e kësaj pasaporte thotë Mullatahiri, i cili në Kosovë ka studiuar Biznes Menaxhment.

1

“I kam thirrur disa muze për ta dorëzuar pasaportën, por pastaj vendosa ta mbaj për vete”, ka treguar ai për “Zërin”. Mullatahiri, i cili thotë se e ka origjinalin e pasaportës së vitit 1924, tregon se e ka pranuar si dhuratë kur ka qenë në Gjenevës.

Në të dhënat personale në pasaportë të Bajram Currit shkruan se është i lindur në vitin 1866, është nga Gjakova, ndërsa jeton në Tiranë, me profesion është pronar, ndërsa udhëton drejt Evropës. Në shënimet për të shkruan: “Shtati: mesatar, mosha: 58 vjeç, balli: natyral, sytë: gështenjë, hunda: rregullt, flokët: të thi, mjekra: rrueme, mustaqet: të thi, ngjyra: granit”.

91 vjet më parë, një vit para se të vritej, kur Bajram Curri ishte pajisur me këtë pasaportë, siç është edhe vula në të, ai kishte shkruar në Gjenevë. Në vulën e vendosur në pasaportë shkruan se viza është valide për në Francë dhe është lëshuar më 7 tetor në vitin 1924. Në biografinë e Bajram Currit shkruan se “në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë”.

1

Mullatahiri thotë se vulat në pasaportë, që tregojnë disa udhëtime të Bajram Currit, i kanë bërë përshtypje. “Vulat, që janë të vërteta, në ‘Wikipedia’ i pashë që ka pasur udhëtime në Gjenevë”, thotë ai, duke treguar se ka hulumtuar për të parë nëse pasaporta është vërtet e Bajram Currit.

“Kam pyetur çka të bëj me të. Nuk dija, ta dërgoj diku apo ta mbaj për vete”, ka treguar Veton Mullatahiri, duke shtuar se pasi është nga Gjakova e Bajram Curri ka qenë i Malësisë së Gjakovës ka vendosur që ta mbajë pasaportën. “Unë jam nip i Rexh Hotit, fisit Hoti. Gjyshi im ka pajtuar gjaqe në atë kohë, ka pajtuar edhe disa familje vonë të Rahovecit. Ai ka qenë figurë historike, kështu që pasaportën e kthej në Kosovë, në Gjakovë tek gjyshi im”, ka thënëMullatahiri.
1

“E pabesueshme” i duket Vetonit fakti që në duar mban pasaportën e udhëheqësit popullor, ushtarak, senatorit të Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë. “Ajo qe sa vjet nuk është ruajtur në ndonjë qendër kulturore a muze, por është mbajtur nëpër duar të njerëzve deri më tani, tash e mbaj unë”, ka thënë Mullatahiri për gazetën, derisa ka treguar se nuk ka besim te institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë që ta dorëzojë tek ato.

“Nuk e besoj se do ta dorëzoj. Në një anë e konsideroj dhuratë se për këtë qëllim e kam në duart e mia. Sado që ka vlerë nuk e mohoj, është dhuratë për mua, jo për muzeun”, është shprehur VetonMullatahiri për pasaportën që ka 24 faqe dhe është me numër 269.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu