PDK-ja e Hashim Thaqit kërcenon për Privatizimin

0
858

(E plotësuar) Partia e kryeministrit Hashim Thaçi, sërish “kërcënon” se nëse mocioni i “Vetëvendosjes” kundër privatizimit dhe rezoluta e PDK-së që përkrah privatizimin nuk hidhen për votim në seancës e parë të legjislativit, atëherë ligjvënësit e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në punimet e seancës plenare të Kuvendit.

Ata kanë kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që në takimin e të hënës, ta procedojnë mocionin për votim.

E nga ana tjetër Lëvizja “Vetëvendosje” është optimiste se do ta fitojë “luftën” në raport me rezolutën e PDK-së dhe se të gjitha grupet parlamentare do të mbështesin mocionin e tyre që është kundër procesit të privatizimit.

Megjithatë, Kryesia e Kuvendit do t’ia japë “vulën” nëse mocioni dhe rezoluta do të hidhen për votimin në seancën e parë të legjislativit që planifikohet të mbahen këtë javë.

Ishin pikërisht këto dy dokumente (mocioni dhe rezoluta) që nxorën në sipërfaqe ndasitë e thella brenda PDK-së.

Kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe shefi i grupit kuvendor të PDK-së, Adem Grabovci, u përplasën fort në seancën e kaluar pikërisht për shkak të hedhjes në votim të këtyre dy dokumenteve rreth procesit të privatizimit, të cilët madje ia treguan derën njëri-tjetrit.

Derisa kreu i Kuvendit, Krasniqi insistonte “pa u bërë anashkalimi i Rregullores së Punës nuk mund të hyjnë këto dy rezoluta në rend të ditës. Jam i obliguar ta procedoj punën sipas Rregullores së punës dhe jo sipas dëshirës së asnjërit deputet, e as sipas dëshirës së një grupi parlamentar”, pati deklaruar Krasniqi.

Mirëpo, edhe pas pesë ditësh të zhvillimit të duelit në mes Krasniqit dhe Grabovcit, ky i fundit mendon se ka pasur të drejtë kur ka kërkuar hedhjen në votim të mocionit dhe rezolutës për privatizimin dhe, sipas tij, javën e kaluar ka pasur shkelje të Rregullores së Punës së legjislativit.

“Krahas kërkesës për debat është dashur të dorëzohet mocioni tetë ditë para debatit të analizohet dhe pastaj krahas debatit të dalin edhe konkluzat. Ajo nuk ka ndodhur, pasi që atë ditë ka pasur shkelje të rregullores, sepse është lejuar debati pa u paralajmëruar të paktën se në fund të debatit do të ketë konkluza, ose pa u dorëzuar konkluzat e mocionit”, ka thënë për gazetën, Adem Grabovci.

Ai ka rikujtuar edhe një herë se kërkesa e GP të PDK-së ka qenë që në seancën e parë të hidhen për votim sikurse mocioni ashtu edhe rezoluta.

“Them se s’do të ketë seancë pa u votuar këto dy dokumente nga debati i papërfunduar për privatizimin i javës së kaluar. Pa u votuar mocioni dhe rezoluta nuk mund të vazhdohet tutje. Ne presim që Kryesia të marrë vendimin të hënën dhe të enjten të hidhen për votimi të dyja dokumentet”, ka thënë shefi i grupit kuvendor të partisë në pushtet.

Grabovci ka konfirmuar se sikurse mocioni ashtu edhe rezoluta janë dorëzuar në zyrat përkatëse dhe pritet që të sillen në Kuvend për votim gjatë kësaj jave.

E nga ana tjetër zyrtarët e “Vetëvendosjes” theksojnë se mocioni mbi privatizimin, i koordinuar në mes të gjitha subjekteve opozitare ka qenë i proceduar dhe i gatshëm për seancë qysh javën e kaluar, por, sipas tyre, problemi ishte te rezoluta e mazhorancës, që siç theksojnë “ata (PDK) u munduan ta përvjedhin, në mënyrë që ta neutralizojnë këtë mocion. Meqë nuk patën sukses, mazhoranca e lëshoi sallën duke pamundësuar kështu kuorumin”.

Erzen Vraniqi nga “Vetëvendosje” ka deklaruar se mbetet në dorën e Kryesisë së Kuvendit që të vendosë se kur do ta caktojë datën për seancën e radhës. “Ne mendojmë se ky mocion do të kalojë, dhe jo vetëm nga votat e opozitës, por edhe të një pjese të pozitës”, ka thënë ai.

E analisti Driton Selmanaj nga KDI që përcjell punën e legjislativit sqaron se Rregullorja e Punës ka përcaktuar qartë se një mocion përmbajtjesor duhet më së voni tetë ditë para se të paraqitet në seancë plenare të dorëzohet në zyrën për parashtresa.

“Ne kishim një kërkesë të GP të PDK që të shkelet Rregullorja e Punës dhe kishim insistimin e kryekuvendarit Kransiqi për respektim të procedurave. Veprimi i shefit të GP të PDK është mjaft shqetësues, sepse në një rast ai bën thirrje duke thënë se nuk është hera e parë që ne kemi shkelur ligjin dhe në këtë drejtim pse të mos vazhdojmë edhe më tutje”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, rrëmuja e krijuar javën e shkuar në mes dy bashkëpartiakëve të PDK-së, ishte politike dhe siç ka deklaruar ai, “ishte refleksion i problemeve të brendshme që ndoshta mund t’i ketë PDK-ja, ose si pasojë e problemeve te koalicioni qeverisës për shkak të mungesës së numrave”.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës javën që lamë pas u detyrua që t’i ndërpresë punimet për mungesë të kuorumit, pasi që ishte PDK-ja ajo që braktisi seancën plenare, pasi që nuk u hodhën në votim mocioni dhe rezoluta për privatizimin.

Ky skenar mund të përsëritet sërish, në seancën e ardhshme, madje kjo mund të ndodhë edhe nëse kalon mocioni i “Vetëvendosjes”. Kjo për fatin se ligjvënësit e PDK-së nuk do të jenë të gatshëm të vazhdojnë punimet, nëse stopohet privatizimi, injeksioni i vetëm për suksesin e qeverisjes.

 

Nga Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu