Për devijimin e “Radikës” qeveria Berisha e dinte nga viti 2011

0
616

Nëse për qytetarët shqiptarë çështja “Radika” është bërë e njohur vetëm ditët e fundit, nuk mund të thuhet se ajo ka qenë e tillë për autoritetet e Tiranës, raporton Top Channel

Sipas ketij mediumi, projektpropozimi i qeverisë së Maqedonisë daton që në 2011. Fakti është konfirmuar edhe nga një njoftim i Bankës Botërore, së cilës qeveria maqedonase i ka kërkuar financimin e ndërtimit të HEC-it, nëse kushtet do ta mundësonin.

“Në 2011, me kërkesë të qeverisë së Ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë, BB ra dokord të marrë në konsideratë një projektpropozim për ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Lukovës”, – nis sqarimin Banka Botërore.

Duke detajuar qëllimin e këtij propozimi, të qeverisë së Shkupit në 2011, që përmblidhet në ndërtimin e një hidrocentrali me fuqi të ulët, përmes devijimit të një pjese të prurjeve të Radikës në Vardar, BB paralelisht siguron se në asnjë rast nuk do të anashkalohen fqinjët:

“Shqipëria, Greqia, Kosova dhe Serbia ndodhen përgjatë basenit dhe, për këtë shkak, do të konsultohen mbi dizenjimin, përpara se të merret ndonjë vendim për financim nga Banka Botërore. Projekt-propozimi është ende në fazën e dizenjimit dhe nuk është marrë ende asnjë vendim”.

Megjithëse BB shton se vlerësimet paraprake tregojnë se projekt-propozimi do të kishte ndikim të limituar mbi sasinë e ujit, që do të devijohet në lumin Radika, dhe se sasia e ujit pritet të jetë mjaftueshëm nën tavanin prej 8 metër kub për sekondë, të përcaktuar nga Marrëveshja Ndërkombëtare e vitit 1962, aktualisht në fuqi mes dy shteteve, do të sigurohen – thotë njoftimi i saj – të gjitha standardet, sipas të gjitha politikave mbrojtëse të BB.

Garancia që jep BB, se vendimi final do të marrë në konsideratë çdo efekt mjedisor, çdo dëm të mundshëm për qytetarët e zonës dhe çdo qëndrim të shteteve fqinje, vjen paralelisht me përgjigjen negative që tashmë kanë dhënë Tirana dhe Prishtina për projektin në fjalë.

Qeveria e Kosovës deklaroi se nuk do të miratonte një propozim të tillë të mundshëm, ndërsa kryeministri shqiptar i dha fund debateve, duke thënë se nuk ka asnjë propozim, por nëse do të vijë nuk do të ketë asnjë vendim në kundërshtim me interesat e vendit dhe të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ashtu sikundër edhe ministrat shqiptarë në qeverinë maqedonase kanë siguruar se nuk do të miratojnë ndërtimin e një vepre hidrike në dëm të Dibrës së Madhe dhe rezervave ujore shqiptare, qëndrim të cilit iu bashkangjit edhe kryeministri i shtetit fqinj, Nikolla Gruevski, në deklaratën e parë për këtë çështje.

Por, nëse të gjithë aktorët, që përfshin çështja Radika, janë deklaruar për qëndrimet respektive, pikëpyetja që mbetet është se, përse për propozimin që është bërë mbi tre vjet më parë nuk ka reaguar qeveria e atëhershme e Tiranës?

Pikëpyetje që, në rastin më të mirë, mund të ketë përgjigje për mungesën e pajustifikuar të dijenisë për një projekt kufitar dhe, në rastin më të keq, të mos publikimit të këtij propozimi, që është bërë vetëm pak muaj pas rrëzimit të marrëveshjes së detit me Greqinë. / Top Channel

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu