Pavarësi e plotë, apo fillim i autonomisë së Veriut?

0
611

Shumëçka po merr ngjyrën dhe shijen e Marrëveshjes së Daytonit që e sakatoi Bosnjen: autonomia e veriut do të jetë më shtet sesa shteti i Kosovës, ngjashëm sikurse në Bosnje ku Republika Srpska është më shumë shtet sesa vetë shteti

Dialogu me Serbinë, tash i quajtur politik dhe i paralajmëruar për të ardhmen e afërt, është shkaku kryesor i trazirave qeveritare që veç sa kanë nisur. Dialogu me Serbinë për veriun dhe dialogu me PDK-në për Qeverinë po bëhen i njëjti dialog. Një hap në drejtim të koalicionit qeverisës me PDK-në është po ashtu një hap në drejtim të dialogut politik me Serbinë. Pra, s’bëhet fjalë këtu për dy hapa të ndryshëm por për një hap të vetëm, për të njëjtin hap. Edhe heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë është në funksion të dialogut politik me Serbinë. Sikur të fillonte dialogu politik para datës 10 shtator, atje do të duhej të shkonte Piter Feithi. Si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, në bazë të Planit të Ahtisaarit dhe, për pasojë, sipas Kushtetutës së Kosovës, pikërisht Piter Feithi është kreu i shtetit të Kosovës. Edhe në takim me kryetarin e Serbisë, Nikoliq, dhe në takim me kryeministrin e Serbisë, Daçiç, për të negociuar për Kosovën do të duhej të shkonte Piter Feith. Plani i Ahtisaarit që paraqet dyshemenë politike dhe tavanin juridik të Kushtetutës së Kosovës, ia garanton Piter Feithit këtë gjë por edhe e imponon Piter Feithin për këtë gjë. Dialogu gjithsesi politik për veriun është tepër i madh për t’u neglizhuar. Dihet që dialogu politik me Serbinë nënkupton kompromisin për rezultat të tij. Dialogu për veriun me Serbinë është dialog për autonominë e veriut nga Kosova. Duke e trajtuar veriun veçmas, veriu fiton status të veçantë. Duke e bërë këtë trajtim me Serbinë, ky status është status i Serbisë brenda Kosovës. Pra, do të shkohet përtej Planit të Ahtisaarit dhe këtu Pieter Feith na shfaqet si pengesë legale dhe juridike. Ose, së paku, do të ketë interpretim të ri të Planit të Ahtisaarit, interpretim liberal në favor të Serbisë, interpretim ky që duhet të varet nga dialogu politik dhe jo nga Piter Feithi. Çfarëdo marrëveshje e Qeverisë së Kosovës me Serbinë në dialogun politik për veriun do të mund të rrezikohej nga Piter Feithi. Mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare, e parë në vetvete, duket pozitive. Po hiqet mbikëqyrja e pavarësisë dhe do të kemi pavarësi pa mbikëqyrje, pra pavarësi të plotë. Mirëpo, kur e vendos këtë gjë në kontekstin aktual politik të dominuar nga përgatitjet për dialogun politik me Serbinë, sakaq nxjerrin kokë motivet e mbrapshta dhe pasojat e dëmshme. Kosovës po i hiqet mbikëqyrja e pavarësisë që t’i hiqet veriu i vendit. Qeverisë po i shtohen kompetencat për t’iu zbritur prerogativat shtetërore Kosovës. Shumëçka po merr ngjyrën dhe shijen e Marrëveshjes së Daytonit që e sakatoi Bosnjen: autonomia e veriut do të jetë më shtet sesa shteti i Kosovës, ngjashëm sikurse në Bosnje ku Republika Srpska është më shumë shtet sesa vetë shteti i Bosnjes. Konstatimi i këtillë mbi domosdoshmërinë e dialogut politik me Serbinë, po u pranua, sigurisht që shndërrohet më pastaj në motorin e organizimit të gjithë skenës politike në Kosovë. Mirëpo, pse na qenka i pashmangshëm ky dialog? Pse ai parqet bazamentin e çfarëdo rruge të mëtutjeshme? Pse nuk na e sqarojnë këtë gjë? Pse ky presion ndërkombëtar mbi qeveritarët kosovarë dhe kryeministrin? Pse është i mundur ky presion? Cila është natyra dhe përmbajtja e këtij presioni? Me fjalë tjera, çka po i thonë ndërkombëtarët kryeministrit dhe qeveritarëve të tjerë kur po bëjnë presion mbi ta? Si duket një fjali e presionit? Pse tek Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk po vijnë të bëjnë presion? Konkretisht nuk e dimë, por përgjithësisht secili qytetar i Kosovës e di përgjigjen në këto pyetje. Presioni ndërkombëtar mundësohet nga dosjet e politikanëve. Këto janë dosje të shkeljeve të mëdha ligjore, dosje të korrupsionit e të krimit. Këta qeveritarë nuk mund të mbesin në liri pa mbetur edhe në pushtet

 

Shkruan: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu