PDK pëson debakël, humb shumicën e komunave

0
539

Partia e kryeministrit, Hashim Thaçi, në garën për balotazh të zgjedhjeve lokale për mandatin e ardhshëm katërvjeçar ka pësuar debakël të fortë, duke humbur shumicën e komunave me të cilat ka qeverisur deri më tani.

Nga 11 komuna në sa ka shkuar në balotazh, Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve të para preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, ka shënuar humbje të thellë në shumë komuna të Kosovës, derisa ka arritur ta ruaj vetëm Prizrenin me të cilin do të qeverisë edhe mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Partia në pushtet gjithnjë sipas rezultateve preliminare, në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale ka humbur gjashtë komuna, madje edhe disa qendra të cilat janë identifikuar si bastione të kësaj partie.

Partia e kryeministrit Thaçi ka humbur Mitrovicën, Gjilanin, Ferizajn, Lipjanin dhe Vitinë, por ka arritur të marrë disa nga qendrat e vogla, si Rahovecin, Dragashin, Kamenicën, Vushtrrinë dhe Klinën.

Megjithatë, për dallim prej herëve të kaluara që kryeministri Hashim Thaçi ka festuar në “Sheshin 21”, të dielën nuk është parë askund, derisa paria e PDK-së kishte udhëtuar drejtë Prizrenit për të festuar fitoren në qytetin që e patën quajtur “Jerusalemin e PDK-së”.

Nënkryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se fitorja e kandidatit të kësaj partie në Prizren, Ramadan Muja është rezultat i platformës së këtij subjekti politik, derisa vetëm pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit qytetarë të shumtë i janë bashkuar festën në “kryeqytetin” shpirtëror të shqiptarëve.

E ndërkaq, Blerand Stavileci i PDK-së është paraqitur në një konferencë me gazetarë rreth orës 20: 00, sipas të cilit të dhënat e para preliminare tregojnë se partia e tij prin në shumicën e komunave, duke dal si subjekti i parë në nivel vendi.

“Nga të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara në kuadër të sistemit partiak, konfirmohet fitorja e kandidatëve të PDK-së në balotazh. PDK-ja prinë në Prizren, Mitrovicë, Rahovec,Dardanë, Dragash, Vushtrri, Klinë, por që inkurajuese janë edhe rezultate edhe në komunat e tjera”, ka thënë ai.

Stavileci, ndërkaq ka vlerësuar lartë ecurinë e procesit zgjedhor në garën e balotazh në 25 komunat e Kosovës, që sipas tij, edhe kësaj radhe qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar pjekurinë e tyre politike dhe qytetare.

“Kosova edhe kësaj radhe e kaloi një test të demokracisë, duke dhënë shembull në rajon për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike”, ka thënë ai. Sidoqoftë, zgjedhjet e fundit kanë ndryshuar thellësisht performancën e deritashme të udhëheqjes në më se 20 komunat e Kosovës.

 

Nga: Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu