PDK-së po i del “tymi”

0
766

Sa më shumë që po afrohen zgjedhjet lokale në Kosovë aq më shumë po i del “tymi” partisë së kryeministrit Hashim Thaçi. Pakënaqësitë dhe çarjet në këtë subjekt politik aq shumë janë thelluar saqë çdo ditë po ndodhin largime e ndarje në dysh të strukturave drejtuese të degëve dhe nëndegëve.

Analistët politikë konsiderojnë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po shkon drejt ndarjes në dysh, sikurse ka ndodhur kohë më parë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). E fundit që nuk mundi t’i “shpëtojë” ndarjes është Dega e PDK-së në Lypjan, prej së cilës janë larguar dhjetë anëtarë të kësaj dege dhe 19 anëtarë të Këshillit Drejtues.

E gjithë kjo “rrëmujë” është krijuar pikërisht për shkak të rikandidimit të Shukri Bujës për kryetar të Komunës së Lypjanit. E vetë Buja nuk e ndjen veten fajtor rreth ikjeve të fundit të strukturave drejtuese dhe madje këtë e quan si rrjedhë normale që ndodh në politikë.

Ndërkaq, nga kjo parti është larguar kryetari i degës së Lypjanit, Fitim Selimi. Ky i fundit paralajmëron mundësinë e krijimit të një subjekti të ri politik. “Është mundësia me dal me një organizim të ri.

Na ndajnë edhe disa orë deri te një veprim tjetër si formë alternative, edhe pse s’kemi marrë ende ndonjë qëndrim ne shokët qe kemi mbetur në sokak”, i ka thënë ai “Zërit” përmes telefonit. Selimi thotë se numri i përkrahësve në “krahun” e tij gjithnjë e më shumë po rritet dhe, sipas tij, do ta mund “krahun” e Bujës.

“Nuk kam asgjë personale me kryetarin e Lypjanit, Shukri Bujen, madje kemi raporte familjare, por komuna është menaxhuar keq nga ai”, ka thënë Fitim Selimi. E ndërkaq, Buja, i cili është rikandiduar edhe për një mandat për kryetar komune, kandidaturë kjo që u bë “sebep” për largimin e një pjese bukur të madhe të strukturës së degës, e pranon se kanë ndodhur largime, por, sipas tij, jo e 10 anëtarëve të degës dhe 19 anëtarëve të Këshillit. “Janë larguar vetëm një pjesë, por jo gjithë anëtarët siç thonë prej dhjetë vetash. Nga 56 nëndegë sa ka dega, vetëm në 5 nëndegë janë larguar kryetarët. Pra,janë largu një grup i vogël dhe nuk është pjesë e madhe e atyre që janë larguar”, ka thënë ai, i cili e pranon se e gjithë “lufta” është bërë rreth kandidaturës për kryetar komune.

E situatë hiç më e mirë nuk qëndron as në komunën e Vitisë. Edhe këtu funksionojnë dy grupe. “Krahu” i Nexhmedin Arifit, që udhëheq komunën, i cili është nominuar edhe për një mandat nga Hashim Thaçi dhe “krahu” tjetër i Xhevat Bislimit. Ky i fundit thotë se ka qenë i propozuar nga dega dhe këshilli për kryetar komune, derisa Nexhmedin Arifi “rrah gjoks” se është nominuar nga qendra, gjegjësisht lideri i partisë, Hashim Thaçi.

“Është nominim legjitim që më është bërë nga qendra dhe kryetari”, ka thënë Arifi përmes telefonit, derisa ka mohuar që struktura e partisë në Viti të jetë e ndarë në dysh. “Aty janë vetëm dy veta të ndarë, Xhevat Bislimi dhe Daut Xhemalji. Strukturat e partisë nuk janë të ndara, do t’i tejkalojmë të gjitha këto probleme, sepse ne nuk e përjashtojmë askënd”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Xhevat Bislimi, i cili deklaron se ka qenë edhe zyrtarisht kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, se “çdo kandidaturë pas 4 shtatorit që nuk është propozuar nga dega e Vitisë është e kundërligjshme, ilegale dhe mafioze. Për këto veprime manipuluese dhe mafioze përgjegjës direkt do të jetë Basri Musmurati”, ka thënë Bislimi.

E vetë Musmurati nuk ndjehet fort i shqetësuar me thyerjet dhe ndasitë që po ndodhin nëpër degë dhe nëndegë të PDK-së. “Imazhi i PDK-së nuk prishet me këto pakënaqësi dhe ky nuk është ndonjë dëm i theksuar për PDK-në. Jemi parti e madhe politike dhe gjithmonë ka pasur lëvizje. Por, nëse i matin këto shkuarje me ardhjet që janë shënuar është dallim i madh”, ka thënë ai.

Edhe në Drenas, dega e PDK-së thuhet se është ndarë. Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, e mohon që ndonjë anëtar i strukturës të jetë larguar, derisa Izet Ibrahimi që është kandidat për kryetar komune nga Iniciativa Qytetare, akuzon strukturën drejtuese të degës së PDK-së se prej vitesh e ka “mbytur” demokracinë. Ai pranon se prapa kësaj iniciative qëndron Jakup Krasniqi, derisa Nexhat Demaku nuk mund të besojë se Krasniqi mund të lëshohet në iniciativa të tilla lokale në nivel mëhallësh.

Kurse, analisti politik, Halil Matoshi, gjithë këtë “hallakamën” e krijuar në PDK e quan një dinamikë të re në partinë e kryeministrit Thaçi, që sipas tij kjo vjen pikërisht për shkak të rikandidimit të njerëzve që kanë probleme serioze me ligjin. “Secilit subjekt të madh politik i ndodhin pakënaqësi të njerëzve që nuk kanë mundur të ngjiten ose katapultohen në majat e pushtetit. Por, ajo që i ka ndodhur LDK-së është shumë e natyrshme që do t’i ndodhë edhe PDK-së që deri më sot ka qenë shumë monolite”, ka thënë Matoshi.

 

Nga: Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu