PDK: Agim Bahtiri po fyen shqiptarët që nuk po e shesin veriun

0
593

PDK-ja

“Partia Demokratike e Kosovës”, Dega në Mitrovicë theksoi të hënën se e vërteta që po del në shesh për trajtimin e qytetarëve shqiptarë të veriut të Mitrovicës që jetojnë ende në veri dhe ata që janë të dëbuar në jug, nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri e ka çmendur fare këtë të fundit.

Në komunikatë thuhet se në përpjekje për t’u mbrojtur nga argumentet ai ka marrë guximin që të akuzoj për bashkëpunim me kriminelët serbë, anëtarët e “Këshillit të Veriut”, të cilët të premten kanë prezantuar para medieve situatën e rëndë në të cilën ndodhen shqiptarët e veriut.

“Agim Bahtiri ka nxjerrë nga goja akuza për njerëz si Ali Kadriu, simboli i qëndresës shqiptare në veri të Mitrovicës, i cili ka refuzuar milionat e ofruara nga Serbia për t’ia shitur shtëpitë. Kullat e tij në kodrën në mes Suhadollit e Kroit të Vitakut, janë kulla që kanë krijuar histori në atë pjesë të atdheut. Duke dashur të mbroj fytyrën e tij dyfytyrëshe, Agim Bahtiri, ka akuzuar për bashkëpunim me kriminelët serbë Ali Kadriun, vëllanë e martirit, piktorit të njohur, Kadri Kadriu, të cilin në luftë e kishin masakruar kriminelët serbë poashtu në veri të qytetit. Ato kulla, në të cilat sot valon flamuri kombëtar ishin projektuar pikërisht prej tij”, thuhet në komunikatë.

Sipas PDK-së, Agim Bahtiri, duke dashur të justifikohet për dështimet, ka akuzuar për bashkëpunim me kriminelet serbë, përfaqësuesit tjerë të lagjeve shqiptare, të cilët gjatë gjithë këtyre viteve e kanë mbrojtur qenien shqiptare në veri.

“Ai ka shkelur mbi gjakun, mundin dhe sakrificën e atyre që ende jetojnë në atë pjesë të Mitrovicës. Akuzat e tij, janë dëshmia më e mirë për krizën mendore të këtij njeriu të pagdhendur që po e turpëron Mitrovicën. Ai po shkatërron investimin disavjeçar në veri dhe në jug dhe më se keqi ai po shkatërron moralin e qytetarëve mitrovicas. Dhe këtë s’mund të bëj askush tjetër, pos një njeri që s’ka moral sikur Agim Bahtiri, i cili dy herë ka reaguar dhe dy herë ka fyer këta banorë”, thuhet në kumtesën e PDK-së.

Sipas kësaj partie, as ai, as askush tjetër nuk mund ta fsheh faktin se prej ditës së parë që ka ardhur në pushtet në veri nuk është vënë asnjë tullë e vetme. “Në momentin që ai është bërë kryetar ka ndërprerë gjithçka për shqiptarët e veriut, si për ata që jetojnë në veri ashtu edhe për ata që jetojnë jug. Asnjërit nuk ia ka paguar qiranë, asnjë se ka pranuar në punë dhe kohëve të fundit nuk i ka pranuar as në takime”.

Duke u bazuar në këtë situatë dhe duke reaguar për akuzat e tij, Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Mitrovicës, kërkoi nga Agim Bahtiri që publikisht të kërkoj falje për këto akuza të turpshme ndaj banorëve shqiptarë të veriut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu