Pasuria 30 milionëshe e sekuestruar (Foto)

0
1029

image

Shtëpi luksoze, fabrika, makineri pune, motele, xhirollogari bankare dhe shumë hektarë tokë, u janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, shumë kosovarëve që i kanë përfituar në mënyrë të paligjshme. Sipas të dhënave të Prokurorisë, vlera e pasurive të sekuestruara vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit në Kosovë arrin shifrën rreth 30 milionë euro.

Një dosje të Prokurorisë, të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”, tregon se miliona euro pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme të zyrtarëve të ndryshëm, por edhe biznesmenëve, gjyqtarëve, mjekëve, policëve janë sekuestruar, pasi ata dyshohet se kanë kryer vepra të ndryshme penale, përmes të cilave kanë arritur deri tek ajo pasuri.

image

Naser Osmani, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është njëri nga politikanët kosovarë që i është sekuestruar xhirollogaria. Sekuestrimi i xhirollogarisë së Osmanit ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë së Shtetit, kur ai u arrestua në cilësinë e të dyshuarit për keqpërdorime në rastin e fabrikës “Fan” të Podujevës.

Hetuesit policorë nuk kanë raportuar se sa para gjenden në atë llogari, mirëpo Osmani nuk është i vetmi që i është bërë sekuestrimi i llogarisë bankare.

 

Në rastin “Fan” u sekuestruan toka, makineri dhe xhirollogari bankare

Janë edhe ish-anëtarët tjerë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: Bahri Shabani, Adrian Kelmendi, Melita Ymeraha, Naim Avdiu, Shkëlzen Lluka, Nehat Islami, të cilëve u janë sekuestruar xhirollogaritë, derisa një fat të tillë e ka edhe fabrika “Fan”, në Podujevë e privatizuar nga biznesmeni kosovar Agim Deshishku.

Përveç objektit të blerë në vlerë prej mbi 2 milionë euro, gjykata ka vendosur të sekuestrojë edhe gjithë makinerinë e kësaj fabrike.

Burime të gazetës “Zëri” në Prokurori kanë treguar se po hetohen edhe pista tjera të pasurive të personave të dyshuar në rastin “Fan” dhe në rast se ata nuk do të arrijnë të ofrojnë prova për mënyrën e përfitimit të tyre, atëherë edhe sekuestrimi i pasurive të tyre është i pashmangshëm.

Dosja e siguruar nga gazeta “Zëri” “flet” për raste të ndara të sekuestrimeve, derisa përmban edhe fotografi të disa objekteve dhe banesave të sekuestruara.

Përveç të përmendurve në rastin e ashtuquajtur “Fan”, janë sekuestruar edhe 36 hektarë tokë, që besohet të jenë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga biznesmeni Mehmet Prishtina.

Vendimi përfundimtar nëse këto prona do të konfiskohen dhe do t’i takojnë shtetit, apo do t’u kthehen të dyshuarve do të jepet nga gjykata.

 

Klinika “Medicus” dhe vilat e Kolë Pukës drejt konfiskimit

Së shpejti, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, pritet të merret vendimi për konfiskim të klinikës “Medicus”, pas një kohe të gjatë që kjo klinikë është mbajtur në sekuestrim. Pronari i saj, Lutfi Dervishi, me profesion urolog, pos tjerash është dënuar me 8 vjet burg dhe 10 mijë euro gjobë, kurse djali i tij, Arban Dervishi, është dënuar me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2 mijë e 500 euro gjobë.

Ndërkohë, është ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Klinës, Kolë Puka, ai që kishte punuar një shtëpi luksoze në qytezën e Klinës, si dhe një vilë në qytetin e Ulqinit, në Mal të Zi.

Por, Puka që është dënuar me 10 vjet burgim me gjasë do të mbetet pa këto paluajtshmëri. Prona e sekuestruar tash e disa vite në Klinë, pritet të konfiskohet. Ndërkohë në proces të sekuestrimit është edhe vila e Pukës, e cila gjendet në Ulqin.

Një shtëpi prej 298 metra katrorë i është sekuestruar edhe Bajram Shehut, një punonjësi të Radio Televizionit të Kosovës. Dyshohet se gjatë kryerjes së detyrës zyrtare ai kishte mashtruar njerëz të ndryshëm.

Sekuestrimi i pasurive u është bërë edhe njerëzve të ndryshëm të cilët kanë fituar qoftë nga prostitucioni, mashtrimi, pastrimi i parave apo shmangia e tatimeve.

 

Sekuestrohen motele dhe pasuri 10 milionëshe në Pejë

Është moteli “Nata”, ai që është sekuestruar, derisa për këtë rast janë ngrirë edhe 21 mijë euro. Kjo ka ndodhur pasi pronari i motelit dyshohet për trafikim me qenie njerëzore dhe pastrim të parave. Të njëjtit i është konfiskuar edhe banesa në qytetin e Pejës, si dhe një varg pasurish tjera të luajtshme dhe të paluajtshme.

Sipas dosjes së siguruar nga gazeta, për shmangie nga tatimi, në tri raste të ndara të hetuara nga prokurorë të EULEX-it, janë konfiskuar asete të ndryshme, lokale, makineri dhe dy banesa. Në dosje nuk ceket se në cilin vend janë këto pasuri të cilat janë sekuestruar. Ndërkohë, në fazë finale të sekuestrimit është edhe pasuria e një biznesmeni pejan, që llogaritet të jetë rreth 10 milionë euro. Kjo pasuri besohet të jetë fituar nga kontrabanda me derivate.

Janë edhe dy politikanë kosovarë që ushtrojnë pozita shumë të rëndësishme e që mund të mbesin pa pasuritë e tyre, pasi Prokuroria shumë shpejt pritet të kërkojë sekuestrimin e tyre. Burimi i gazetës “Zëri” në Prokurori ka thënë se bëhet fjalë për pasuritë milionëshe të dy ish-ministrave kosovarë që po hetohen. “Është herët të flitet në opinion me emra për shkak të hetimeve. Por shumë shpejt pritet që të kërkohet sekuestrimi i pasurive të tyre”, thotë burimi në kushte besueshmërie.

Është edhe një kompani gjigante gjilanase që mund të mbetet pa një pjesë të madhe të aseteve te saj, pasi Prokuroria është në pritje të urdhrit për sekuestrimin e pasurisë, pas një hetimi të gjatë.

Prokuroria: Janë sekuestruar pasuri milionëshe

Sipas dosjes së Prokurorisë, është edhe kirurgu L. M. nga Gjilani, ai që do t’i sekuestrohet llogaritë bankare, pasi besohet se kursimet që i mban në to, i ka fituar nga marrja e ryshfetit.

Shqipdon Fazliu, koordinator kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, ka konfirmuar për “Zërin” se pronat e ish-gjyqtarit Kolë Puka, si dhe Klinika “Medicus” janë sekuestruar. Fazliu ka thënë se janë në pritje të aktgjykimit, si dhe apelit përfundimtar për këto raste.

Në kuadër të luftimit të krimit ekonomik që po bën Prokuroria, sipas Fazliut, janë bërë edhe disa sekuestrime tjera. Sipas tij, bëhet fjalë për miliona euro pasuri të sekuestruara, si shtëpi, toka, banesa, objekte ndërtimore, një hotel, vetura, lojëra fati etj.

Fazliu ka thënë se personat që u janë sekuestruar pasuritë janë të niveleve të ndryshme, përfshirë njerëz të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit.

Ndryshe, nëse gjykata vendos që pasuria e sekuestruar të konfiskohet, atëherë ajo pasuri automatikisht bëhet pronë shtetërore.

Nga: Alban Selimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu