Pëllumb Xhufi: Shqipërinë e shiti Esati, Zogu dhe ‘zoqtë’ e sotëm

0
683

Pëllumb Xhufi vjen në një analizë të shkurtër mbi figurën e Ahmet Zogut, Mit’hat Frashërit, Ernest Koliqit, Musa Jukës e Muharrem Bajraktarit, por pa lënë jashtë vëmendjes rolin e Ballit Kombëtar në atë që profesori e quan “shkundje” e kujtesës historike. Ndërsa vlerëson studiuesin Auron Tare që po kontribuon në këtë proces, ai vëren se ne shqiptarët, duhet të demaskojmë sjelljet antishqiptare të vetë shqiptarëve, që më në fund duhet ta mësojmë një herë e mirë se shumë shpesh ata kanë adhuruar, kanë ndjekur e kanë votuar krerë injorantë, të korruptuar e të shitur, që i kanë prirë ata vetëm kundër atdheut e popullit të tyre. “E ka bërë Esati, e ka bërë Zogu, po e bëjnë “zogjtë” e sotëm që kanë nxjerrë në ankand vendin dhe të gjithë neve”, – thekson Xhufi, ndërsa komenton shkurt një sërë dokumentesh botuar së fundmi në “Gazeta Shqiptare”. Prej javësh, Auron Tare ka nisur publikimin e dokumenteve të deklasifikuara amerikane që hedhin dritë mbi jetën e Mbretit Zog në ekzil. Nga dosjet e CIA-s, që botohen për herë të parë në Shqipëri në “Gazeta Shqiptare”, mësojmë një fakt historik pak të njohur më parë, siç janë bisedimet e mbretit me amerikanët dhe jugosllavët për rrëzimin e Hoxhës më 1952-in. Pëllumb Xhufi, i pyetur në lidhje me vlerën që ka botimi i dokumenteve apo faktet mbi të cilat hidhet dritë, nuk ngurron të japë mendimin e vet, teksa shton elementë të tjerë që rëndojnë mbi figurat e historisë shqiptare…
Cila është rëndësia e botimit të këtyre dokumenteve të deklasifikuara nga arkivat amerikane në “Gazeta Shqiptare”?
Është një kontribut për të “shkundur” kujtesën historike, për të demaskuar sjelljet antishqiptare të vetë shqiptarëve, që më në fund duhet ta mësojnë se një herë e mirë se shumë shpesh ata kanë adhuruar, kanë ndjekur e kanë votuar krerë injorantë, të korruptuar e të shitur, që i kanë prirë ata vetëm kundër atdheut e popullit të tyre. E ka bërë Esati, e ka bërë Zogu, po e bëjnë “zoqtë” e sotëm që kanë nxjerrë në ankand vendin dhe të gjithë neve.
Të dhënat e ofruara janë të shumta…
Të dhënat që sjell z. Tare, janë në vazhdim të dokumenteve të tjera, pjesërisht botuar edhe prej atij vetë, që tregojnë se si njerëzit e Zogut, Musa Juka, Muharrem Bajraktari e të tjerë, filluan kontaktet me emisarët jugosllavë qysh në ditët e para të pushtimit të Shqipërisë e të Jugosllavisë gjatë Luftës II Botërore.
Dokumentet flasin për bisedime mes Zogut e Titos. Kishte dijeni për to?
Në Stamboll, Kajro e gjetkë, ata biseduan për një rikthim në pushtet të Zogut me ndihmën e bajonetave jugosllave, si në 1924, dhe për krijimin e një lidhjeje federale midis Shqipërisë e Jugosllavisë, me dogana të përbashkëta dhe me kufij “transparentë”. Po në këtë kohë, sivëllezërit e zogistëve, drejtuesit e Ballit Kombëtar hynin në bisedim me të djathtën greke, me atë që masakroi popullsinë çame në 1945-ën, me të cilën projektuan krijimin pas lufte të një federate greko-shqiptare, ku veç të tjerash ushtria e përbashkët do të komandohej nga një shtab grek!
A ka pasur dokumente të tjera të kësaj natyre?
Dokumente të arkivave jugosllavë të viteve 1948-1953, të botuara së fundi, të rrëqethin kur të mësojnë se i gjithë emigracioni politik “antikomunist” e “nacionalist” ishte krejtësisht nën kontrollin jugosllav e grek. Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Muharrem Bajraktari, Gjon Marka Gjoni inkurajonin në atë kohë pushtimin e Shqipërisë nga Jugosllavia e nga Greqia, dhe vendosjen paskëtaj të një qeverie “nacionaliste” që do ta kthente Shqipërinë në shtet të federuar si me njërin shtet fqinj, ashtu edhe me tjetrin: d.m.th. do ta copëtonte Shqipërinë në dysh midis Jugosllavisë e Greqisë, ashtu siç ishte vendosur mes tyre që në vitin 1866 në Traktatin e Veslaut.
Ju, i shihni si bashkëpunime me armiqtë?
Po, dhe për të mbyllur këtë histori të gjatë bashkëpunimi me armiqtë e Shqipërisë dhe tradhtish ndaj atdheut, kujtoj kthimin e të ndjerit Leka Zogu në Shqipëri, në prill 1997. Ju kujtohet se cila ishte lëvizja e tij e parë diplomatike? – Takimi me Ambasadorin e Serbisë në Tiranë!

 

Nga, Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu