PDK nis të thyhet!

0
792

(E Plotsuar) Distancimi i ish-sekretarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Krasniqi nga organet e reja të kësaj partie, si dhe nga pozita e anëtarit të kryesisë, përfundimisht ka hapur derën e “shkapërderdhjes” së PDK-së.

Nëpërmjet një deklarate publike, ditë më parë Krasniqi ka thënë se partia më e madhe në vend nuk ka pasur fare zgjedhje të brendshme, por proces të emërimeve nga vetë kryetari i partisë, Hashim Thaçi karshi personave që i nënshtrohen atij. Ai, madje e ka refuzuar pozitën e anëtarit të kryesisë, duke pohuar se nuk ka nevojë që t’i falet një pozitë dhe as të mëshirohet nga i pari i partisë.

Por, Krasniqi nuk është i vetmi që s’është i kënaqur me përbërjen e kryesisë. Ish-nënkryetari i kësaj partie, Rrustem Mustafa, që pas zgjedhjeve të fundit e ka “humbur” këtë pozitë, tashmë publikisht ka deklaruar se përbërja e kryesisë së re është bërë nga Hashim Thaçi, dhe se aty janë futur persona që i shkojnë për shtati atij.

Një zë tjetër kritik për procesin e zgjedhjeve, dhe përbërjen e organeve është kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili në veçanti ka shprehur shqetësime se si dega e PDK-së në këtë qytet përfaqësohet me dy persona, të cilët sipas tij, më së paku mund ta përfaqësojnë këtë degë në kryesinë qendrore. Edhe deputetja Flora Brovina ka vërejtje për përbërjen e re të Kryesisë së partisë.

Mustafa: Kryesinë e uzurpuan jomeritorët

Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, thotë se “personat të cilët e kanë okupuar kryesinë në emër të përfaqësimit të Gjilanit (Basri Musmurati dhe Zenun Pajaziti) janë njerëzit të cilët nuk kanë bërë as punën minimale për degën e PDK-së në këtë qytet”.

“Si mund ta përfaqësojë degën në Gjilan Basri Musmurati, i cili në Gjilan merr njëmijë e pesëqind vota si kandidat për deputet. Do të thotë një njeri që e ka minimumin e peshës në publik, te qytetarët e Gjilanit, e përfaqëson degën e PDK-së në kryesi, bile-bile, jo vetëm që e përfaqëson por bëhet sekretar i përgjithshëm. Do të thotë, këto janë aspekte të cilat parimisht duhet t’i ngremë, t’i themi në mënyrë të qartë sepse këto e dëmtojnë krejt partinë, jo vetëm degën në Gjilan”, thotë ai.

Sipas tij, kuadrot si Musmurati nuk e kanë vendin në kryesi të partisë, por në pension, ndërsa personat e rinj në moshë do të duhej t’i zinin pozitat e merituara në organet e reja të partisë.

“Ai njeri nuk po heq dorë, për mua, është uzurpator. Ai po e uzurpon hapësirën e aktivistëve të devotshëm, aktivistëve të cilët në këtë dymbëdhjetëvjetshin e fundit kanë punuar dhe kanë dhënë shumë për PDK-në në Gjilan”, shprehet ai.

I pari i Gjilanit shprehet i bindur se mënyra se si është lënë jashtë kryesisë së partisë i tërë rajoni i Gjilanit, do të reflektojë direkt në zgjedhje, madje, edhe duke ia pamundësuar PDK-së që t’i fitojnë zgjedhjet e ardhshme.

“Sa më përket mua, e sa unë e njoh atë komunitet, kjo do të reflektojë jashtëzakonisht shumë keq. Bile-bile me shumë premisa edhe për t’i humbur zgjedhjet e ardhshme, sepse, unë personalisht, nuk i bëjë më argat askujt. Unë të dalë në zgjedhje, unë të sfidohem, unë t’i fitoj zgjedhjet, e dikush tjetër ta marrë pushtetin pameritueshëm, këtë nuk ia lejoj më vetes, sepse, s’ma lejon as personaliteti im dhe as familja ime”, thotë ai.

PDK-ja dobësohet pa Krasniqin

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thotë se pas zgjedhjeve të brendshme në PDK, dhe manipulimeve të shumta, nga ky subjekt politik do të ketë largime të njëpasnjëshme.

“Unë nuk mendoj që PDK-ja po rrezikohet substancialisht, sepse, në fakt ajo vetëm ka marrë rrugën e vet, e cila prej një partie në lider po shndërrohet në parti të liderit. Do të thotë, që nga Kuvendi i fundit Zgjedhor nuk është më Hashim Thaçi njeriu më i fuqishëm në PDK, por e gjithë PDK-ja është e Hashim Thaçit. Ky është një dallim shumë i madh”, thotë ai.

Analisti Spahiu thekson se veprimi i Krasniqit, është dëshmi se ai nuk pajtohet me shumëçka në PDK, dhe se largimi ose distancimi i tij nga strukturat udhëheqëse do ta dobësojë shumë partinë.

“PDK-ja është shndërruar në një parti të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Letra e Krasniqit tregon se ka një ndarje, Jakup Krasniqin me PDK-në e ka bashkuar një ideologji politike e caktuar, por e ndan hajnia. Morali i Jakup Krasniqit nuk e ka lejuar që të vazhdojë më tutje. Largimi i Jakup Krasniqit e dëmton PDK-në, por nuk do të thotë se e bën atë që të ndahet në dysh. Mund t’i hiqet një copë, por jo të ndahet në dysh”, shprehet ai.

Zgjedhjet ishin të manipuluara

Në fillim të letrës së tij, ish-sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi ka deklaruar se zgjedhjet e fundit partiake kanë qenë të manipuluara “fund e krye”.

“Zgjedhjet e zhvilluara kohë më parë në PDK, në asnjë nivel nuk qenë të rregullta, përfshirë këtu edhe Kongresin Zgjedhor të saj. Rrjedhimisht kësaj, unë nuk e njoh as “produktin” e këtij procesi “zgjedhor” finalizuar nga një konventë jolegjitime”, ka thënë ai.

“Jam i vetëdijshëm, ndërkaq, se partia të cilën e kemi ndërtuar së bashku me shumë mund e angazhim, mbase edhe më shumë se kaq, është uzurpuar padrejtësisht dhe për interesa krejt personale e klanore dhe jashtë çdo procedure demokratike. Edhe kryesia e emëruar e PDK-së nuk është legjitime, rrjedhimisht as anëtarët e saj të emëruar në një takim formal, ku u ftuan anëtarët e një Këshilli Drejtues, po ashtu të dalë nga një votim i dyshimtë, numëruar e radhitur sipas preferencave për tre ditë, pas një votimi të mbajtur nën siglën e Konventës së PDK-së”, ka shkruar më tutje Krasniqi.

Me këtë qëndrim të tij pajtohet kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili thotë se procesi zgjedhor ka pasur manipulime të shumta.

“Zgjedhjet janë përcjellë me shumë parregullsi në të gjitha degët, edhe në degën në Gjilan, dhe në qendër siç u pa. Mirëpo, i kemi pranuar si të tilla sepse e kundërta do të ishte anulimi total i tyre. Këto zgjedhje nuk kanë qenë zgjedhje për ta spikatur kualitetin e PDK-së, dhe për ta fuqizuar dhe zgjedhur më të mirët, për t’i fituar garat në nivelet nacionale, po ka qenë një luftë e paskrupullt e klaneve, e lobeve, brenda degëve dhe brenda krejt partisë, luftë e paskrupullt dhe e pakompromis qysh njëri klan ta mbysë tjetrin dhe me dalë fitues”, thotë ai.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Flora Brovina, thotë se është e pakënaqur me faktin se në kryesinë e partisë, në kuadër të kuotës që i takon gjinisë femërore, nuk janë përfshirë shumë femra që kanë dhënë shumë për partinë.

“Nuk jam shumë e kënaqur me përfaqësimin gjinor. Tani është përmirësuar struktura por jo edhe me aktivistet që kanë qenë aktiviste prej moti, që kanë lënë gjurmë në partinë tonë”, ka thënë ajo nëpërmjet telefonit.

Stavileci: S’ka probleme në PDK

Mirëpo, gjithçka që është thënë deri më tash nga “zërat kritikë” brenda PDK-së, nga drejtuesit e kësaj partie nuk shihet si rrezik për ndarje të mundshme.

Zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, i ka thënë të shtunën “Zërit” se nuk shohin rrezik të ndarjes, ngase, siç ka thënë ai, të gjithë qytetarët janë dëshmitarë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të brendshme.

“Natyrisht që secili individ mund të ketë pasur tjera pritje dhe është normale që edhe të ketë ndonjë pakënaqësi. Por, pakënaqësitë që shprehen nuk mund të krijojnë idenë e ndarjes. Është e gabueshme të mendohet kështu, sepse, merreni me mend çfarë do të ndodhë sikur në secilin vend apo organizatë çdo pakënaqësi të barazohej me ndarjen e mundshme”, ka thënë ai.

 

Nga Jeton Llapahtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu