PD pranon dyshimet për 43 mijë dublikime

0
632

Sipas relacionit të KQZ-së, audituesi i propozuar nga PD zbulon 43186 zgjedhës të dyshuar për dublikim në lista

Mungesa e dialogut midis partive politike, është pasqyruar edhe gjatë punës së KQZ-së për kontrollin e pasaktësive në listat e zgjedhësve. Dy audituesit e propozuar nga kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së, nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për pasaktësitë e konstatuara nga listat e përgatitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile duke dalë me dy raporte. Diferenca midis raporteve është tepër e lartë, rreth 20 mijë gabime. Gjithsesi ajo që është më shqetësuese në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit mbetet shifra e dublikimeve. Në rastin më të mirë, të dyshuar për publikime në Shqipëri janë mbi 40 mijë zgjedhës, shifër kjo e konstatuar nga audituesi i zgjedhur nga të djathtët. Sipas raporteve që do të shqyrtohen sot nga anëtarët e KQZ-së, auditët kanë paraqitur secili raporte të veçanta. Në raportet e auditëve vërehet që për të njëjtin problem ka shifra e konstatime të ndryshme dhe konkretisht: Rekorde të dyshuara të dubluara, njëri 43186 tjetri 65702, Zgjedhës mbi 100 vjeç, njëri 1057, tjetri 1189. Numri i QV-ve me numër zgjedhësish jashtë kufijve ligjor, njëri 688 tjetri 2676.

Një prej auditëve ka bërë krahasim të të dhënave midis ekstraktit të përbërësve zgjedhor të datës 3.01.2013 me ato të datës 3.02.2013, ndërsa tjetri ka bërë disa krahasime midis listës të zgjedhjeve të vitit 2011 me ekstaktin e përbërësve zgjedhor tëdatës 3.01.2013 vetëm në lidhje me numrin e zgjedhësve të cilët janë shtuar ose janë hequr nga ekstrakti, ndërkohë që për shifrat e tjera nuk del qartë se nga cili ekstrakt janë marrë të dhënat. Nga verifikimi i numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi, nuk plotësojnë kriterin e numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi 670 qendra votimi në Qarkun e Tiranës dhe 2006 qendra votimi për qarqet e tjera. Gjithsej 2676 qendra votimi nuk plotësojnë kriterin e numrit të zgjedhësve. Në 2676 qendra votimi nuk janë përcaktuar adresat për zgjedhësit që do të votojnë në to. Në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë janë përfshirë të lindurit e mbas datës 09.05.1993, (persona që votojnë për herë të parë). Audituesi paralajmëron anëtarët e KQZ-së se për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë të regjistruar edhe 542681 zgjedhës pa adresë.

Sipas Kodit, auditët teknicienë i paraqesin një raport auditimi çdo muaj KQZ-së për gjetjet e auditimit, sipas detyrave të përcaktuara nga KQZ-ja ose për vërejte apo çështje që lidhen me zbatimin e legjislacionit në lidhje me regjistrin e gjendjes civile. Se-cili nga auditët teknicienë mund të paraqesë raport individual nëse ka opinion apo koment të ndryshëm nga auditi tjetër.” Në asnjë prej raporteve nuk është shprehur arsyeja pse janë paraqitur raporte të veçanta”. Në fund të dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me unanimitet dy audituesit të cilët do të kontrollojnë procesin e përgatitjes së listave të zgjedhësve. Genti Malko u propozua nga Kryetarja e KQZ-së, ndërsa auditi tjetër Dashamir Çali u propozua nga Zëvendëskryetari i KQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbikëqyr procesin e hartimit të listave duke i kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Të drejtën e propozimit për auditët teknicienë e kanë respektivisht Kryetari dhe Nënkryetari, pas konsultimit me përfaqësuesit e partisë më të madhe të shumicës dhe asaj më të madhe të pakicës në KQZ. Kontrolli i KQZ-së në sistemin elektronik të verifikimit të zgjedhësve bëhet nëpërmjet auditëve teknicienë. Për përmirësimin e listave të zgjedhësve, qeveria miratoi një javë më parë një shtesë fondi për pastrimin e listave të zgjedhësve nga pasaktësitë. “Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, në programin “Shërbimi i Gjendjes Civile”, në artikullin 602, “Mallra e shërbime të tjera”, t’i shtohet fondi prej 14 311 630 (katërmbëdhjetë milionë e treqind e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të printimit të listave të zgjedhësve, në funksion të plotësimit të nevojave të Shërbimit të Gjendjes Civile me letër dhe toner për printer”, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë.

 

Nga Luis Tanushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu