PDK-ja shtyn zgjedhjet e brendshme që ti shmanget përplasjeve

0
677

Partia më e madhe parlamentare e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) as brenda këtij muaji nuk do t’i fillojë zgjedhjet e brendshme, pavarësisht paralajmërimeve nga përfaqësuesit e saj. Shtyrja, si zakonisht bëhet për shkak të “zhvillimeve politike në Kosovë”. Të paktën kështu është justifikimi i zyrtarëve të kësaj partie, të cilët parashikojnë tashmë forcimin e partisë me kuadro të reja edhe nga bota ushtarake edhe ajo akademike.

Analistët politikë, ndërkaq vlerësojnë se shtyrja e zgjedhjeve të brendshme po bëhet për faktin se përplasjet dhe tensionet në PDK janë të pashmangshme. Përfaqësuesit e PDK-së kanë përjashtuar çdo mundësi që zgjedhjet në PDK po shtyhen për shkak të frikës së përplasjeve të brendshme në parti, ndërkaq kanë thënë se PDK është duke e pritur aderime të reja dhe konsolidimin e saj.

Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, ndërkaq ka thënë se PDK ka nevojë për reformë të thellë të brendshme. “Nëse PDK nuk hyn në një reformë të thellë, atëherë është e destinuar të dështojë, e unë nuk dua që të shoh që ajo të dështoj. Jo më prurje me jarani, mendoi që kjo praktikë duhet të ndërpritet në PDK”, ka thënë Limaj për mediet kosovare.

PDK do t’i mbajë zgjedhjet e saj, por modalitet e tyre, siç ka thënë ai, do të përcaktohen nga organet që do të mandatohen nga partia. Limaj ka thënë se të zgjedhurit duhet të zbresin tek anëtarësia dhe të kërkojnë votën për t’u legjitimuar, duke mbështetur idenë “një anëtar një votë”. “Nuk shkohet më me modelin e vjetër improvizues të zgjedhjeve të brendshme. Kjo nuk ka të bëjë me sfidimin tim ndaj Thaçit, por mua më intereson Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë Limaj.

Nga ana tjetër, anëtari i kryesisë së PDK-së, Shemsi Veseli ka thënë se PDK nuk ka pasur ndonjë datë fiktive se kur do të fillojnë zgjedhjet brenda PDK-së, megjithatë ai, ka përjashtuar mundësinë që zgjedhjet në PDK po shtyhen për shkak të frikës së përplasjeve të brendshme në parti.

Sipas tij, është thënë se gjysma e shtatorit mund të jetë fillimi i zgjedhjeve porse PDK është duke e pritur konsolidimin e saj. Ai ka thënë se një grup i cili ka qenë i caktuar nga partia që të paraqet disa propozime sa i përket parapërgatitjeve të ndryshimeve edhe në aspektin programor edhe statutar ende nuk ka raportuar.

“Sido që të jetë në takimin fundit të kryesisë ka mbetur që të diskutohet edhe njëherë në kryesi posa të kthehet kryetari nga Amerika. Ka pasur edhe ide të tjera në kryesi për mos-ngutje derisa të ketë një konsolidim më të mirë në parti, thjesht që të ngjishen sa më mirë radhët në parti”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se ka njerëz të vullnetit të mirë që të kalojnë në PDK edhe nga subjektet tjera politike, “rasti konkret është një grup prej 12 ekspertëve që do të aderojë në PDK të gjithë janë me master ekonomik dhe se ky grup mund të zgjerohet edhe më shumë”.

Pra, siç tha ai ka njerëz të vullnetit të mirë që do të vijnë në PDK.

Ndërkaq rreth aderimit të ish-kreut të SHIK-ut, Kadri Veselit në PDK, Veseli ka thënë se nuk ka asnjë të keqe që ky të hyjë në PDK. “Kadri Veseli ka qenë i afërt më PDK-në edhe me pikëpamje edhe me program dhe angazhimi i tij në PDK do të jetë një pasuri.

Por, jam i sigurt që Kadri Veseli nuk do të pranonte që të hyjë në PDK jashtë procedurave dhe ardhja e tij do të ndikojë pozitivisht në parti në profilizimin dhe dinamizmin e saj”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se kjo është e mirë që edhe prurjet e reja të hyjnë në procedurën zgjedhore që të kenë mundësi që të pozicionohen në parti në mënyrë zyrtare, ligjore dhe statutare.

“Është problem të thuhet data. Gjithsesi se zgjedhjet do të fillojnë këtë vit dhe se në pranverë ato do të përfundojnë. Mirëpo, “hipotetikisht po them” kjo do të varet edhe nga mundësia që mund të ketë ndryshime në koalicion qeverisës ose zgjedhje të parakohshme në nivel vendi, kjo mund t’i prolongoj zgjedhjet në parti”, ka thënë Veseli duke shtuar se zgjedhjet mund të fillojnë këtë vit dhe të përfundojnë brenda vitit.

 

“Do të ketë prurje të reja qoftë nga subjektet e vogla politike qoftë. Ka vullnet që të aderojnë në PDK. Edhe ideja e Limjat duhet të debatohet në kryesi. Është kryesia ajo që vendos dhe nëse ajo vendos duhet të zbatohet dhe do të jetë e pranueshme për të gjithë”, ka thënë Veseli.

 

Përplasjet në PDK të pashmangshme

Analisti Alban Bokshi ka thënë se po ma merr mendja qe zgjedhjet e brendshme i shtyjnë për shkak se, përplasjet dhe tensionet në PDK janë të pashmangshme. “Fatmir Limaj është goxha i mllefosur me kryetarin e partisë, dhe jo krejt pa të drejtë. Thaçi e din gjendjen brenda partisë së tij, e din se do të kundërshtohen qëndrimet e tij, e din që do t’i sfidohet pozita si kryetar prandaj i intereson që t’i shtyje zgjedhjet apo t’i kalojë ato me një formalitet si herën e fundit para zgjedhjeve parlamentare”, ka thënë Bokshi.

 

Nga Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu