Pasaportat biometrike, ja skema e falsifikimit

0
756

Gjeneralitetet e dokumenteve të rregullta, falsifikimi te fotoja.

Kosovarët aplikojnë me certifikata false si shqiptarë.

Falsifikimi i pasaportave biometrike është kthyer në një shqetësim për Policinë shqiptare. Pak ditë më parë, në Tiranë u arrestua një grup prej katër personash të cilët akuzohen se kanë falsifikuar një pasaportë biometrike shqiptare për një vajzë nga Deçani, e cila do të udhëtonte si shtetase shqiptare në zonën “Shengen” për të shkuar tek i fejuari i saj në Belgjikë. Pasaporta ishte prodhuar me të dhënat e një shtetaseje shqiptare dhe te foto ishte vendosur imazhi i vajzës nga Kosova. Kjo duket se është skema klasike që po përdoret në masë për falsifikimin e pasaportave biometrike shqiptare. Brenda muajit mars, në Gjykatën e Tiranës Prokuroria ka dërguar dy raste personash të ndryshëm, që ndonëse pa ndonjë lidhje me njëritjetrin, kanë ndjekur të njëjtin mekanizëm e të njëjtën procedurë për falsifikimin e pasaportave biometrike. Vendosja e të dhënave të shtetasve shqiptarë bëhet me anë të certifikatave false që u jepen shtetasve nga Kosova, që shkojnë dhe aplikojnë, duke bërë edhe fotografitë.
RASTI I PARË
Sipas dosjes penale, i akuzuari nga Kosova, shtetasi Enver Maloku, më datë 12.02.2011 ka tentuar të kalojë pikën e kalimit kufitar Durrës, duke përdorur një kartë identiteti si dhe pasaportë biometrike me numrin BC 3481313 të lëshuar nga autoritetet shqiptare për shtetasin shqiptar me iniciale R.N., por me fotografinë e të akuzuarit Enver Maloku. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri, nisur nga nevojat ekonomike për t’u pajisur me një pasaportë biometrike shqiptare me qëllim lëvizjen pa vizë në Europë dhe më konkretisht për në Zvicër, ku ka qenë edhe më përpara rezident, ka tentuar për t’u pajisur me dokumentacion me shtetësi shqiptare. Për të nxjerrë dokumentet e shtetësisë e ka ndihmuar një shtetas shqiptar, i paidentifikuar nga kryerja e veprimeve hetimore. Pasi ka aplikuar personalisht, i pandehuri Enver Maloku, duke përdorur certifikatën e shtetësisë shqiptare R. N., të cilën ia ka dhënë shtetasi shqiptar i paidentifikuar, ka tërhequr vetë kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike.
RASTI I DYTË
Sipas dosjes tjetër gjyqësore, më datë 12 dhjetor 2012 është bërë arrestimi në flagrancë i të pandehurit Besnik T., pasi është kthyer si shtetas i kategorisë INAD nga Austria, Aeroporti i Vjenës, sepse është kapur me një pasaportë biometrike shqiptare me nr. BA9142900 me gjeneralitetet e shtetasit shqiptar nga Korça, Devis M., por më fotografinë e të pandehurit Besnik T. Nga hetimet dhe në gjykim rezultoi se pasaporta me të cilën ka lëvizur i akuzuari, në bazë të aktit të ekspertimit teknik nr.105/5 datë 16.12.2012 del se: “Pasaporta biometrike shqiptare me nr. BA 9142900, në emër të shtetasit Devis M. është prodhim i rregullt. Te pasaporta biometrike shqiptare me nr. BA 9142900 konstatohen ndërhyrje falsifikuese. Falsifikimi konsiston në ngjitjen mbi fletën e të dhënave me një fletë të printuar me të dhëna në emër të shtetasit Devis M.”. Në të dyja këto raste gjykata ka dhënë dënime të ndryshme. Shtetasi nga Kosova është dënuar me 400 mijë lekë gjobë, ndërsa shtetasi Besnik T. është dënuar me 5 muaj dhe 400 mijë lekë gjobë. tr.so

NDRYSHIMI I PROCEDURËS
Ministria e Brendshme urdhëroi ndryshimin e procedurave të aplikimit për pasaporta biometrike në fund të vitit 2010. Shkak u bënë rastet e përsëritura të falsifikimeve me skemën e ilustruar edhe në precedentët e fundit të personave të kthyer nga zona “Shengen”. Për shkak të tendencës së shtetasve kosovarë për të blerë pasaporta false në Shqipëri, me qëllim udhëtimin në zonën “Shengen”, u vendos që aplikimi të fillonte në zyrat e Policisë. Në rajonin ose komisariatin që mbulon zonën e banimit, qytetari duhet të paraqitet dhe të plotësojë një formular. Më pas një kopje e tij mbahet në Polici dhe kopja tjetër merret nga qytetari për në zyrën e aplikimit. Kjo bëhet për të vërtetuar që personi është banues në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu