PDK përvjel mangët!

0
965

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk e ka aprovuar kërkesën e kryetarit të Klinës, Sokol Bashota për përjashtimin e Fatmir Limës dhe Jakup Krasniqit nga partia. Këtë qëndrim PDK e ka mbajtur në mbledhjen e rregullt mbajtur në ambientet e Hotel “Victory” në Prishtinë.

Këshilli Drejtues i PDK-së ka biseduar për rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar dhe njëkohësisht për organizimin rreth zgjedhjeve të përgjithshme që zhvillohen këtë vit. Pas takimit, i vetmi që dha deklaratë për medie ishte zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili tha se PDK i ka vlerësuar zgjedhjet lokale pasi që edhe njëherë kanë dalë si partia e parë në vend.

“Ka qenë një mbledhje e rregullt e kryesisë, normalisht ka qenë një raport i vlerësimit të zgjedhjeve të kaluara lokale. Ka pasur respektim për atë që ka ndodhur në ato zgjedhje e poashtu edhe një mirënjohje pasi që edhe njëherë kemi dalë si partia e parë në vend”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, në këtë mbledhje është diskutuar edhe për organizimin e strukturave dhe degëve për zgjedhjet e përgjithshme që priten të mbahen këtë vit nga të cilat presin që të dalin fitues. “Kemi diskutuar edhe për fillimin e organizimit në degët dhe nëndegët e partisë për zgjedhjet e përgjithshme. Normalisht ne do të hyjmë si parti e vetme në zgjedhje të dalim partia e parë e më pas të shohim alternativat”, ka deklaruar ai.

Ministri i Drejtësisë ka folur edhe për Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajn duke thënë se ata janë ende pjesë e PDK-së pasi që PDK nuk ka logjikë përjashtuese. “Limaj dhe Krasniqi nuk janë tema bosh e PDK-së. Ata vazhdojnë të jenë pjesë e partisë pasi që Këshilli Drejtues nuk e ka ndryshuar vendimin e saj. PDK nuk ka logjikë përjashtimi të njerëzve nga Partia por logjikë të afrimit të tyre”, ka thënë Kuçi.

Zëvendëskryeministri ka thënë në fund se PDK është me e fortë se asnjëherë më parë. “Nuk e ka prish askush PDK-në. PDK është e madhe, është e fortë dhe më demokratike se kurrë”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, mësohet se kritikat më të mëdha në drejtim të lidershipit kanë shkuar nga ish- kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa, i cili ka akuzuar kryesinë për humbje.

Ndërkohë lideri i PDK-së, Hashim Thaçi siç raportojnë mediet online, brenda takimit ka thënë se partia duhet të mobilizohemi sot sikur pas 45 ditësh, 90 ditësh ose 9 muajsh.

“Ata që i kanë humbur zgjedhjet në komunat e tyre nuk mund ta sjellin disponimin negativ në Këshillin Drejtues. Unë i pari reflektoj se ndoshta është dashur ndryshe. Dobësia ndoshta ka qenë edhe e jona, se kemi shku në shabllon kur i kemi caktuar kryetarët e komunave. Unë i pari reflektoj se ndoshta është dashur të shkohet pak më ndryshe, për shkak të ndonjë kandidati kryeneç” ka thënë Thaçi.

Ndërkohë nënkryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se dikush duhet të shkojë në shtëpi.

“PDK nuk ka alternativë as politike as qytetare qeverisëse por edhe ne duhet të ndryshojmë shumë . Disa njerëz duhet me shku me pushu duhet të shkojnë në familjet e tyre disa të tjerë duhet të avancohen. Nominimet për deputetë duhet të bëhen në Këshill Drejtues. Rebelët janë të mirëseardhur në partinë tonë” ka thënë Veseli.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu