Pejë: Mobilizim i madh për protestën që mbahet në Prishtinë

0
871

Protestat ne Gjakove 2

Gjatë viteve 80 kur regjimi i Millosheviqit përgatiste ndryshimet kushtetuese që ia hoqën Kosovës autonominë, shumë pushtetarë shqiptarë të asaj kohe thanë se këto ndryshime nuk do kenë asnjë pasojë për popullin e Kosovës.
Kështu vlerëson lëvizja Vetëvendosje, qendra në Pejë.

Në komunikatë thuhet se përmes listës Serbe dhe Jabllanoviqit, Serbia është futur jo vetëm brenda territorit të Kosovës por është kthyer edhe në faktorin kyç vendimmarrës brenda qeverisë së Kosovës. Këto javë ne kemi parë që Lista Serbe punon vetëm për hesap të Beogradit.

“Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më vonë gjatë viteve 90. Ngjashëm, që prej 4 viteve kemi dëgjuar pushtetarët shqiptarë të na mashtrojnë duke na thënë se negociatat me Serbinë janë thjesht teknike, se ato nuk do të kenë asnjë ndikim mbi pavarësinë dhe integritetin territorial, se pasuritë e Kosovës do të jenë përherë në duart e popullit të Kosovës, dhe ja ku jemi sot”, thuhet në komunikatë.

Sipas Vetëvendosjes, këto javë është bërë e qartë më shumë se kurrë se pasuritë e Kosovës po përpiqen t’ia kthejnë ish-kolonizatorit, Serbisë.

“Në rrezik nuk është vetëm Trepça, por edhe shumë pasuri të tjera publike të popullit tonë si liqeni i Ujmanit, Brezovica, PTK-ja, etj. Ligji i ri që duan të kalojnë në parlament i hap rrugën copëtimit të Kosovës në negociata me Serbinë. Sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, njerëz si Jabllanoviqi na kanë prekur edhe dinjitetin, dhe na kanë ofenduar rëndë. Kësaj situate duhet t’i vijë fundi. Populli i Kosovës e ka sot të qartë që vetëm mobilizimi qytetar mund ta sjell ndryshimin”, thuhet në komunikatë.

Sipas VV-së në Pejë, me qindra qytetarë anembanë komunës së Pejës kanë shprehur vullnetin për të marrë pjesë në këtë protestë.

“Duke vërejtur këtë përkrahje të madhe, ne jemi të bindur që edhe shumë të tjerë do të na bashkohen. Transporti me autobusë është siguruar falas përmes mjeteve që janë grumbulluar në mënyrë vullnetare nga vetë qytetarët e Pejës. I ftojmë të gjithë, pa dallim, që të nisemi së bashku në protestë ditën e shtunë, në ora 11:30, pranë Restorantit ‘Peja City’ afër Stacionit Hekurudhor në Pejë. Të bashkuar në protestën e së shtunës, do t’i tregojmë Jabllanoviqit që edhe pak ditë i kanë mbetur në pushtet, dhe që pasuritë tona kombëtare ne nuk i falim. Trepça është e jona!”, bëhet e ditur në komunikatë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu